Historia e njërës prej ndërmarrjeve më të mëdha të industrisë mekanike që u themelua nga italianët dhe përfundoi në shkritoret malazeze. Si u arrit të prodhohej 800 ton çelik cilësor në vit. Kapaciteti dhe prodhimtaria. A mund të shpëtohej gjiganti i Shkozetit, ku ushqeheshin mbi një mijë familje durrsake.

Në vendin ku sot gjendet fonderia e Shkozetit, deri 20 vite më parë ushtronte aktivitetin Ofiçina e Remontit të Makinerive të Ndërtimit. Banorët e qytetit të Durrësit si dhe të punësuarit e njohin këtë ndërmarrje me emërtimin e shkurtuar ORMN. Më të ka qenë e lidhur për vite e vite me radhë jeta dhe ekonomia e shumë qytetarëve të cilët merrnin autobusin e linjës për të përshkuar 4 kilometrat që ndajnë qytetin e Durrësit nga zona industriale ku ishte vendosur ofiçina. ORMN ishte instaluar pikërisht në truallin e fonderisë së sotme e cila është shndërruar në një problem pa zgjidhje për jetën e banorëve, por asokohe gjërat ishin krejt tjetër.

Gjiganti i Shkozetit

ORMN ishte një nga kantieret e mëdha të mekanikës, me ndikim në ekonominë e vendit. Ajo qe madje më e madhja dhe më e vlefshmja në të gjithë atë zonë industriale të Shkozetit në Durrës. E ndërtuar para çlirimit të vendit, ORMN shtonte vit pas viti numrin e reparteve, ndërsa për shumë specialistë të mesëm e të lartë u bë edhe një filial shkencor i përgatitjes dhe kualifikimit. Më shumë se 1000 të punësuar kanë mbajtur ekonomitë e tyre familjare në sajë të punës së përditshme në këtë ndërmarrje. Në ORMN u arrit të prodhohej 800 ton çelik cilësor në vit dhe sasi të mëdha bronzi, alumini apo metale të tjera. Në çdo muaj specialistët mundnin të kryenin riparimin e jo më pak se 10 ekskavatorëve, 25 traktorëve, 10 bjellorusëve, shitjen e përmuajshme të 30-35 pompave hidraulike apo prodhimin e 20 copë reduktorëve. Kantieri i madh kishte zënë vetëm me repartet e veta më shumë se 5 hektarë, ndërsa së bashku me magazinat, parkingjet, zyrat e administratës e lokalet e tjera ndihmëse, sipërfaqja ishte edhe 2-3 ha më e madhe. Pas vitit 1990, ashtu si shumë ekonomi të tjera, u përfshi në proceset e kohës. Sot asnjë nga repartet e mëparshme nuk është më në gjendje pune. Pothuajse e gjithë ofiçina është shpërbërë duke mos mbetur as edhe gjurmët e dikurshme. Ing Jorgji Kazanxhi, ish-drejtori që e njeh shumë mirë strukturën e ndërtimit të ORMN-së dhe prapavijën e saj, ka jo pak vërejtje duke thënë se një pjesë e reparteve ishin të destinuara të mbylleshin, ndërsa të tjerat mund të transformoheshin e përshtateshin, ose të vijonin si të tilla aktivitetin e riparimit apo prodhimit.

