(Fotoja tregon nje moment te para 50 viteve, ku kane pozuar dy mesuese te reja te ardhura nga Durresi. Gonxhja dhe Fitnetja, e para mesuese e bio-kimise dhe e dyta per matematike-fizike. Ato sherbyen ne SHEBE.
Rrefimi i meposhtem per ato vite, momentet e forta emocionale, kohet e veshtira e te trishta njeheresh, por dhe entusiazmin e pamate te dy vajzave te reja bregdetase per te sherbyer kudo kishte nevoje vendi, vjen permes nje interviste te bukur e te thelluar te gazetarit Aleksander Ndoja)

Pyetje: Viti 1968 ju gjen mësuese, dhe ku, në një fshat të thellë të Mirditës, pa rrugë automobilistike, pa energji elekrike. Kur e mësuat emërimin tuaj?

Pergjigje: Në fund të gushtit te vitit 1968 unë mora emërimin: “Mësuese ne ciklin 8-vjeçar” në Mirditë. Pa tjetër nuk e prisja, por kontrata ishte se do shërbeja ku të kishte nevoje Atdheu. Gjithësesi njeriu që e perjetoji me keq ishte babai, i cili në kushte të rënda mërziteje me tha: “S’kam me ta pa hajrin me!” Ndërsa mamaja ime ishte më e përmbajtur .
Nuk e kisha haberin se si ishte, as se ku binte Mirdita. Dija sa kisha marrë dije në gjeografi për mineralet, minerat, lumejt, etj… M’u kujtua shoku i klasës në gjimnaz, që ishte nga Kodër Rresheni, Nikoll Tusha. Mendova se do ta takoja ndonjeherë. Sot e kam shumë shok, komunikojmë, kemi lenë të pijmë kafe e të bisedojmë për ato gjëra të bukura që kishim kaluar si klasë.

Pyetje: Ju dhe prindërit tuaj a patët dilema të forta. Kush e mori vendimin në familje?

Pergjigje: Dilemat në shtëpi ishin shumë të mëdha, sikur kishte rënë bomba. Ç’far do të ndodhte me mua që do shkoja aq larg, shumë larg siç e quanin ato. Për mua nuk kishte kthim mbrapa. Ishte mamaja ajo që i vuri vulën, ishte heroina ime që kishte bërë aq shumë që të më shkollonte, ishte motra e vogël qe mori barrën e punëve të shtëpisë. Ishte ajo, mamaja ime që me të vërtetë mori titullin e lartë “Heroina e Punës Socialiste”, duke treguar me vepra se femra punon në çdo vend dhe se nderin e sajë nuk e cënon dot askush. “U tha e u bë”, unë do shkoja në Mirditë dhe do punoja.

Pyetje: Si e kujtoni ardhjen tuaj të parë në qytetin e Rrëshenit, në cilën datë. Kush ju shoqëroi?

Pergjigje: Në fillim të shtatorit 1968, unë me mamanë time, me të gjitha plaçkat u nisëm për Rrëshen. Udhëtuam me tren nga Durrësi deri ne Laç, pastaj me autobuz deri në Rrëshen. Gjatë rrugës heshtje, asnje fjalë. Mamaja ime ishte qytetare dhe nuk kishte parë ndonjeherë rrugë të tilla, ura të mëdha apo male. I tregova Rubikun se çfare nxirrej aty, i thashë se aty nxirret dhe ari. Si pa kuptuar u gjendem para urës së Fanit, pastaj qyteti Rrëshen.
-Mom, i thashë, erdhëm ne Rrëshen. Shoferi i nxorri të gjitha plaçkat nga bagazhi dhe u akomoduam në hotel Turizmi, pastaj dolëm jashtë. Rresheni ishte i vogël e në të djathtë të turizmit ishte gjimnazi “Bardhok Biba” me drejtoreshë Marie Bibën. Në të majtë ishte Seksioni i Arsimit dhe Komiteti Ekzekutiv si dhe Komiteti i Partisë, ca pallate dy apo tre katëshe e shtëpi te vogla. Në mes qëndronte sheshi i cili kishte shumë mësues qe kishin ardhur për të filluar vitin shkollor.

Pyetje: Fillmisht ju duhej të shkonit në Seksionin e Arsimit në Mirditë. Kush dhe si ju pritën. Si ju’a komunikuan emërimin tuaj në Shebe?

