Një vjeshtë pa ty.

Një vjeshtë pa ty, sa e trishtuar,
M’u duk një vit, një vit i gjatë.
Në stolin bosh gjethembuluar,
Ka mbetur vetëm një degë e thatë.

Një vjeshtë pa ty, kujtimet lagur,
Nga qielli që pikon veç shi litarë.
Në rrathë pellgjesh vështroj hutuar,
Përhumbem kohës ëndërrvrarë.

Një vjeshtë pa ty, një mall i largët,
Një ikje që nuk njeh më kthim.
Një lamtumirë gjethesh në kalbje,
Një Diell që shuhet në perëndim.

Poezi nga Enkelejda Kondi-Masseboeuf

Enkelejda Kondi-Masseboeuf