Mbi një mijë punonjës

Në vitin 1980, kohë kur drejtimin e ndërmarrjes e mori ing. Jorgji Kazanxhiu numëroheshin më shumë se 1000 punëtorë dhe qe kombinati më i madh në Durrës. Kantieri punonte me tre turne duke kryer procese në zinxhirë. ORMN kishte fonderinë e derdhjes së gizës, çelikut dhe metaleve me ngjyrë, repartin e traktorëve dhe motoristëve, atë të ekskavatorëve, repartin rigjenerimeve, repartin e riparimeve të bjellorusëve, repartin e prodhimit të pompave hidraulike, atë të përpunimit të hekurit e llamarinës si dhe shumë nënreparte të tjera të cilat riparonin krahët, rulat, zinxhirët, karretat etj. Kazanxhiu tregon se ORMN nuk shërbente vetëm për meremetim e riparim, pasi në të prodhoheshin vagonë, distilatorë për ndërmarrjen e pyjeve, kontravalvula të fuqishme dhe të kapaciteteve të mëdha për hidrovorë, pompa hidraulike etj. Rreth viteve ‘80 të shekullit të kaluar Durrësi kishte 50 ndërmarrje të industrisë mekanike. Të gjitha kishin sytë nga uzina mekanike e Shkozetit e cila u jepte atyre lëndën e parë si dhe kursente firot. Në sajë të nxitjes së punës krijuese në ORMN u krijua edhe furra e re elektrike me teknologji gjermane. Kazanxhiu kujton se sekreti punës novatore nuk ishte furra, por gjeneratori. Fonderia në këtë kombinat të madh kishte laborator që shërbente për të nxjerrë me përpikmëri cilësinë dhe markën e gizës, çelikut, bronzit. Certifikimi nga laboratori ishte shumë serioz dhe me përgjegjësi të madhe. Fonderia ndizej më së shumti dy herë në javë ndërsa ndotja e mjedisit ishte shumë e vogël edhe për faktin se në atë kohë nuk kishte banesa pranë fonderisë dhe kishte vetëm një oxhak.

Kapaciteti

Si ndërmarrje ORMN bënte prodhimin e pjesëve të këmbimit, riparim të traktorëve, ekskavatorëve e bjellorusëve dhe derdhje. Në repartet e saj riparoheshin deri në 40 pompa ekskavatori në harkun kohor të një muaji. Mekanika përballonte riparimin e 10 ekskavatorëve në muaj, 23 traktorë apo 7-10 bjellorusë. Kova e ekskavatorëve ishte e përmasave të ndryshme: 1 m3, 0,5 m3, 0,4 m3 etj. Reparti mekanikës kishte 200 makineri metal prerëse prej të cilave 50 ishin torno që punonin ditë e natë me kapacitet të plotë. Përvoja e fituar dhe rritja e kërkesave në tregun e brendshëm bëri që ORMN të mendonte të zgjeronte aktivitet. Pas vagonëve për fabrikat e tullave, filluan të prodhoheshin susta karretash 16 mm, këmisha, piston, ingranazhe e shumë të tjera të gjitha për mekanikën kryesisht atë të bujqësisë. Në repartet e kombinatit të madh dhe plot zhurmë e punë nuk kishte brigadë për përpunimet termike, ndërsa në laborator kryheshin edhe analiza kimike. Tek reparti pompave procesi ecte vrullshëm. Më shumë se 30 pompa hidraulike shiteshin si pjesë këmbimi, ndërsa po në Shkozet bëheshin edhe riparime të pompave të cilat vendoseshin në puset e thella të minierave të kromit. Në Shqipëri reparti i riparimit të pompave në Shkozet ishte i vetmi. Ing. Jorgji Kazanxhiu tregon se kujdesi dhe vëmendja ishin të mëdha pasi këtë repart e kishin “si dritën e syve” shumë ndërmarrje, miniera, ujësjellës, si dhe ujërat e bonifikimi”. Drejtori Kazanxhiu tregon më tej se në një vit ORMN prodhonte në fonderinë e saj plot 800 ton çelik në një vit duke realizuar jo pak nga kërkesat e ndërmarrjeve të shumta mekanike. ORMN në Shkozet nuk bënte presim, pasi këtë proces mund ta kryente vetëm Uzina e Çelikut në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan dhe ai i Autotraktorëve në Tiranë.