Pergjigje: Bashkë me mamanë u paraqitem në Seksionin e Arsimit. Nuk ja mbaj mend si quhej personi qe na priti. Ju prezantova se kush isha, ndërsa ai me dashamirësi na uroi mirëseardhejen dhe na ftoi të uleshim. Hapi dokumentat dhe më komunikoi se ku isha emëruar. E dëgjova deri ne fund… -Vend tjeter nuk kemi ku t’ju emërojme, vetëm ne shkollën 8-vjeçare të Shebes. Duke vazhduar më tej, shefi më tha se ju do jeni vetëm nje femër në atë shkollë, se nuk po gjejmë një mësuese tjetër, që të jeni dy mësuese. Aty nuk mu durua dhe i thashë: Unë nuk kam ardhur të kthehem mbrapsht, kam ardhur t’i shërbej Atedheut ku ka nevojë, por jo një femër e vetme fillikat në një shkollë, në fshat të largët. Unë po pres, asnje hap nuk bëj e vetme për në Shebe, por dhe pas jo, nuk kthehem.

Pyetje: Pas kësaj ju si vepruat. U nisët për në Shebe, apo i mbetët e fortë këtij deklarimi para shefit?

Pergjigje: Unë po shkoj në hotel, i thashë do pres aty në hotel deri sa ju të gjeni kolegen time. Prita në hotel një javë, me shpenzimet e mija financiare. Pas një jave në hotel më lajmëruan se ma kishin gjetur kolegen për të shkuar në Shebe. Ajo ishte Fitnete Shehu, bashkëqytetarja ime nga Durrësi. Me Fitneten kishim qenë bashkë në Gjimnaz dhe Institut. Atë e kishin hequr nga shkolla e Përlat Qendër dhe e kishin riemruar në Shebe. Ajo ishte bërë helm, por nuk ishte faji im.

Pyetje: Si e kujtoni udhëtimin e parë për në fshatin Shebe. Me çfar mjeti udhëtuat dhe kush ju shoqëroi?

Pergjigje: Te nesërmen ngarkuam plaçkat në autobuzin e Kurbneshit dhe u nisem për në Shebe. Kaluam Prosekun, Perlatin Qendër, Perlatin e Epërm dhe po futeshim në zonën e Shebes. Heshtje varri!… Fitneti nuk e kishte hapur gojen fare. Kishte kaluar rreth një orë, se rruga ishte e vështirë me shumë gropa, e ne një herë shkonim majtase e një herë djathtas, ose ndonjeherë kërcenim përpjetë. Poshtë një rrëpire po shfaqej fshati Shebe, me kulla të bardha diku pranë e pranë, e diku larg njera-tjetrës. Ato ishin të rrethuara me pemë dhe një lumë i vogël si një gjarpër e përshkonte mes për mes. Anash kishte drunj të lartë dhe në to kacavirrej rrushi, duke lëshuar një aromë që të jepte kënaqësi.

Pyetje: Kush ju priti në shkollën Shebe, a kishin dalë banorë, apo nxënës?

Pergjigje: Vendi ku zbritëm nga autobuzi i cili do të vijonte për në Kurbnesh, quhej Rrënjollë. Bagazhet i nxorën jashte fshatarët. U përshendetëm me përzemërsi. Kur pashë kafshët e punës e mora vesh se tani do ecnim në këmbë në atë rrugë të pjerrët. Preng Shurbi, një burrë i gjatë me sy bojëqielli na përshëndeti i pari, duke na thënë se ishte kolegu jonë dhe më vonë e morëm vesh se ishte drejtues politik.. Fshatarët u kujdesën që plaçkat t’i ngarkonin me kujdes nëpër gomerë. Rruga ishte shumë e pjerrët dhe vetëm gjysëm metri e gjerë. Gomari përpara e unë nga pas…bëja shaka e qeshja me të ..ec pelivan se ti qenke artist e nuk u rrëzoke …por dhe unë nuk do rrëzohem dhe qeshja…. Për 20 minuta ishim në oborrin e shkollës

Pyetje: Si e kujtoni momentin e parë në oborrin e shkollës ku do ishit mësuese, ku u sistemuat për të fjetur?

