Pesëdhjetë vjet më parë, njeriu shkeli në Hënë. Disa thonë se shkeli, disa akoma nuk besojnë. Në këtë ngjarje historike, kishte një kontribut simbolik edhe një shqiptar. Emri i tij eshte i shenuar ne nje pllake te lënë nga astronautët ne Hënë.Nuk ishte astronaut por inxhinier. Ishte ky shqiptaro-amerikanei Wilson Kokalari, i cili në atë kohë ishte i ngarkuar për të programuar testimin final të të gjithë sistemit të Apollo-s përpara nisjes drejt aventurës ndërplanetare.

Wilson Kokalari, u lind në Gjirokastër dhe vjen nga familja e shquar Kokalari, ndër të cilët për, më e njohura është Musine Kokalari, vik, tima e komunizmit.

Foto: Albumi Akordet e Kosoves

Wilson-i ishte vetëm një vjeç e gjysëm kur e gjithë familja e tij u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ati, Hilmi Kokalari ishte biznesmen i shkathët. Qysh në fillim filloi biznes me ullinj dhe djathë me Shqipërinë.
Wilson Kokalari dhe i vëllai, u dashuruan pas inxhinierisë. Wilson shkoi në “Perdue University” ku shkojnë pothuajse të gjithë ata që bëhen astronautë. Për shembull, Neil Armstrong, komandanti i Apollos 11, kishte një diplomë inxhinierie nga ky universitet.

Programi Apollo kishte filluar qysh në kohën e presidentit Eisenhower, por asnjëherë nuk kishte marrë zhvillim për mungesë fondesh. Mirëpo, në prill të vitit 1961, sovjetikët dërguan njeriun e parë në Hapësirë, astronauting Yuri Gagarin. Efekti propagandistik ishte i fuqishëm në kuadrin e Luftës së Ftohtë. Një muaj më vonë Presidenti Kennedy foli përpara Kongresit dhe premtoi se “përpara se të mbyllet kjo dekadë do ta ulim njeriun në Hënë dhe do ta kthejmë në Tokë shëndosh e mirë”.

Dhjetëra firma nga më të mirat amerikane konkurruan për t’u bërë kontraktuesit kryesorë të NASA-s. Dy firma private fituan kontratën për të ndërtuar dy pjesët kryesore të anijes kozmike që do të shkonte në Hënë: “North American Aviation” nga California do të ndërtonte Modulin e Komandë-Shërbimit të Apollos, ndërsa “Grumman Aircraft Engineering Corporation” nga Long Island i New York-ut, fitoi të drejtën për të ndërtuar Modulin e Udhëtimit në Hënë

Wilson Kokalari është nga të paktët që punuan për të dyja këto kompani. Pozicioni i inxhinierit nga Gjirokastra ishte kyç për programin. Ai ishte testuesi kryesor final i tij. Pasi përfundonin nënsistemet ato duhej të testoheshin se si funksiononin. Pastaj duhej të testoheshin të gjitha së bashku dhe më pas i gjithë sistemi testohej elektronikisht se si do të funksiononte në hapësirë, pa astronautët brenda.

Në fund, i gjithë sistemi, e gjithë anija kozmike testohej bashkë me astronautët brenda saj për të marrë lejen që të nisej drejt hapësirës.
Programi i testimit është qindra faqesh, e detajet pastaj kërkojnë mijëra të tilla. Ai u shkrua nga inxhinieri shqiptar gjatë një pune voluminoze dyvjeçare. Ky libër udhëheqës me titullin Apollo, mban emrin e tij në ballinë dhe në kohën kur u shkrua ishte një nga sekretet më të mëdha të botës. Ndonëse ishte autori i tij dhe ndonëse ishte shumë i besuar, as Wilson-i vetë nuk mund ta merrte me vete jashtë vendit të punës këtë libër.

Astronautët në shenjë falenderimi për punën e jashtëzakonshme të Wilsoni-it dhe stafit teknik, morën me vete një pllakë, me emrat dhe firmat e tyre, të cilën e vendosën në Hënë, aty ku zbritën. Wilson-i qesh kur i kujton se si rrallë kush në këtë botë e ka emrin të shënuar në një trup qiellor jashtë Tokës.

“Kur fillova të punoj me programin Apollo”, tregon Wilson-i, “në vitet ‘60 kur nisi si projekt, i thoja babait që do të shkojmë në Hënë, ai më shihte sikur më kishte lojtur mendja, sikur isha çmendur. Po, po, më thoshte, sigurisht që do të shkoni”.

Për fat të keq, ai nuk ishte gjallë pak vjet më vonë për të mësuar ngjarjen e madhe të vitit 1969, në të cilin i biri luajti një rol të dorës së parë.
“Sigurisht që njerëzit në atë kohë, as që e kishin idenë se sa pranë që ishim vajtjes në Hënë”, tregon Wilson-i. Një rol të madh në përshpejtimin e përpjekjeve , tregon ai, luajti edhe gara me Bashkimin Sovjetik, e cila u bë vendimtare pasi rusët hodhën satelitin e parë në hapësirë, të njohur me emrin “Sputnik”.

Duke zgjuar kujtime nga e kaluara, Kokalari nuk pendohet qe nuk mbeti ne “Real estate’ (pasuri te patundshme) . Nga ana financiare sigurisht që jeta e tij do të kishte qenë krejt ndryshe nëse do të ishte marrë me administrimin e ndërtesave që kishin prona të familjes në Manhattan.

Po nga ana tjetër, ai mendon faktin se ka qenë aq pranë njërës prej ngjarjeve më të mëdha të historisë së njerëzimit, njërës prej arritjeve më të mëdha të tij. Eshtë sikur të kesh ndihmuar në projektimin e piramidave të Egjiptit apo në përcaktimin e itenerarit të Murit të Madh Kinez.
Njeriu, të cilit i është dhënë mundësia të luajë një rol në diçka kaq të rëndësishme në jetë, ndihet në mënyrë të natyrshme krenar kur kthen kokën pas pavarësisht nga dilemat për drejtimet e tjera që mund të kishte marrë në jetë e rrugët nga mund të kishte shkuar.

“Herë pas here,” tregon ai, “bëhesha i ndërgjegjshëm se ky objekt i madh afër meje brenda pak orësh do të ishte, në Hapësirë, do të shkonte në Hënë. Ishte një përjetim që nuk mund të ketë të dytë, që vështirë se mund të krahasohet me gjë tjetër në jetë”.

Wilson Kokalari ka nderruar jete ne mars te vitit 2014 ne moshen 78 vjecare. Por emri i tij vazhdon të mbetet në historinë e projektiti Apolo dhe në Hënë.

Ruben Avxhiu

Foto: Albumi Akordet e Kosoves

Marrë nga Albumi Akordet e Kosoves