Për shkak të cilësisë dhe standardit në riparime, Shkozetit nisën t’i vinë kërkesa për riparim edhe nga minierat në veri të vendit. Kjo e zgjeroi hartën dhe gjeografinë e shërbimeve që ofronte ndërmarrja e Shkozetit. Por edhe ujërat e bonifikimi në Fier, Elbasan, Sarandë kishin kontrata të rregullta për riparime kryesisht të pompave duke bërë që kapaciteti i shërbimit të ORMN-së të rritet. Krahas këtyre shërbimeve, në sajë edhe të shtimit të inxhinierëve në grupin e projektimit dhe të drejtimit teknik e novator, ndërmarrja prodhoi distilatorët për shërbimin e pyjeve e kullotave në zonat malorë ku kishte breza dhe masive të mëdha me pisha. Kjo pajisje shërbente për mbledhjen e rrëshirës nga pishat, nga ku nxirrej esenca. Repartet e posaçme prodhonin ruspa të standardeve të larta për bonifikimin, ujërat, rrugët, minierat dhe duke garantuar cilësinë. Jazanxhiu e cilëson të rëndësishëm edhe funksionin e makinerisë së elektroimpulsive, e cila kthente pjesët e amortizuara thuajse në gjendjen të mëparshme. Kjo makineri mbushte e rigjeneronte akset, ingranazhet dhe materialet e tjera, duke i mbushur fillimisht dhe më pas duke i dhënë dorën e rigjenerimit të plotë.

Gjatë një muaji prodhoheshin mesatarisht edhe 20 copë reduktorë që përdoreshin për qëllime industriale. Kapacitetet prodhuese, rigjeneruese e riparuese të ORMN-së ishin të mëdha. Gjithçka shfrytëzohej. Ing. Kazanxhiu tregon se prej shumë e shumë vitesh në oborrin e ndërmarrjes ishte krijuar një masiv me qindra tonë material skarco, mbeturina të cilat u gjykuan të pavlefshme. Vendosëm t’i hiqnim që andej. “Gjatë kohës së largimit të tyre kemi gjetur ingranazhe, zinxhirë, pistonë, pompa apo këmisha të cilat ishin hedhur në grumbull jo se nuk bënin, por se ishte zëvendësuar i tërë blloku. Ne i rifutëm në punë duke lënë në stok vetëm ciflat apo material që nuk ricikloheshin.” 

HISTORIA

Ndërmarrja që u themelua nga italianët

Në vitet 1940 italianët ndërtuan ofiçinën në Shkozet për të kryer riparimet e domosdoshme të makinerive të rënda që gjendeshin në terren. Bëhej fjalë për makineri të ndërmarrjeve rruga-ura, të fabrikave e punishteve apo edhe të mjeteve të ndryshme të transportit. E krijuar si shoqëri italiane, ndërmarrja nisi të funksionojë mjaft mirë duke mbajtur gjallë edhe sektorë të tjerë. Shoqëria italiane kryente riparime të makinerive të ndërtimit, të traktorëve, ekskavatorëve etj. Pas çlirimit, me largimin e italianëve, ofiçina nuk e pushoi aktivitetin e saj. Madje ajo u bë edhe më e pushtetshme duke u ndarë disa herë në reparte të shumta si dhe duke hapur reparte të reja në shërbim të mekanikës dhe jo vetëm kaq. Fillimisht u emërtua ndërmarrja rruga-ura dhe më pas ndërmarrja e bonifikimit dhe ujërave. Ofiçina riparonte, por shërbeu edhe për shfrytëzim. Me kalimin e viteve kjo ndërmarrje u nda në ORMN, bonifikim, ujëra, NSHMN, fabrikën e oksigjenit dhe deri në ndërmarrjen kimike. Reparti oksigjenit u krijua në saj të novatorizimit dhe punës së kualifikuar të Xhevdet Lazes i cili mori përsipër edhe ecurinë e repartit. Furnizuesi kryesor për ofiçinën ishin makineri të rënda si traktorë, ekskavatorë, bjellorusë, staliniesë të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik. Nevoja për riparimin e këtyre mjeteve rriti interesimin për fuqizimin e ndërmarrjes e cila kishte reparte të cilat ishin të vetmet në llojin e vet në të gjithë Shqipërinë.