Pergjigje: Aty ishin mbledhur plot fshatarë e nxënës që u treguan shumë të dashur, por pak të habitur me pamjen tonë e cila ishte ndryshe, kushedi se çfarë kanë menduar në ato minuta… Shoqja mësuese mirëseerdhët ne fshatin tonë, do keni mbeshtetje te pakufishme nga ne, thotë Drejtori i shkollës Zef Preng Përndoja nga Perlati i Epërm, kurse Gjon Çoku me nje koleg tjetër, bënin humor. Të gjithë morën nga diçka dhe e futën ne dhomën e vogël e cila nuk ishte më e madhe se 2.5x3m. Dhoma e mësuesve ishte ngjitur me ndërtesën e shkollës. U hutuam pak, çfar të bënim me parë…. Energji elektrike ende nuk kishte në atë kohë. Dikush na solli një fener me vajguri, sa për atë natë. Krevat nuk kishte, atëherë unë e Fitneti shtruam gazeta në çimento dhe mbi to shtruam dysheket të ngjitur njëri me tjetrin.

Pyetje: Cilat ishin kushtet në dhomën ku do të jetonit, por edhe do të përgatiteshit për të dhënë mësim të nesërmen dhe vijimsisht?

Pergjigje: Eh sa shumë gjëra mungonin, tavolina, një dollap për rrobat, mungonte më kryesorja tualeti dhe vendi ku do bënim banjo, nuk kishte as govatë për të larë rrobat. Ate natë flejtëm si flejtëm, të nesërmen u bë alarm. U përshtat një krevat prej prej druri sa mos te flinim në çimento, u soll nje tavolinë, ndërsa po merreshim me përgatitjen e ambjentit të klasës kujdestare. Po vetë ne femrat si do bënim pa banjë, ehhh si?!! Askush nuk e kishte menduar këtë në fjetoren e vogël brenda godinës së shkollës, e cila e kishte hyrjen nga ana e pasme e saj. Nuk kishte kohë për të humbur, ndaj unë e Fitneti blemë nga një fener me vajguri, që ta kishim secila tek koka si ambazhur për të bërë ditarin, për të lexuar, etj…
I kërkuam nënë Prenës, mamaja e Preng Kukës e Pal Kukës që të na e jepte govatën e saj kur të bënim banjë, apo te lanim rroba. Nanë Prena ishte e mrekullueshme, mjaltë nxirrte nga goja. Mos keni turp moj cuca, çfarë t’ju duhet hecni e kërkoni. E kishim si gjyshen tonë, shumë herë herë na thirrte për kafe. Të gjithë na ftonin, por shtëpia e saj ishte pranë shkollës ku në katin e parë ishte dyqani, që i kishte të gjitha gjërat kryesore. Dyqanxhiu ishte Prenga, djali i nanë Prenës. Na duheshin kazanë të vegjël për të ngrohur ujë, e për te zierë rrobat. Për fat ne kishim marrë ca para me vehte nga shtëpia, blemë kazanë, tenxhere e pjata, për të ngrënë. Çdo ditë dilte nje problem i ri, na duheshin furrnella me vajguri e aty ishte vetem një të cilën e përdornin mësuesit djem, që jetonin dhe ata në shkollë ngjitur me ne. Pra blemë dhe nga një furrnelle, me një fjalë ngritëm një shtëpi të re. Ne koridor ishte nje sobë e mbaruar për të gatuar, që e kthente tymin mbrapsht e hundët të bllokoheshin nga bloza. Dritarja ime mbi tokë ishte full, në fillim i vendosëm ca gazeta e pastaj meqë e më jepej për të qepur, bëmë një palë perde prej bezeje të bardhë.

Pyetje: Sa kujdesesh pushteti i kooperativës i asaj kohe pë ju mësuesit e ardhur nga rrethe të tjera të vendit?

Pergjigje: Puna e Organizatës së masave (në fakt unë e Fitneti nuk bënim pjese) ishte garantimi i druve për ngrohje dhe furrat të na garantonin bukën, e cila ishte nga misri dhe e cilësisë së dobët. Shpesh mësuesit djem shkonin në Rrënjollë e na blinin buke gruri, ose shkonim të gjithë për të ngrënë një pjatë me një copë mishi sade, e cila ngrinte para se ta mbaronim. Unë e Fitmeti e kishim zgjidh deri diku problemin e ushqimit pasi një herë në 2 javë shkonim në Durrës e furnizoheshim me sallam, djathë e ushqime të tjera të cilat nuk mund t’i gjenim aty. Kështu ditë pas dite, muaj pas muaji kaloi një vit i vështirë, por i bukur për angazhimin tonë si mësuese të reja.

