France. IDF. Paris. Saint Germain des Prés. Café de Flore.

Në fund të dhjetorit 1994, unë dhe miku im Palokë Vulaj vizituam Ismail dhe Helena Kadarenë në Paris. Gjatë tri ditëve sa kaluam në qytet, ne ishim dy tri herë mysafirë në shtëpinë e tyre për dreka dhe darka. Na bënë një pritje shumë të ngrohtë që nuk e harrojmë kurrë. Helena kishte përgatitur ushqime të mrekullueshme, madje edhe të traditës shqiptare siç ishte lakrori. Ismaili kishte zgjedhur verën e preferuar, për të cilën kishte shije edhe Paloka, ngase kishte një përvojë të gjatë në biznesin e restoranteve në Nju Jork.

Para se të uleshim në tryezën e darkës, Ismaili më pyeti: “Kush ulet në krye të vendit, sipas Kanunit të Lekës” ? Un’ iu përgjigja: “Sipas Kanunit, në krye të vendit ulet miku. Kadare, tha se: “Këtu, në Paris, në krye të vendit, në sofër, ulet i zoti i shtëpisë.”

Atëherë iu luta të ulej dhe shtova: “Siç është vendi bëhet kuvendi”.

Ismail Kadare kishte njohuri të shkëlqyeshme për Kodin e Lekë Dukagjinit. Ai mund të fliste orë të tëra, për nene të ndryshme të tij. E nderonte si të ishte një dokument biblik. Kurrë në jetë, nuk kam takuar shqiptarë dhe as të huaj që kishin aq shumë respekt për “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Edhe fjalimin që kishte mbajtur në Legjionin Francez të Nderit (Legion d’honneur), në rastin e ceremonisë së pranimit në vitin 1996, fjalimin e tij e kishte filluar duke cituar nenin e Kanunit të Lekës: “Dy gisht nder, në lule te ballit na i ka dhane i Lumi Zot”.

Gjatë darkës biseduam për Parisin. Kur e pyetëm për qendrat më artistike dhe historike të atij qyteti, zotëri Kadare na sugjeroi të vizitojmë katedralen “Notre-Dame” dhe shtoi, se është një mrekulli për besimtarët, për artet dhe për kulturën. Na sugjeroi edhe disa qendra të tjera. Gjithashtu, na dha edhe udhëzime për të udhëtuar në metronë e Parisit.

Poeti dhe shkrimtari i madh francez Viktor Hugo, kishte lënë shkrime të mrekullueshme për katedralen “Notre-Dame”. Ato ditë, pas atij zjarri të hatashëm, shtypi dhe shumë mjete të informacionit e citonin Hygoin për shkrimet e tij. Javën e kaluar m’u kujtuan vargjet poetike monumentale të poetit dhe shkrimtarit tonë gjenial, ku përmendet katedralja “Notre-Dame”. Kjo poezi është botuar në vëllimin 11, me titull : “Poezi (1957-1997)”, nga shtëpia botuese “Fayard”, Paris 2002.

France. IDF. Paris. Saint Germain des Prés. Café de Flore.

Këto vargje poetike janë hyjnore dhe historike, kurrgjë më pak se ato të Viktor Hugosë. Kjo tregon se kush ishte Ismail Kadare 32 vjet më parë, kur në atdheun e tij sundonte diktatura staliniste e Enver Hoxhës. Mr. Kadare ishte në atë kohë si një trëndafil i vetëm në shkretëtirën e Saharës, do të thoshte analisti i përmendur i çështjes shqiptare, Anton Logoreci. Kjo poezi titullohet “ E diel e Pashkëve në Paris, prill 1987”.

Këmbanat qenë të gjitha brenda meje.

Megjithatë i llahatarisur brofa

Nga shtrati.

Timpani gati po më çahej

Në shtratin ngjitur po flente ime shoqe

E qetë krejtësisht

Ndihej që s’kishte

Asgjë ndërgjegjeshpuese që ta trembte:

Blas, feme, vjersha, britma në plenume,

Dhe deklarata kundër fesë.

Ato po më shurdhonin…Megjithatë

Me zë të ulët, me një mënyrë të vjetër

(Mënyrë e vjetër, ah plot mall),

I thirra:

“Ngrehu, ime zonjë, se mesha ka filluar. “

Kështu u ngritëm, ajo e qetë,unë i çakërdisur.

Në metro “Motte Piquet”,thellë nën dhe të errët.

Në “Concorde” ndërruam stacion.

Nëpër nëntokë

Porsi Virgjili treni elektrik më udhëhiqte.

Kambanat plot qortim po më shurdhonin

(Plot pesë i kishin shkuar që kur arbëreshët

Mbi supe kishin i mbartur ndërsa iknin

Nga vendi i tyre, të ndjekur prej Islamit).

Por hija e tyre m’ rëndë se bronzi qe

Mbi shpinën time sot në metro të Parisit.

Kështu, gati, më dysh i kërrusur, dola.

Në tokë mu në këmbë te Notre Dame.

Atje qirinjtë digjeshin pa fund

E midis tyre, midis mijërave prej tyre,

M’u bë se pashë flakën e zbehtë

Të humburit, dikur të krishterit, shpirtit tim

Pavarësisht se nuk kisha folur këto javët e fundit me Kadarenë në Paris, jam shumë i bindur se ata e përjetuan rëndë katastrofën e katedrales “Notre- Dame”. Ata janë qytetarë shumë të nderuar të Parisit. Kurdo përmendet Parisi, shkon mendja te Ismail dhe Helena Kadare.

(Ky shënim dhe poezia e Ismail Kadaresë për “Notre-Dame” botohet në javë, që është koha midis Pashkëve katolike dhe ortodokse, – shkruan Gjekë Gjonlekaj, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues në Nju-Jork)

Burimi: Konica.al