Ajo mbahet mend si ylli i kinemasë shqiptare të viteve ’80. Ashtu si çdo shqiptar që ka emigruar, edhe Anisa Markarian, ndjen mall për Tiranën e fëmijërisë dhe rinisë së saj.

Markarian thotë se në Francë ku jeton prej 30 vitesh edhe pse ka krijuar familjen e saj dhe ka një karrierë të suksesshme, shpirtërisht i mungon lidhja e fortë që kanë njerëzit në Shqipëri.

Gjeografikisht thotë se i mungojnë hapësirat, por këto të fundit nuk i gjen më as në Tiranë pasi kryeqyteti nuk është më ai që ka lënë kur emigroi në 1991.

Më mungojnë shumë gjëra, sidomos lidhja njerëzore që ekzistonte këtu, fqinji të bëhej si pjesëtar i familjes.

Në Francë, në të njëjtën shkallë të pallatit njerëzit nuk njihen. Kjo më mungon shpirtërisht. Gjeografikisht më mungojnë hapësirat që kishte Tirana. Kam ecur shumë këto ditë. Në radhë të parë nuk gjej më rrugët e mia, pyes, ndaloj.

Është një Tiranë që transformohet çdo ditë. Më mungojnë trotuaret, rrugët, janë bërë shumë ndërtime që i marrin frymën njëri-tjetrit. Kjo më mungon nga Tirana”, u shpreh  Markarian, e cila ishte e ftuar në studion e Rtv Ora.

Burimi: Fjala.al