Pyetje: Nëse viti i parë i punës në Shebe shërbeu si sprovë, viti i dytë a ishte më i lehtë për ju?

Pergjigje: Në vitin e dytë ndryshoi situata. Injac Mjeda shkodran, mësuesi i gjuhë – letersisë trasferohet ne Shkodër e vendin e tij e zë Pjetër Cara, pra dhe si drejtor i kësaj shkolle. Këtë vit na u shtua edhe një mësuese tjetër femër, Vera Luli po nga Durrësi për të dhënë histori – gjeografi, lëndë që deri atëherë i mbulonte Gjon Çoku, i cili kaloi në lëndët e muzikës dhe sportit. Tani që ishim 3 vajza e 2 djem, duheshin ndryshuar dhomat. Dhoma e djemeve ishte e madhe ku hanim dhe vaftet se kishte një tavoline të madhe që shërbente dhe për përgatitjen e ditareve. Ndaj na u desh të bënim përshtatje tjetër. Po si e përshtatëm dhomën që ne dhe mund te flinim e djemtë të punonin? …..Vendosëm një litarë në mes të dhomës, e sipër tij hodhëm e kuverta të mëdha që i morëm nga shtëpija… dhoma dukej si skene Teatri, por ne qemë mësuar… Ne dhomën e madhe ushqimet nuk i mbanim në dollapin e vogël, sepse miu kishte hapur një vrimë e na i hante ushqimet …. thamë se e zgjidhëm problemin me bukën, sallamin dhe djathin, pasi i varnim lart në mure, por dhe aty miu na i hante ….por të gjitha këto nuk na ndalonin të bënim detyrën tonë si mësues.
Në këtë vit, pra në vitin e dytë të punës aty vendosem te hanim bashkë, se na binte me lirë. Invetarin e mbante Gjon Çoku, bliheshin ushqimet si sheqer, oriz, makarona, por sipas stinës dhe patate, qepë, domate e speca,veze, si dhe çaj mali. Unë gatuaja gjithmonë drekën, Fitneti lante enët dhe pastronte shtëpinë, kurse larjen e rrobave sejcili e bënte vetë. Çunat na siguronin dhe ujin e pijshëm dhe për gatim. Nuk kam përmendur Pashk Shqalshin nga Malajt, i cili ky vinte çdo ditë në këmbë nga Malajt, pasi ishte mësues në fillore në klasë kolektive, beqar por shumë njeri i mirë.

Pyetje: Po në aspektin mësimor, çfar ishin arritjet apo si organizoheshi?

Pergjigje: Krahas këtyre vështirësive e peripecive, vëmendjen për nxënësit nuk e shkëputa asnjë herë të vetme. Çdo mëngjes përshendetesha me ta, merrja informacion për mungesa dhe mbaja lidhje të ngushta me prindërit, duke i takuar ose informuar me letra. Shpejt u miqësuam brenda në klasë, ato ishin nxënës dhe do jepnin llogari para meje e unë do bëja detyrimin deri në fund për të kontrolluar, shpjeguar mësimin mbi baza shkencore, duke u munduar me ato pak gjëra që kishte për lëndën e kimisë por kur nuk i kisha përdorja mjete rrethanore. Ishte privilegj pasi kishim mikroskop, e unë e përdorja si në botanikë dhe në anatomi, për të parë qarkullimin e gjakut.

Pyetje: Kanë kaluar shumë vite, a ju mbetet në mëndje ndonjë nxënës i spikatur?