Dikur krenaria e industrisë, sot ndotje e Shkozetit

Jorgji Kazanxhiu deri në fillim të viteve ‘90 ka qenë drejtor i kësaj ofiçine, i atij kantieri të madh që kishte të punësuar qindra punëtorë e specialistë. Ai tregon se deri në vitet e pushimit të aktivitetit të kësaj ofiçine, rrotull saj nuk ka pasur asnjë ndërtim, ndërkohë që sot banesat janë ngjitur me murin rrethues të fonderisë

Ndërmarrja kishte shumë të punësuar, ndërsa të gjitha proceset drejtoheshin nga specialistë shqiptarë. A kishte vështirë organizimi dhe realizimi të detyrimeve të asaj kohe?

E cilësuam edhe më sipër se në kohën që unë mora drejtimin e ndërmarrjes, ORMN numëronte më shumë se 1000 të punësuar. Fillimisht numri specialistëve me arsim të lartë ishte relativisht i paktë, më pas u shtuan. Ishim gjithsej 17 inxhinierë mekanikë, ndërtimi, projektimi, kimikë. Konsultoheshim në bazë të një grafiku të rregullt. Kishim të gjitha informacionet dhe të dhënat e përditshme. Vendimet ishin çështje të rëndësishme pasi kishin të bënin me ecurinë e ndërmarrjes. Unë vija nga një arsim i mesëm e i lartë shumë i kompletuar. Po ashtu edhe pjesa e byrosë teknike të ndërmarrjes. Pas vitit ’45, në ndërmarrje nuk kishte më asnjë specialist të huaj, kështu që procesi i kualifikuar drejtohej nga inxhinierë shqiptarë. Kjo e shtonte përgjegjësinë por edhe përkushtimin. Filiali i Durrësit na dha një tjetër shtytje. Aty përfunduan studimet shumë nga inxhinierët që më pas do të drejtonin reparte e brigada. Objektivat duheshin realizuar nëse ishin shpallur. Ndihmesë jo e vogël ka qenë edhe biblioteka brenda në ndërmarrje, e cila ka qenë e pajisur me manuale, albume, tekste akademike, material të ndryshme tekniko-shkencore të cilat shfrytëzoheshin shumë. Aty gjenim material për të njohur deri në detaje traktorin, ekskavatorin, bjellorusin, apo edhe se si mund të bëhej një riparim e meremetim. ORMN ka pasur fatin të drejtohet nga njerëz që e kanë dashur punën, që e kanë dashur ekonominë. Unë, në kohën që e mora këtë ndërmarrje shumë të madhe, ndër më të mëdhatë jo vetëm në Durrës, por në Shqipëri, gjeta gatishmërinë e veçantë të përgjegjësve, laborantëve, inxhinierëve, teknologëve, kimistëve. Pra, nuk mendoj se ka qenë shumë e vështirë për ta drejtuar këtë ndërmarrje. Pastaj aty gjeta edhe punëtorë, mekanikë, tornitorë shumë të zotë. Dua t’u them se në ORMN kanë shërbyer e punuar për një kohë të gjatë pesë Heronj të Punës Socialiste. Këtë titull një pjesë e tyre e kishin marrë më parë, të tjerë e morën për shkak të rezultateve të larta. Kanë kaluar disa vite dhe nuk është se e kam të lehtë të kujtoj emrat. Saktësisht me kujtohen emrat por jo edhe mbiemri. Megjithatë dua të them se me ORMN është e lidhur jeta dhe profesionalizmi i Ramazan Ferrës, Stefan Stavrit, Xhevdet Lazes e Anastas Filos, Heronj të Punës Socialiste e mijëra të tjerëve.

Ku e siguronit lëndën e parë për repartet e ofiçinës?

