Edith Durham e quan Korçën qytetin më të pastër të perandorisë osmane. Fotot e rralla të misit të parë në Shqipëri që u zhvilluan në Korçë

Ka disa variante pse Korça u quajt Parisi i vogël. Disa e lidhin me datën 22 tetor 1916, kur ushtria franceze hyri në Korçë. Ka të tjerë që mendojnë se e mori emrin nga hapja e liceut francez ose kjo shprehje u huazua nga vetë francezët. Disa mendojnë se kjo shprehje lindi nga nostalgjia që kishin parizienët ndaj qytetit të tyre, e shumë e shumë hipoteza të ndryshme. Edhe ngritja e kullës “Eifel” në qendër u ngrit me këtë qëllim. Por ka dhe nga guximtarë që thonë se ky emër erdhi dhe nga fakti që në Korçë gjatë pushtimit francez kishte pesë shtëpi publike. Të gjitha janë hipoteza të pavërtetuara, por Korça kishte me të vërtet tiparet e një qyteti europian…

Ideja e Edith Durham

Shkrimtarja dhe studiuesja e madhe angleze do e vizitonte Korçën në vitin 1904. Vlerësimet e saj për këtë qytet  ishin kaq të magjishme, sa banorët mbetën të lumturuar. Puna ishte se Korça u bë një rrugë tregtare që në vitet 1644 sepse porti i Durrësit ishte mbyllur dhe të gjithë udhëtarët bënin rrugën Elbasan-Korçë-Sojadhë-Korfuz-Venedik. Në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale, zejtarie dhe shisnin stofra të sjella nga Venediku. Sipas shumë dokumenteve të vitit 1712, banorët e Voskopojës kishin shkuar tek mjeshtrat e Kazasë së Korçës ku kishin mësuar zejet e rrobaqepësisë, këpucarisë dhe farkëtarisë. Qyteti pra tregonte një lulëzim të admirueshëm.

Kështu pra Korça nisi të bëhej rivale e tregjeve të tjera, aq sa konsulli i Austrisë në Janinë, albanologu Han do shkruante  “…Tani në kohët e fundit po bëhet Korça që është në lulëzim e sipër, një konkurrent i rrezikshëm i Janinës përsa i përket tregtisë me viset e veriut…. Pozita e saj, ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, është shumë e përshtatshme për tregtinë, ndaj tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”.  Ndërsa sipas Karmicit, “Korça është depoja natyrale e Selanikut dhe e Stambollit dhe pjesërisht e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale dhe natyrale të Evropës e të kolonive siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj, në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”.

Edith Durham: Korça qyteti më i pastër i Perandorisë turke

“Ndërsa Ohri është ende mesjetar, shkruan Edit Durham. Korça është e qytetëruar. Në shkollën shqipe të vajzave m’ u bë një pritje shumë e ngrohtë. Shkolla ishte aq “moderne”, sa m’ u duk sikur befas isha kthyer prapë në Evropë. Është e vetmja shkollë në të gjithë Shqipërinë e Jugut ku fëmijët shqiptarë lejohen të mësojnë shkrim e këndim në gjuhën e tyre amtare. Në shkollë përdoret alfabet i veçantë i shqipes dhe jo ai latin”. “…Me qenë se Korça është një nga qytetet që Greqia kërkon ta aneksojë, dhespoti grek i Korçës është kundër mësimit të gjuhës amtare.

Kurse shkolla e vajzave deri tani i kanë bërë ballë çdo furtune, sepse është nën mbrojtjen e austriakëve dhe amerikanëve”.  “…Korçarët më pritën shumë mirë dhe u entuziazmuan me planin tim për udhëtimet me kalë nëpër Shqipëri. Familjet ku shkova ishin të gjitha shqiptare, shtëpitë ishin të rehatshme dhe të rregulluara me shije”.  Edit Durham kishte dhënë në librat e saj dhe vlerësimet e famshme për qytetin e Korçës, të cilat kanë mbetur të paharruara: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qenë e plehra nëpër këmbë…”.

Korça e qytetëruar

Ky qytet do të dallohej për shumë veçansi. Korça do të ishte qyteti i parë që kishte mjek që nga shekulli XIX. Do funksiononte një barnatore dhe që në atë kohë mendohej për ndërtimin e një spitali dhe ngritjen e një tipografie ku mendohej të botoheshin autorët klasikë. Korça do të dallohej jo vetëm për traditën por do e meritonte këtë emër edhe për kulturën qytetare që kishte në vetvete.

Femrat korçare kanë qenë gjithë kohën të emancipuara dhe Konica.al ka siguruar foton e një kafeneje ku femrat uleshin me burrat që në vitin 1927. Por jo vetëm kaq. Lëvizjet feministe në Korçë kanë qenë me të vërtet të lavdërueshme dhe për faktin se femrat u shkolluan qysh herët, për shkak të emigracionit por dhe traditës arsimdashëse. Për herë të parë në këtë qytet është zhvilluar një garë bukurie dhe i takon viteve 30-të,  zgjedhja e misit të parë korçar që tregon se ky qytet ecte me hap galopant drejt zhvillimit dhe qytetërimit duke e dalluar nga të gjitha krahinat e tjera, ku lëvizja për emancipim ishte me të vërtet shumë problematike./Konica.al/