Pergjigje: Shpesh nxënesit që ishin të dobët une i mbaja pas mësimit dhe punoja në matematikë me ato, se isha shumë e fortë në këtë lëndë. Por shpesh e ngrija zërin kur isha e pakënaqur, por kurrrë nuk i ofendova një herë, kurrr nuk ngrita dorën t’i godisja e t’i shkulja veshin, apo flokun si vepronin disa të tjerë. Ky qendrimi i tillë i imi më rriti autoritetin, bëri që lënda ime të përvetësohej kënaqshëm, bëri që kur ne të dilnim jashtë të ishim shokë e shoqe, luanim topa luftash ne oborr, ose bënim biseda qe ishin shume edukative për to. Nuk me bënte pershtypje veshja e tyre, i kontrolloja për parazitë, pa i ofenduar, e ndokush që ishte infektuar i thoja veçmas, që ti thontë nënës t’ia lyente pak kryet me vajguri e ta lajë pastaj me ujë të ngrohtë e sapun, duke e krehur.

Pyetje: A kujtoni ndonjë nxënës që ishte problem për mësuesen e ardhur nga Durrësi?

Pergjigje: Kuptohet se jo të gjithë ishin qingja në klasë, kishte dhe nga ato që nuk i linin “dy gurë bashkë”. Njëri ndër to ishte Abert Doçi, djali i Ndue Doçit, i persekutuar, madje me babain e të afërm në burg. …familje kulaku, kështu na thonin. I flisja shpesh, i bërtisja po kurrë më tej…… Kur mbaronte mësimi e gjeja tek dera e fjetores time .- He Albert çkemi, ke ndonjë hall.?…- Jo, zjush nuk kam gja tjetër, veç me me fal sot ! — Po more Albert të kam fal, por mos e perserit ma….. Falemineres zjush, dreken e mire zjush, dhe largohej.
Të nesërmen kur do shkoja ne mësim e gjeja Albertin tek dera….Zjush si ke nieft?…Mire Albert, po ti ? ..Mire zjush, por qe këto dy vo, mi ka dhan nana për ty. Jo Albert, unë kam, po merri, merri pra zjush, se i ke prej nans. Atëherë nuk e kundërshtoja, e Alberti me kokë ulur shkonte në klasë. Ai nuk e dinte sa shumë e doja. Ishte i zgjuar, ishte fëmi, mua nuk më interesonte “me the e të thashë” luftë klasash, unë i doja si gjithë të tjerët.
Afërsisht i tillë ishte edhe Gjet Pepa, dhe atë e doja shumë. Kur kur ai shkoi në shkollë profesionale më shkruante letra, e unë atëherë isha në Leskovik. Bibë Dodaj ishte një djalë që kishte dëshire të rrinte pas meje, të më ndimonte. Në fund të vitit të dytë, Bibën e mora një javë në shtëpinë time në Durrës. Kurse Pal Dodën e kisha marrë dy ditë në Durrës, për festat e nëntorit. Unë do permend sa të mundem emra si Mark Rica, Preng Dodaj tani në Durrës, Dila Pepa, Dila Dodaj, Gjon Rica sot ne Itali, Gjin Kuka, Kostandin Kuka, Bardhe Rica Legisi, Fran Rica, Davë Nikolla, Davë Ndoja, Marie Pepa, Lekë Legisi, Metra…

Pyetje: Shumë prej tyre që përmend, por edhe të tjerë sot janë intelektualë të njohur, njerëz punëtorë e qytetarë të denjë. A mbani lidhje me ta?

Pergjigje: Falë rrjeteve sociale jam lidhur me shumë e shumë të tjerë, kam biseduar e jam takuar. Kënaqësi e madhe se të gjithë kanë vazhduar shkollën, janë kuadro e intelektualë, qytetare të nderuar. Sot ato janë te skalitur ne zemren time deri sa të jetoj. Kur nuk u’a kam harruar emrat madje edhe pamjen për 50 vjetë, nuk do u’a harroj, as për 100 vjet sikur të ishte e mundur të jetonim.

Pyetje: Cili ishte niveli varfërisë askohe në atë zonë. Po fshatarët si ju trajtonin, prindrit e fëmijëve etj?

