Një nxënës shkoi tek Mësuesi dhe i tha:
” Më ndihmo, o Mësues! Koka ime është bërë si zgjua bletësh dhe vetëm gumëzhimë e zhurmë kam në kokë, sepse kam një mijë probleme.”
“Ngadalë”, – tha Mësuesi,- “mos u ngut.

Një mijë probleme nuk zgjidhen përnjëherë. Problemet duhen zgjidhur një nga një, me qetësi, pa ngutje. Por, a di çfarë?”
“Urdhëro, Mësues.”

” A pimë kafe, rrimë e pushojmë dhe, të shohim, mos po krijohet ndonjë situatë prej së cilës mund të mësojmë të dy: Unë edhe ti.”
“Mirë,”- u pajtua nxënësi.

Hynë në dhomë, u ulën dhe filluan të pinin kafen. Në një moment, nëpër një dritare të vogël, që kishte mbetur rastësisht e hapur, hyri një zog.
Ishte një zog i vogël, i bukur, por shumë i trembur. Kur hyri në dhomë, në ambientin e panjohur, zogu i trembur fluturoi me rrëmbim. Herë përplasej në xhamat e mbyllur të driareve të mëdha, herë përplasej në derë, e prapë, kthehej dhe përplasej në xhamat e dritareve të mbyllura. Kur u lodh nga dhimbjet e përplasjeve, nga vuajtjet e përpjekjeve për gjetjen e daljes shkoi dhe u ul në një kënd të vitrinës.

Mësuesi pa nxënësin e i tha:

“Ky zog je ti nxënësi im i dashur. Dritarja e vogël qëlloi e hapur. Zogu hyri rastsisht. U përplasë me vuajtje e dhembje nëpër xhama, në derë e kudo dhe nuk e gjeti rrugën e daljes. Tërë kohën, ajo dritare nëpër të cilën hyri zogu, ishte e hapur. Kësaj i thonë zgjidhje impulsive, zgjidhje me panik, zgjidhje e vrullshme. Asnjëherë, kurrë në jetë, përpjekjet e tilla nuk përfundojnë me rezultate.”

Mësuesi pushoi pak dhe vazhdoi:
“Pasi të pushoi zogu të qetësohet, shiko me vemendje se çfarë do bëj.”
Në atë çast mësuesi përplasi duart: Baaam! Zogu u tremb nga përplasja e duarve të Mësuesit, fluturoi dhe, nëpër dritaren e hapur, doli i lirë.
“E sheh, nxënësi im, kur pushoi zogu, kur u qetësua, kur u kthjellua, atëherë e pa dritaren e vogël, që tërë kohën ishte e hapur. Kësaj i thonë zgjidhje e vetëdijshme. Kështu duhet të veprosh edhe ti.”

“Por unë kam njëmijë probleme!”

“E di dhe të kuptojë mirë, por më kupto edhe ti mua. Të gjithë njerëzit në botë dinë të hyjnë në probleme, sikur zogu, i cili hyri nëpër dritarën e vogël. Por shumica e njerëzve nuk dinë të dalin edhe pse gjithnjë dera e hyrjes është e hapur siç ishte dritarja e hapur për zogun. Pse? Sepse duan t’i zgjidhin të gjitha problemet përnjëherë, sikur ti, me vrull, me rrëmbim, pa qetësi e vetëdijësim.”

“E çfarë duhet të bëj unë?”

“Të qetësohesh, sikur zogu, i cili pushoi në këndin e vitrinës. Të pushosh, të kthjellohesh mirë, të të vijë drita në sy, apo më saktë drita në mendje dhe të bëhesh dritë e tërë, të jesh krejtësisht syçelë, sepse secili problem e ka derën për hyrje dhe, ajo derë e hyrjes është edhe derë e daljes. Dhe gjithmonë është e hapur.”

Burimi: Akropoli i Ri