Në shumicën e rasteve, malli për lëndë të parë vinte nga kombinati metalurgjik i Elbasanit. Atje furnizoheshim. Po të flasim me gjuhën e shifrave, rreth 99 për qind e sasisë merrej në Elbasan. Çeliku ishte disa llojesh pasi përdorej në ndërtim, mekanikë, riparime etj. Ndryshe qëndronte puna me gizën, bronzin, aluminin. Të gjitha këto merreshin jashtë vendit. Duke qenë se thuajse e gjithë ORMN varej nga malli i tregut vendës, edhe obligimet qenë më të mëdha. Ne e realizonim planin. Në dhjetë vite drejtim unë kam marrë një herë në dy vite shtesë mbi pagën që jepej për tejkalim të planit. Kishte reparte që nuk ecnin me ritmet e duhura për arsye të ndryshme, por kishim edhe reparte me tejkalim e këto kompensonin mosrealizimet. Traktorët, bjellorusët, ekskavatorët dhe makineri të tjera merreshin nga jashtë. Kryesisht ishin sovjetike, kineze, çeke, polake, gjermane, italiane etj. Ne u zgjasnim jetën atyre. Edhe sot ka sa të duash në ara traktorë të asaj kohe që kanë kaluar për riparim në repartet e ORMN-së. E rëndësishme ka qenë për jetëgjatësinë cilësia e lëndës së parë, por edhe kriteret teknike të riparimeve. Furnizimin e merrnim edhe në uzinën e autotraktorëve në Tiranë. Nuk kishte ndonjë etje për mallra të importit, sidomos të çelikut.

Ndërmarrja sot nuk ekziston më. Mendoni se mund të mbijetonte në ekonominë e tregut?

Unë kam mendimin tim por kam dëgjuar në këto 20 vite edhe gjykime që më së shumti ishin subjektive apo emocionale. Mendoj se ndërmarrja nuk mund të mbijetonte për shumë e shumë arsye në atë strukturë që ishte deri në vitet 1990. Por me këtë nuk dua të them se çdo gjë e ndërmarrjes duhej të shkonte për skrap. Konkretisht. Më sipër ne thamë se ORMN kishte rreth 200 makineri metalprerëse. Makineritë ishin të gatuar me çelik special dhe në gjendje shumë të mirë. Sot tregu ka shumë nevojë për riparime të ndryshme dhe në jo pak raste këto makineri mund të shërbenin për të riparuar apo prodhuar pajisjen e duhur. Sigurisht që ndërmarrja nuk do të kishte atë numër të madh të punësuarish, ndërsa tornot do të mbanin në aktivitet shumë mekanikë të zotë. E kam të vështirë ta kuptoj se si makineritë metalprerëse shkojnë në Malin e Zi apo në vende të tjera si skrap. Nuk duheshin lejuar të kalonin për skrap, pasi kanë qenë në gjendje shumë të mirë pune. Sot edhe një bulon të thjeshtë duhet ta blesh nga importi në një kohë që mekanika bujqësore, por jo vetëm ajo, kishte sa të duash mundësi të riparonte makineritë e pajisjet e saj në këtë ndërmarrje.

Sot ka mbetur vetëm fonderia e cila është bërë shqetësim për banorët e lagjes për shkak të ndotjes së madhe. A ishte i njëjti shqetësim edhe atëherë?

Jemi në të tjera kushte sot. Ndotja ka pasur edhe atëherë, ka edhe sot, por me një dallim. Së pari furra e shkrirjes së metaleve me ngjyrë kryente procesin e saj jo më shumë se 2 herë në javë. Së dyti tymi ikte lart ndërsa ajo pak blozë që binte nuk prekte banesat pasi rrotull ndërmarrjes nuk ishte lejuar të ndërtohej deri në një rreze të caktuar. Por kishte edhe shumë kontrolle, shumë kujdes dhe matje. Kam dëgjuar vazhdimisht për ankesat e banorëve që jetojnë pranë fonderisë. Ata kanë të drejtë, por zgjidhja nuk po afron. Në kushtet e sotme, mjafton të merren filtra për t’i vendosur në oxhaqet e lartë si dhe të mos abuzohet me procesin dhe gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Për situatën kanë përgjegjësi të gjithë, që nga qeveria e bashkia e Durrësit, deri tek agjencia e mjedisit apo edhe vetë pronarët e fonderisë. Jam i sigurt se niveli ndotjes aty është disa herë më i lartë sesa normat e lejuara. Ndikimi në shëndetin e njerëzve janë të drejtpërdrejta. Më shumë e vuajnë ata që kanë probleme me mushkëritë e astmën, rrugët aspiratore apo gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Duhet gjetur një rrugë, një mundësi për të shmangur ndotjen e madhe nga fonderia.

/portali DurresLajm/