Pergjigje: Këto njerez kaq të mirë jetonin në këtë vend të varfër, por dhe shumë i pasur me minerale. Shebja ishte ne mes te mirës e të keqes. Ato ishin shumë bujarë, të ftonin nëpër gëzime, të ftonin për një kafe, na ftonin në dasma dhe të bënin të gjithë respektin si mundeshin.
Unë do mundohem të paraqes dy ekstremet e jetës ne fshat. Ishte martuar nje djalë aty afër, por nuk do ja them emrin. Një dhomë pak e gjatë me gurë pa suvatuar e mbuluar me rrasa guri, ku shikoje copa qielli te vogla ku drita mundohej të çante errësirën. Gurët e kishin humbur ngjyrën e tyre karakteristike, o ishin bërë sterr, si oxhak. Në një tra të çatise varej një zinxhir i gjatë, me një çengel ku ishte nje kusi e varur, e poshte zjarri. Tymi nëpër hatllat mundohej te dilte jashtë e drita të hynte brenda. Në një anë të dhomës qëndronte një krevat druri, me këmbë te shtrembura e mbi shtrat qëndronin rrobat e fjetejes, që kishin marrë ngjyrën e blozës. Pas ketij krevati ishte bërë një ndarje me purteka, ku ishte shtrati i nuses. Më e rënda ishte se pas deres, në një kthinë tjeter jetonte derri. Mu coptua shpirti e zemra, me vinte te qaja por s’kisha mundësi t’i ndihmoja, përveç asaj morales.
Fshati kishte dhe kulla dy katëshe e të bukura si ajo e Preng Kukës pranë shkollës, e Preng Shurbit që kishte dhe nje radio me vajguri. Shtëpia e Mark Pepës e plot te tjera, që të ftonin dhe për darkë me bujarine e tyre. Unë kam flejt në shtepinë e Dava Legisit, mamie dhe infermiere, në nje kullë e pastër e shtruar me dërrasa të lëmuara. Por një pjesë e fshatit shtëpitë i kishin përdhese, e ne raste kur kishin shumë njerez, shtronin fier. E vetmja gjë që i mbante gjallë familjet, ishin minierat ku punonin burrat dhe djemtë. Fshati akoma nuk kishte energji elektrike, pra ndriçimi bëhej me kandil dhe fener me vajguri. Ishin të lumtura ato familje qe kishin radio “ILIRIA”.

Pyetje: Ju folët për dy kontraste disi ekstreme në fshat. Po ju vetë sa ndikoheshit nga kjo situatë jetese. A mund të na flisni për kushtet tuaja dhe të mësuesve të tjerë, në atë shkollë?

Pergjigje: Dhe ne në shtëpine tonë të përbashkët kishim një radio, që e mbante gjithë ditën në dorë Gjoni (Çoku). Të gjithë mësuesit rrinim sëbashku tek dhoma e madhe. Aty bënim ditarin, aty ushqeheshim e aty flinim ne tre vajzat. Dhomën e kishim ndarë në dysh me batanije. Herë herë, na dukesh si skenë teatri, apo si i binte çiftelisë mësues Gjoni, ne të tjerët këndonim me të. Ta besoni pra këtë të vërtetë të madhe, ne ishim vëllezër e motra e që sot as nuk imagjinohet që jetonim ne ato kushte të vështira, të pa imagjinushme. Ne na donin të gjithë, na admironin dhe respektonin se ne i kishim bërë vend vehtes me punën tonë, sjelljen korrekte dhe dashurinë për fëmijët dhe njerezit në përgjithësi.

Pyetje: Dihet se fshati Shebe është në një zonë të lartë mbi nivelin e detit, dhe dimri ka qenë i ashpër. Si ja bënit me muajt e vështirë?

Pergjigje: Dimri ishte i ftohtë dhe dhoma ishte e madhe, ngrohej me zor, por e kalonim sepse ishim të rinj. Një pasdite u nxi nga ana e Kurbneshit, pas pak filloi bora që ishte aq e dendur, sa s’te linte të shihje disa metra. Kishte rënë rreth 70 cm. Mendova se nk do na vinin të nesërmen nxënësit në shkollë. Megjithatë shkova më shpejt në klasë, ndeza sobën dhe e bëra furrë. Pak më me vonesë erdhën të gjithë nxënësit, por të lagur e kallkanosur. Puna e parë që bëra ishte t’i vendosja pranë sobës të thaheshin dhe shpesh i pyesja nëse kishin ngrënë apo kishin bukë me vehte. Kuptohet në ditë të tilla, me urdhër të drejtorit bëhej vetëm shpjegimi i mësimit të ri.

Pyetje: Sa herë shkonit në shtëpi pranë prindërve, a subvencionohesht për rrugëtimin. A kishit mundësi ti ndihmonit nga rroga juaj?

