Pandi Raidhi
Pandi Raidhi

E kanë pagëzuar si ikonë të batutës. Përcjellja e së cilës të bënte menjëherë për vete duke e parë botën me më shumë gaz. Ata që e njohën shprehen se ishte fat ta njihje. Jo shpesh ndodh që një njeri të karakterizohet nga kaq të mira bashkë. Jo të gjithë të falin entuziazëm, optimizëm, të dëgjojnë me dashamirësi dhe qetësi. Prej këtij kuarteti kaq të harmonishëm, ti fiton shumë cilësi. Bëhesh e dashur! E sjellshme. Kështu ai fitoi zemrën e atyre që e rrethonin dhe më pas të gjithë shqiptarëve. Ishte e pamundur të ishe aq i natyrshëm, aq modest, aq i dashur jo vetëm në jetë, por dhe në profesion, duke ledhatuar çdo rol e duke i përçuar të gjitha këto cilësi nga televizori. Ai që mblidhte gjithë familjen për të ndjekur filmat e tij.

Quhej Pandi Raidhi.

Lindur në qytetin e Korçës, më 14 prill të vitit 1921, ai do të kalonte një fëmijëri të lumtur. Do të bëhej pjesë e luftës Nacional Çlirimtare pas shkollës së mesme dhe më 1937 do të niste jetën e artistit. Një prej atyre aktorëve të rrallë që e jetoi epokën e mirëkuptimit nga opinion publik. Mbi 200 role interpretuar në gjysmë shekulli karrierë. ‘’Tana’’ në vitin 1958, do të ishte prezantimi i tij i parë në një rol kinematografik, duke nisur kështu vijueshmërinë absolute të një aktori me një spikamë e ritmikë sa emocionale aq dhe racionale.

Me një mister në sjellje aq të qetë karshi njerëzve, me një forcë të brendshme gjenetike e krijuese që i buronte prej shpirtit e që i mishërohej në çdo tekst apo gjest tek të gjithë personazhet që ndërtoi.

‘’Një aktor që më ka pëlqyer ka qenë veçanërisht Pandi Raidhi i Korcës. Një mjeshtër i karaktereve me një intuitë të jashtëzakoshme. I talentuar qysh nga lindja. Një shfaqje që më vjen ndërmend quhet HIJET E NATËS, drama e njohur e VEDAT KOKONËS. Ai shkëlqeu!’’ – shkruan Pirro Mani, duke kujtuar sukseset që i fali Korça në detyrën e regjisorit dhe ndihma reciroproke mes tij dhe një aktori si Pandi, për realizimin e gjithë tablosë përgjegjëse në film dhe teatër.

Ndërsa aktorja Liza Laska përgjatë një interviste thekson: “Kam patur fat, se kam patur shumë role të mira falë partnerëve brilantë. Pandi Raidhi ishte kryesor. Ka qenë i vecantë. Nuk kam ndier lodhje kurrë. Kemi bërë shumë punë jo vetëm në qytet, por dhe në fshat. Madje mbaj mend që kemi shkuar një herë në një fshat katër orë në këmbë. Shkonim në shkolla që jepnim shfaqje. Ne na çuan për të fjetur në një familje që kishte katër fëmijë, i kishte vdekur burri dhe kishte vetëm një krah pune.

Kur po hanim, fëmijët na shikonin në sy. Më thotë ajo shoqja ime, shikoji fëmijët si po e shikojnë vezën. Na bënë përshtypje ata fëmijë, fukarallëk. Por kam të fiksuara edhe episode të tilla, Në një fshat tjetër që Pandi Raidhi ishte hoxhë dhe unë isha familja e krishtere. Ishte problemi i feve në këto role. Mirëpo ishte koha që ishin prishur kishat dhe xhamitë. Influencat bënin punën e tyre, pasi ishin prishur kishat e xhamitë, por jo në zemrat e njerëzve, na kanë qëlluar me gurë në atë fshat”.

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Gjithashtu, në nder të tij, Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.

Filmi “Përballimi”, prodhim i vitit 1976, ekranizoi romanin e Teodor Laços. Një prej dialogjeve që mbahet mend është dhe ai me Klean që i thotë:

  • Thonë se vetmia i afron njerëzit.
  • Jo, ti nuk e ke keq, po unë s’kam para mënjanë, moj zemër.
  • Po na mjaftojnë ato që ke, Platon, pa më tej ka Perëndia.
  • Po mua më duhen shumë.
  • Pse?
  • Që të blej zinxhira.
  • Po pse ç’i do këto zinxhira.
  • Të të lidh ty. Se ti nuk rron dot vetëm me një burrë.
  • Uuu, ç’burrë i poshtër.
  • Jo, jo, nuk jam i poshtër. Por jam i mençur!

Gjithashtu, batuta të tjera të famshme janë: ‘’Qeveria, lepurin e kap, por jo ujkun. Ai kushedi se ku bredh me kalë’’, ‘’Nga na ngjave kështu, o i biri Shemes’’, ‘’I qëllon qytetit dhe nga një bajgë’’, ‘’ Mos qaj, o bir, mos qaj, se nuk i dilet me të qara’’.

Janë të shumtë filmat e tij. Filma me skena ku ai përplas të vërtetën në pasqyrën e shembëllimit të jetës. Natyral, i saktë, me një talent të befasishëm.

Njerëz në rrymë-(1989),
Familja ime – (1987) ….Tasi,
Përsëri pranverë – (1987)…Xha Tasi, Rrethimi i vogël – (1986)…shoku Meti, Duaje emrin tënd – (1984)…Thomai,
Kush vdes në këmbë – (1984)…Prifti i fshatit,
Nëntori i dytë – (1982)…Demir Arbana, Shoqja nga fshati – (1980),
Partizani i vogël Velo- (1980)…Bani i Dukes, Agimet e stinës së madhe-(1981)..Sharko Sheqi,
Liri a vdekje – (1979)…Çarçani,
Ne vinim nga lufta – (1979),
Flamur në dallgë -(1977)(TV),
Përballimi -(1976)…Pllaton Burbuqi, Monumenti – (1976)…Llambro Leka,
Tokë e përgjakur – (1976),
Zonja nga qyteti -(1976)…Xha Bakoja,
Beni ecën vetë – (1975)…. Xha Thomai, Rrugicat që kërkonin diell – etj.

Do të ishte 18 korrik 1999 kur u nda nga jeta, duke lënë pas, krahas të tjerave, dhe larminë temporitmike të qindra personazheve të cilat dhe sot kur i shohim arrijnë të na përplasin atmosferën e gjallë të atyre dy kuptimeve; Shpotisë dhe brengës. Aty ku bëhet dramatikja dhe komikja, loti dhe gazi.

Një korçar me një guxim krijues, jehona e të cilit do të mbesë gjatë në kujtimet e të gjithëve ne.

Një babaxhan si Pandi Raidhi.

Burimi: Konica.al/Ilnisa Agolli