Kur nuk kishin kaluar vetëm pak ditë nga mbledhja e Byrosë Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Enver Hoxha mori në analizë, kritikoi ashpër e hodhi poshtë dramën “Njollat e murrme”, të autorëve Minush Jero dhe Mihallaq Luarasi, të cilën ai e ndoqi vetë nga llozha në Teatrin Popullor në Tiranë, me porosi nga Sektori i Kulturës në Komitetin Qendror, që mbulohej direkt e personalisht nga Ramiz Alia, dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Durrësit, në fillimin e janarit të vitit 1970, organizoi një “diskutim krijues” për të analizuar “shkaqet e vërteta që kishin çuar autorët e ‘Njollave…’ tek ajo vepër e gabuar”.

Dhe ajo gjë bëhej, pasi dramaturgu Minush Jero ishte me punë dhe banim në qytetin e Durrësit, dhe njëkohësisht anëtar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të atij rrethi.

Në dokumentet arkivore që publikohen për herë të parë, në atë mbledhje, përveç pjesës më të madhe të shkrimtarëve, artistëve, letrarëve, aktorëve dhe regjisorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, morën pjesë edhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit, e njëherazi dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Rita Marko, si dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit, Iljaz Reka.

Në vijim po japim të plotë diskutimin e aktorit Nikolin Xhoja (Artist i merituar) dhe me pak shkurtime atë të Gjergj Vlashit, regjisorit të Estradës së Durrësit.

Në datën 13 dhjetor 1969, Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Drejtoria e Teatrit dhe e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, organizuan një diskutim shoqëror krijues mbi mësimet që duhen nxjerrë, për të revolucionarizuar më tej punën dhe jetën në sektorët e krijimtarisë letraro-artistike të rrethit, veçanërisht të skenës, duke marrë shkas edhe nga gabimet e rënda të dramës “Njolla të Murrme” të Korçës me regjisor Mihallaq Luarasin.

Në mbledhje merrnin pjesë anëtarët e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, të rrethit letrar, mësues të letërsisë, artdashës të shumtë, aktivistë të organizatave të masave, aktorë të teatrit dhe të estradës profesioniste të Durrësit etj.

Gjithashtu merrnin pjesë: Shoku Rita Marko, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, shoku Iljaz Reka, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit të Durrësit, shkrimtarët: Fatmir Gjata, i deleguar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Nasho Jorgaqi, i gazetës “Drita”, Miho Gjini, nga dikasteri i Ministrisë Arsim-Kulturës etj.

Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia pas shfaqjes “Njollat e murme” e cila fitoi flamurin e festivalit
të dramës.

Raportin “Mësimet që duhet të nxjerrim nga drama ‘Njolla të Murrme’ dhe detyrat tona në fushën e krijimtarisë letraro-artistike”, në emër të Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, të teatrit dhe të pallatit “Aleksandër Moisiu” e mbajti shoku Gaqo Spiru, drejtori i teatrit profesionist. Në këtë mbledhje me karakter të theksuar shoqëror dhe edukativ, u zhvilluan diskutime të shumta, ku pjesëmarrësit shfaqën mendimet dhe gjykimet e tyre, si për krijimtarinë letraro-artistike të zhvilluar në rrethin tonë, duke kritikuar dobësitë e vërtetuara, ashtu edhe për dramën “Njolla të Murrme” të Minush Jeros, për vënien e saj në skenë nga teatri “Andon Zako Çajupi” të Korçës, me regjisor Mihallaq Luarasin. Në mbledhje foli dhe shoku Rita Marko.

Durrës

DISKUTIMI I NIKOLIN XHOJËS PËR DRAMËN DHE LOJËN E AKTORËVE

Diskutimi

PËR QËNDRIMIN KRITIK TË AKTORIT NDAJ ROLIT, REGJISORIT, NOVATORIZMIT

Dihet se autori i ri në fantazinë e tij, talentin e tij, duke mbështetur një “fabul” shtrohet dhe shkruan në letër “dramën”, nëpërmjet personazheve. Nuk mjafton vetëm me kaq, sepse një teatër vendos të bëjë në skenë nëpërmjet regjisorit, i cili duhet ta ketë të qartë se çfarë i servir popullit, por unë mendoj që një përgjegjësi shumë të madhe ka edhe “aktori” që mishëron rolin që i jep gjak. Shoku Enver na mëson:

Aktori Nikolin Xhoja

“Artistët duhet të mbajnë qëndrim kritik, parimor ndaj të gjithë krijimtarisë letrare dhe artistike”. Pra, ne duhet të nxjerrim mësim nga qëndrimi jo i drejtë që kanë mbajtur kolegët tanë të teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Të marrim p.sh. punën e aktorit. Të shohim rolet e Luanit dhe të Leas në dramën “Njolla të murrme” të Minush Jeros. Ja se ç’thotë shoku Kudret Velça: “Duke u larguar nga botëkuptimi proletar, njeriut i shuhen edhe ëndrrat që ka thurur në rini dhe kur njeriu punon së ëndërruari, pushon së jetuari. Dhe Luani me Lean, kanë pushuar së jetuari”. D.m.th. kanë vdekur pra aktorët, Edi Luarasi, (Lea) dhe Vangjo Furxhi (Luani)që janë aktorë të talentuar, këtë radhë na paraqiten në dy role të zorshme, sepse janë interpretuar dy role personazhesh të vdekur (këtu e kam fjalën për këta njerëz, që kanë dalë jashtë shoqërisë sonë socialiste, që nuk ekzistojnë).