Pergjigje: Te shtunave e kishim vendosur që të shkonim në shtëpitë tona për një natë, se ditën tjetër, të dielën udhëtonim përsëri për në Rreshen, ku atë natë flinim në hotel, e të hënën në mëngjes kapnim skodat e Kurbneshit, sepse ne orën 8 fillonte mësimi. Nga Rrënjolla e deri tek oborri i shkollës e bënim me vrap, për 10 minuta tek rruga e pjerrët, që me shume rrëshkisnim se sa ecnim. Meqë udhëtimi dhe hoteli ishin të kushtueshme, ne shkonim një herë në dy apo tre javë në Durrës. Shtesë page për vështirësi na jepnin 200 lekë me paratë e atëhershme. Nuk bëhej fjalë, gjysma e parave shkonte rrugës.
Më tha një herë babai, po si nuk ma solle një herë rrogën e plotë, or bab ! – Po çfar të bëj o baba, a do ha, a do blej ushqime, vajguri, a do pres bileta auobuzi apo treni. Ndonje gjë do ta bleja për familjen e re që do krijonim, se isha e fejuar. .

Pyetje: Kur u larguat nga Shebja, pas sa vitesh aty. Si u erdhi vendimi për largim, apo si e kujtoni atë ditë?

Pergjigje: Po mbaronte viti i dytë, kur mësova se do largohesh nga Shebja, duhej të ndahesha me nxënesit e mi të dashur, që u mundova me mish e shpirt t’i mësoja dhe edukoja jo me dhunë, por me bindje e dashuri. Në javën e fundit mora vëllanë e vogël me vehte, që të mos isha vetëm e t’më ndihmonte për plackat. Atë ditë erdhën të gjithë nxënësit në Rrënjollë e në kafshët e tyre kishin ngarkuar plaçkat e mija. Ndaluam një makinë e shoferi pranoi ngarkesën që kisha, dhe me lotë në sy u ndava me fëmijët. Mu duk se humba një pjesë të shpirtit tim, thashë se nuk do ti takoja me kurrë.

Pyetje: Lëvizja duket se erdhi se do martoheshit me një ushtarak. Ku shkuat më tej?

Pergjigje: Me 9 gusht të atij viti u martova dhe pas një jave u gjenda në Leskovik. Më kishin caktuar tek shkolla “Jani Minga” të qytetit e cila i permblidhte te gjitha ciklet, 8 vjeçare e gjimnaz. Aty unë dhashë mësim biologji- kimi në 8 – vjeçare dhe kimi ne klasen 9 të e të dhjetë e për të plotësuar normën mësimore më dhanë të jepja gjuhë letërsi, në klasën e pestë që e kisha në kujdestari. Ishte shumë e vështirë për mua sidomos korigjimi i diktimeve e hartimeve. Por e kalova këtë vështirësi duke ruajtur mardhënie të shkëlqyera me nxënësit. Pas 2 vjetesh burri u trasferua ne Sarandë në vitin 1972, bashkë me të dhe dokumentat e mia. Kisha vajzën e vogël dhe vetëm nuk qëndroja dot ne Leskovik. I thashë tim shoqi se unë do vij në Sarandë, por akoma nuk më kishte dalë emërimi dhe strehimi. Megjithatë unë kisha vendosur të ushqehesha një herë në ditë e të qendroja ne hotel. Emërimi më doli në nëntor, në tre shkolla. Në shkollën “Adem Sheme” isha e përhershme, kurse ne gjimnazin “Hoxha Tasin” jepja biologjin viteve te treta, ndërsa në shkollën “9 Tetori” jepja punën bujqësore. Isha shtatzanë me vajzën e dytë e qëndroja në hotel. Pra jemi ne vitin 1973 pa shtëpi. Me punë isha stabilizuar me normë te plotë jepja biologjitë, shkolla kishte 52 arsimtare e 2 nëndrejtorë dhe drejtorin.

Pyetje: Kur mundët të stabilizoheshit me shtëpi, në Sarandë?

