Regjisori i njohur tregojnë vitet e shumtë të njohjes dhe punës me këngëtaren e famshme.

E mban mend momentin e parë kur je ndeshur me të?

“Unë jam njohur me Vaçen në festivalin e 11-të. Kam qenë saksonist në një formacion të Aleksandër Lalos dhe aty jam njohur me Vaçen. Për disa festivale kam qenë regjisor, pikërisht në atë periudhë kur kishte filluar edhe ana televizive. Shtatë festivalet e para janë bërë në radio. Po të shohësh, veç një kronike të festivalit të 11-të nuk ka më kronika”.

Çfarë ndjesie të dha Vaçja në takimin e parë?

“Ajo ishte një personalitet i shkëputur edhe si vokal, edhe nga vinte e ku rrinte. Nëse ne rrinim me njëri-tjetrin, Vaçja nuk ishte në këtë turmë. Vaçja vinte me jakën e ngritur, flokët e gjatë dhe me elegancë dhe bënte prova në orarin e saj, përshëndeste dhe ikte. E gjithë kjo vajzë, kur punonte me kompozitorët dhe poetët në studio, ju nxinte jetën”.

Kush e mësoi Vaçe Zelën të këndonte?

“Ajo kishte talent të lindur, një vokal të lindur, sepse në shkollë mësohet ana teknike. Ajo u lind dhe u rrit në Lushnje dhe ra në sy menjëherë. Më pas erdhi në Estradën e Ushtarit. Gjatë kohës që ishte në Tiranë është njohur me Agim Krajkën në një mbrëmje vallëzimi. Krajka i binte fizarmonikës dhe Vaçja këndonte. Aty Agim Krajka i thotë që do të shkruaj për ty dhe shkruajti këngën “Lemza”, me tekst të Haxhi Ramës në Festivalin e parë. Vaçja erdhi në atë periudhë kur pasioni i saj u bashkua me pasionin e dhjetra të tjerëve për të ndërtuar institucione kulturore.

Pra sapo Vaçja u shfaq si këngëtare e madhe, atëherë u shfaqën edhe shumë emra kompozitorësh, të cilët thanë se do të organizojmë festivalin e parë. Ky festival u bë në radio, në Institutin e Arteve, ku drejtonte Margarita Xhepa dhe Luigj Gurakuqi. Me formimin e kësaj fryme u ngritën disa formacione të vegjël, në njërin prej të cilëve ishte edhe Agim Krajka. Ishte edhe Orkestra Simfonike me pak njerëz. Filloi të ndërtohet Teatri i Operas, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, Instituti i Lartë i Arteve. Pra që të ngrihej jeta koncertale. Vaçja ishte fryma që e gjeti koha për të sjellë gjëra interesante dhe nga më të bukurat, duke parë edhe se çfarë prodhon bota. Nëpërmjet radios ne ishim rritur edhe me Sanremon”.

Pra ju ishit frymëzuar nga kjo kulturë?

“Atëherë e panë si organizohej dhe u mendua të ndërtojmë edhe ne një festival. Ai i pari mund të kishte edhe disa plagjatura në krijimtari. Edhe i dyti erdhi me këtë formë dhe Vaçja ndoqi pistën e muzikës së lehtë, por të këngës ritmike dhe me melodi. Ajo doli me “Djaloshi dhe shiu”. Të mos harrojmë se vitin e dytë u këndua “Ndrisni llampa neoni”. Pas festivalit të dytë që u kritikua, filloi një tjetër logjikë. Pra filloi të politizohej festivali dhe nisi një sitë për të programuar gjithçka. Nuk ishte më përzgjedhja e Vaçes në këtë stil që nisi. Ajo merrte çmimin e parë, por këngët ishin edhe për ngjarjet politike”.

Si rrodhën këto festivale?

“Dy festival janë kritikuar shumë, ai i dyti dhe i 11-ti. Mes tyre ka patur një stinë festivalesh me këngë ndryshe, ndoshta një gjysëm festivali të imponuar. Platforma e festivalit shkonte që në qershor në Komitetin Qendror. Megjithatë lindën këngëtarë, kompozitorë dhe orkestratorë shumë të mirë. Nëse do të flasësh për Vaçen, atëherë duhet të flasësh për Agim Krajkën, Avni Mulën, Agim Prodanin, Tish Daian, Ferdinand Dedën, Limos Dizdarin dhe shumë të tjerë. Ardhja e Vaçes ua rriti edhe nivelin kompozitorëve dhe poetëve”.

Sa ndikoi Vaçja te kjo?

“Ajo ishte interpretuese dhe në piacën e madhe të artit, Vaçja ishte kapitene e ekipit. Ajo ishte këngëtarja numër një. E dinte ajo, e dinim edhe ne. Megjithatë ajo nuk luajti kurrë rolin e këngëtares numër një. Ajo punoi sikur të dilte për herë të parë në festival”.

Pse ndodhte kjo?

“Vaçja  nuk e merrte tekstin sot dhe të dilte nesër në skenë. Ajo punonte një muaj, sepse e dinte si vjen suksesi, e dinte çfarë do publiku dhe njihte shumë mirë raportin skenë-sallë. Ajo dinte se si duhej qëruar fjala që në vargun e parë. Vaçja është një këngëtare që nnë vargun apo strofën e parë është duartrokitur. E gjitha vinte nga zgjuarsia e saj dhe nga mendimi se si hidhte fabulën në skenë”.

Foto arkive, te kengetares Vace Zela "Nderi i Kombit", e cila u nda nga jeta ne moshen 75 vjecare, pas nje semundje te rende ne Basel te Zvicres.

Pra veç talentit, ishte edhe puna e saj?

“Ajo të ndryshonte 5 herë refrenin e këngës. Kompozitorët tregojnë se si e kërkonte këngën”.

(Intervista u realizua nga Jonida Shehu për emisionin “Natën vonë” në “Ora News”)