Pra, na del detyra neve, aktorëve, që kur të krijojmë rolet, duhet të fillojmë të krijojmë personazhin, njeri me të mira dhe të meta. Bashkë me interpretimin të mbajmë dhe qëndrim kritik parimor ndaj kësaj krijese artistike.

DY FJALË PËR NOVATORIZMIN NË TEATËR

“Novatorizmi në art, nuk duhet kuptuar si mohim i traditës” Novatorizmi dhe tradita, nuk janë në kontradiktë dhe nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Është gabim të kuptohet novatorizmi si luftë kundër traditës.

Unë mendoj që disa shfaqje teatrale, ose krijime artistike (aktoreske), që quhen novatorizëm, mohojnë traditën e teatrit, ose të ndërtimit të rolit të aktorit. P.sh. dalin dy ose tre aktorë në skenë, veshin nga një fëshfëshe ose përparëse dhe bisedojnë me spektatorin, i tregojmë se ashtu ndodhi 15 vjet përpara, dhe mbasi heqim fëshfëshen dalim të interpretojmë doktorin ose mësuesin.

Nga përvoja e punës sonë në teatër, mendoj që një kalim i tillë është i pakapshëm për autorin, sepse duhet krijuar emocioni i rolit, veshja e personazhit që do të lozë, mosha dhe mënyra, sepse nuk është njësoj njeriu si sot ashtu dhe pas 15-20 vjetëve. Te drama “Njerëz mbi shkëmb”, në rolin e xha Aliut, unë vij i përgatitur që nga shtëpia, bëj makijazh, vesh përparësen, rregulloj tenxheret, ibrikun, kontrolloj dhe zgjedh pjatat, ku do të hanë djemtë e mi “gjeolog”, i ndjek në të gjitha situatat, dhe kështu vjen, si rezultat i një krijimi emocional, dialogu, për luftën që ka me Arjanin. Por në qoftë se unë do të vesh një fëshfëshe dhe menjëherë ta heq, dhe të bëhem kuzhinier me përvojë, ose të bëjë tregimin partizan, nuk do të jem i besueshëm (prandaj mendoj që në këtë mënyrë do të kishim një mohim të traditës emocionale, të realizmit skenik). Megjithatë, nuk jam për të ndalur novatorizmin dhe për të hyjnizuar traditën sepse do të binim (siç thotë shoku Enver) në konservatorizëm dhe shkëputje nga realiteti. Për këtë realizim që na jepet sot në skenë dhe që është bazuar te teatri çek, te pjesa e Kohout “Një dashuri e këtillë”, nuk jam dakord.

NIKOLIN XHOJA ARTIST I MERITUAR,

TEATRI “ALEKSANDËR MOISIU”

DISKUTIMI I REGJISORIT TË ESTRADËS SË DURRËSIT, GJERGJ VLASHI, PËR DRAMËN

Vlashi: Personazhet që autori ka vënë në qendër të tij janë tre njerëz të falimentuar moralisht dhe, me gjithë përpjekjen që bëhet në fund për të kthyer në rrugë të mbarë Lean dhe Luanin, kjo gjë duket që është artificiale, mekanike dhe nuk të bind”

Diskutimi

TË PËRCAKTOJMË DHE KRITIKOJMË NË GJYKIMIN E VEPRAVE NË KOLEKTIV

Mendoj se është gjë shumë e mirë dhe e dobishme që ne së bashku sot po zhvillojmë këtë mbledhje. Problemet që dalin nga diskutimi i dramës “Njolla të murrme”, të Minush Jeros, dhe i shfaqjes së teatrit “Andon Zako Çajupi”, ka rëndësi për të gjithë ne, njerëzit e letërsisë dhe të artit dhe duhet të nxjerrim mësime, për të evituar me çdo kusht që në të ardhmen të mos përsëritet një rast i tillë.

Duhet ta them që në krye se edhe unë, jam një nga njerëzit që natën kur pashë shfaqjen e kësaj drame nga trupa e Teatrit të Korçës, nuk arrita ta kuptoj se kishim të bënim me një dramë thellësisht të gabuar ideologjike dhe të dëmshme.

