Opera shqiptare “Mrika” u shfaq për herë të parë më 1 dhjetor të 1958 në qytetin e Shkodrës. Shkruar nga kompozitori Prenk Jakova kjo vepër operistike u interpretua në skenë nga artistë të njohur të kohës. Në ditën e lindjes së kompozitorit Prenk jakova, Teatri i Operës dhe Baletit risjell në vëmendjen krijimtarinë e tij. TOB ka publikuar dhe disa foto nga opera “Mrika” të atij viti, dhe shkruan se Prenk Jakova hodhi themelet e operës së parë shqiptare. “Prenk Jakova – 27 qershor 1917. Sot, në ditën e lindjes së kompozitorit Prenk Jakova, artistit që hodhi themelet e operës shqiptare, ju risjellim disa foto nga opera e parë shqiptare “Mrika”.

Opera “Mrika” u shfaq për herë të parë më 1 dhjetor të viti 1958 në Shkodër dhe në TKOB u realizua më 26 nëntor të vitit 1959, me libret të Llazar Siliqit, regji të Pandi Stillu dhe dirigjent Mustafa Krantja”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit. Për institucionin kjo vepër ruhet si një vlerë e rëndësishme e trashëgimisë operistike. “Në rolet kryesore interpretuan Marie Kraja, Jorgjia Velo, Lukë Kaçaj, Hysen Pelinku, Ibrahim Tukiçi, Avni Mula, Andromaqi Haderi, Rozmari Jorganxhi, Shpresa Nishani, Stavri Rafael, Zeqir Agolli. Një vepër e madhe, e cila ruhet sot si vlerë e rëndësishme e trashëgimisë sonë operistike”, shprehet TOB.

Prenkë Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar “Mrika”. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane. Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës, por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/