Pergjigje: Pasi linda vajzen u sistemova me shtepi, kurse im shoq ishte gjithmonë larg shtëpisë. Me shumë peripecira, sëmundje të fëmijëve unë nuk e prisha cilësinë e dhënies së mësimit. Nga fundi i vitit 1980, unë bera aparatin e qarkullimit të gjakut e për këtë më dhanë titullin “mësuese novatore” Mardhëniet me nxënesit i kisha të shkëlqyera, me drejtorin e shkollës isha në opozite. Arsyet diheshin, unë nuk i servilosesha e nënshtrohesha askujt. Në vitin 1977 familja ime u shtua me një djalë. Vajzat i kisha në shkollë kurse djalin në kopësht, kur erdhi trasferimi i burrit në Lezhë por dhe dokumentat e mia. Në shkollën 8-vjeçare të Lezhës jepja Biologjinë dhe Kiminë, në një paralele. Atëherë isha perfeksionuar shumë dhe kisha bërë një bazë materiale didaktike personale. Orët e mësimit ishin art, kënaqësi për nxënësit, por fati do më ndante edhe me këto fëmije të dashur.

Pyetje: Pas një odiseje të gjatë që nis nga Shebja për të përfunduar në ekstremin tjetër të vendit në Sarandë e më pas në Lezhë, kur i erdhi rradha Tiranës?

Pergjigje: Në vitin 1983 bashkëshorti trasferohet në Tiranë e kuptohet dhe dokumentat e mija. Meqë na u dha shtëpi menjëherë, unë erdha në Tiranë sapo maroi viti shkollor në verën e vitit 1984. Këtu perfundoi dhe ëndërra ime e bukur për ta përsosur më tej procesin mësimor. Punoja vetëm duke zevëndësuar mësuesit që mungonin. Unë dhashë për një muaj mësim në shkollën “1 Maji” në Tiranë ku shumica e nxënësve ishin fëmijët e anëtarëve të byrosë politike. U tmerrova, nuk më kishe ndodhur kurrë që një dorë e zezë vinte nota dhjeta në emrin tim. Intuita ime qe e shpejtë dhe reagimi im qe i ashpër, duke përplasur në tavolinën e drejtoreshës regjistrin me nota fiktive. Në çdo klasë nuk kishte nxënës të dhjetës të paktën 1 ose 2, të tjerët ishin bërrnut, pavarësisht se kishin dhjeta. Në fund të muajit, në çdo klasë bëra provim se ishte afërsisht muaji prill i vitit 1987.
Kjo bëhej për të parë njohuritë që ata zotëronin deri në ate kohë. U tmerrova dhe vërtetova se fëmijet e qeveritarëve e të byrosë politike nuk mësonin dhe vlerësoheshin në mënyre fiktive. I mbusha me katra e pesa, mbaj mend që vura vetëm një dhjetë. Në shkollën “1 Maj ra tërmet”. Me thirrën se kisha prishur mesataret e nxënësve. Nuk durova, ja numërova të gjitha një për një, se shkolla kishte mbaruar, etj… .

Pyetje: A pati kosto për juve një sjellje e tillë ndaj fëmijëve të nomenklaturës?

Pergjigje: Për mua u bë biografia, unë kisha hapur gojën për fëmijët e antarëve të byrosë politike. Që prej atij rasti nuk më dha kush më punë në arsim, megjithese dosja ime ishte e shkelqyer. Pastaj kam bërë punë të ndryshme, deri sa me nxorën me gjysmë pensioni. Nxjerrja në gjysëm pensioni përkon me kohën e ndryshimeve demokratike. Por kjo nuk më demoralizoi, pasi unë isha armatosur me profesione të ndryshme. Për të mbijetuar ushtrova profesionin e rrobaqepses. Ne moshën 50 vjeçe vura në jetë talentin tim të pikturës, të cilën e kisha pasur pasion që fëmijë, por njekohësisht dhe fotografinë. Kam dhënë me dhjetra intervista në “News-24”, “Top Channel”, “Tvsh” e shumë gazeta, revista televizive, se si kalova nga mësuesia ne picture, e fotografi. Kam kërkuar dhe ndihmuar jetimët për gjetjen e prindërve biologjikë, kam birësuar në distancë nxënësen e jetimores në Sarandë, Adriana Begaj Hysenaj. Kështu ishte fundi i një mësuesje që bëri sakrifica të mëdha, duke punuar e shkëlqyer aty ku kishte nevojë Atdheu.

(Aleksander Ndoja, gazetar)

Marrë nga Gazetari Gjergj Marku në Facebook