Këto fotografi të rralla nga Shqipëria datojnë në vitet 1924–1928. Ato janë realizuar nga botanisti gjerman, Fridrih Markgraf i cili kreu disa udhëtime shkencore në Shqipëri, ku studioi dhe mblodhi bimët e vendit. Më pas këtë foto janë risjellë dhe publikuar nga studiuesi Robert Elsie. “Në vitet 1924-1928 në emër të Kopshtit Botanik të Berlinit, botanisti gjerman, Fridrih Markgraf (1897-1987), kreu disa udhëtime shkencore në Shqipëri, ku studioi dhe mblodhi bimët e vendit.

Rezultatet e punës së tij shkencore dolën në disertacionin An den Grenzen des Mittelmeergebietes: Pflanzengeographie von Mittelalbanien (Në kufijtë e Mesdheut: gjeografia e bimëve të Shqipërisë qendrore), Berlin 1927, i cili doli në një version të zgjeruar me titullin Pflanzengeographie von Albanien (Gjeografia e bimëve të Shqipërisë), Shtutgart 1932. Në vëllimin Pflanzen aus Albanien, 1928 (Bimët e Shqipërisë, 1928), Vjenë 1931, shënoi edhe emrat shqip të bimëve të mbledhura.

Në vitet e mëvonshme punoi si drejtor i Kopshtit Botanik të Mynihut. Me interes më të përgjithshëm është udhërrëfimi i tij In Albaniens Bergen (Në Malet e Shqipërisë), Shtutgart 1930, me shumë fotografi, të paraqitura këtu-, shkruan Elsie.