Regjisori Gjergj Vlashi

Duke parë dhe vlerësuar në mënyrë të gabuar vetëm anën e jashtme dhe duke u tërhequr nga shkëlqimi i rremë që ajo kishte, unë lashë pas dore përmbajtjen, nuk u thellova në të dhe në këtë mënyrë, bëra një gabim të madh, në vlerësimin e përgjithshëm të saj.

Kjo tregon që edhe një herë se, në qoftë se ne, edhe për një çast, tërhiqemi nga anët formaliste të një vepre, duke harruar përmbajtjen, kjo mund të na çojë shumë kollaj në gabime të rënda.

Faksimile e diskutimit të regjisorit Gjergj Vlashi

Drama “Njollat e murrme” është një vepër e dështuar dhe e gabuar në esencë. Problemet që ka dashur të trajtojë në të autori, i ka shikuar nga një kënd i shtrembër dhe në këtë mënyrë si shtrimi, ashtu dhe zgjidhja e tyre është e gabuar, dhe vepra mban vulën e ideologjisë së huaj, të influencës së letërsive dekadente dhe reaksionare.

Personazhet që autori ka vënë në qendër të tij, janë tre njerëz të falimentuar moralisht dhe, me gjithë përpjekjen që bëhet në fund, për të kthyer në rrugë të mbarë Lean dhe Luanin, kjo gjë duket që është artificiale, mekanike dhe nuk të bind. Mos vlerësimi i drejt nga disa prej nesh i kësaj drame tregon edhe një herë nevojën e madhe që kemi për t’u thelluar gjithnjë e më shumë në materialet e Partisë dhe veprat e shokut Enver, që janë busulla e pagabuar dhe arma më e sigurt për të luftuar çdo influencë të huaj dhe çdo vlerësim të padrejtë të veprave që nuk i përgjigjen frymës luftarake ta artit tonë dhe që janë në kundërshtim me realizmin, si metodë e vetme e të gjithë letërsisë dhe arteve tona.

Gjithashtu, kjo tregon se kemi akoma nevojë të pastrohemi nga mbeturinat mikroborgjeze, që ende jetojnë në ndërgjegjen tonë dhe që duhen shkulur me rrënjë ashtu siç shkulet bari i keq. Kjo që ngjau në dramën “Njolla të murrme” duhet të na bëhet që të gjithëve mësim dhe duhet që të nxjerrim konkluzione.

Edhe në që bëjmë pjesë në degën e Lidhjes, për rrethin tonë, është e nevojshme që të mendohemi dhe të thellohemi për të. Në radhë të parë duhet të kuptojmë dhe vlerësojmë si duhet diskutimet krijuese dhe analizat e veprave tona. Ç’është e vërteta, deri tani janë bërë disa diskutime dhe analiza, por ato janë ende të pamjaftueshme.

Është shumë mirë që çdo krijim që del, nga duart e njerëzve tanë të degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të anëtarëve dhe rrethit letrar dhe të rretheve të tjera, duhet të diskutohet dhe t’i nënshtrohet gjykimit kolektiv, pasi prej tij do të ketë përfitime, në radhë të parë autori, dhe pastaj dhe të tjerët.

Duhet të themi me keqardhje, se pak autorë paraqesin veprat e tyre për diskutim, duke përfshirë këtu dhe anëtarët e Degës dhe vetë shokët e kryesisë. Shumë prej tyre i paraqesin veprat drejt në ndërmarrjen e botimeve, në redaksitë e gazetave, ose në drejtorinë e teatrit.

Ne mendojë se ky veprim nuk është i drejtë dhe nuk i ndihmon autorët. Përveç kësaj, mosparaqitja e veprave për diskutim shpreh në njëfarë mënyrë edhe një qëndrim mendjemadhësie dhe nënvleftësimi për gjykimin e shokëve, që është kurdoherë i drejtë, i thellë dhe i përzemërt.

Duke mbyllur diskutimin tim, dua të theksoj edhe një herë se ne të gjithë, njëzëri, e dënojmë dramën “Njolla të murrme” si vepër thellësisht e gabuar dhe ideologjike, si vepër antisocialiste që njollos realitetin tonë dhe në të njëjtën kohë sigurojmë partinë se do të mprehim vigjilencën tonë revolucionare, për të luftuar pamëshirë çdo depërtim të ideologjisë së huaj, do të studiojmë më me ngulm dokumentet e Partisë dhe veprat e shokut Enver dhe do të prodhojmë vepra gjithnjë dhe më të mira, më të shëndosha ideologjikisht dhe më të ngritura artistikisht, vepra që të shërbejnë për edukimin komunist të punonjësve tanë.

GJERGJ VLASHI

REGJISOR I ESTRADËS PROFESIONISTE DURRËS

Burimi: www.panorama.com.al