Një nga emisionet më popullore para çlirimit ka qenë “Ora gazmore”. Më 15 shtator të vitit 1945 (1), ditë e diel, ora 13. 00 pas një ndërprerje të gjatë ky emision nisi po aq sukses. Bërthamën e grupit krijues të këtij emisioni e përbënin Besim Levonja, Gjon Karma, Andon Pano, Behije Çela, Prokop Mima. Ky i fundit së bashku me Behije Çelën e Besim Levonjën, do të përbënin trion e famshme për atë kohë të mbiquajtur Coni, Ishja dhe Roma.

Shoqërimi muzikor i skeçeve, parodive, kupleteve dhe këngëve humoristike gjatë “Orës Gazmore”, bëhej nga muzikantët e rinj Llazar Morcka, Nesti Uçi, Koço Timko, Hysen Pelingu. “Orës gazmore” i mungonte krijuesi dhe frymëzuesi i saj Pjetër Gjini, i cili ishte larguar dhe transferuar në Shkodër.

Traditën e Pjetër Gjinit, të mbiquajtur Terini në vitet ’40-të e vazhdonte Besim Levonja, autor skeçesh, aktor, e më pas edhe shkrimtar i njohur i skenës së bashku me grupin e aktorëve të tjerë ku shquheshin, Behije Çela, që u bë bashkëshortja e tij, Prokop Mima, Mihal Popi, Andon Pano Gjon Karma në role të tilla të paharruara që i kemi përmendur dhe më sipër si Coni, Ishja, Roma, Latua, Beri, Tonja, Shuku, Paloka etj.

Më pas, në këtë emision interpretuan aktorë të tjerë të njohur si S. Pitarka, P, Gjoka, R. Zyberi, D. Pelingu, V. Manushi. Bashkëpunuan me pjesë letrare shkrimtarët e njohur, T. Miloti, Dubani, K. Jakova, S. Çomora, O. Grillo, redaktorët P. Nace, M. Deliu, M. Afezolli, orkestra e përbërë nga M. Uci, Ll. Morcka , A. Prodani, N. Maloku etj./ Përgatiti Albert Z. ZHOLI /Telegraf.al