Thënie brilante për shqiptarët nga Mit’hat Frashëri

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2-Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.

3- Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë.

4- Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët.

5- Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.

6- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

7- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

8- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

9- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

10- Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

11- Është i lumtur ai që di dhe mund të punojë, që di dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë.

12- Që ta zgjojmë frymën e iniciativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë.

13- Disa njerëz nuk e duan bisedimin, po u pëlqen vetëfjalimi (monologu): ata këmbëngulin në idetë e tyre dhe marrin vrapin mbi tezën që u pëlqen. Në gjuhen frënge ka një shprehje të bukur për të tillët: ”U pëlqen të dëgjojnë veten e tyre”.

14- Bisedimi është një dëfrim shpirti dhe mendjeje, që ndien njeriu duke rrëfyer mendimin e tij dhe duke dëgjuar të tjerët,me pak dëshire, me çelje zemre,mbase,nga një herë,edhe me pak diplomatëri, si lodra e shahut.

15- Pak njerëz dinë dhe ndjejnë shijen e bisedimit, për të cilin duhet më parë të jemi tolerantë, pa këmbëngulje, të matur dhe pa inat.