Paradoksi i kohës sonë është:

Kemi ndërtesa të larta, por tolerancë të ulët; autostrada të gjera, por pikëpamje të ngushta. Shpenzojmë më shumë, por kemi më pak; bëjmë më shumë blerje, por kemi më pak gëzim. Kemi shtëpi më të mëdha, por familje më të vogla; më shumë rehati, por më pak kohë; më shumë arsimim, por më pak arsye; më shumë njohuri, por më pak mirëkuptim; më shumë ekspertë, por edhe më shumë probleme: më shumë mjekime, por nuk jemi të shëndetshëm.

Ne pijmë tepër, tymosim tepër, shpenzojmë shumë në mënyrë të papërgjegjshme; ne qeshim shumë pak, ngasim shumë shpejt, ngrihemi shumë shpejt, shkojmë të flemë shumë vonë, ngrihemi shumë të lodhur; ne lexojmë shumë pak, shikojmë shumë televizior.

Kemi shumëfishuar pronësitë, por kemi reduktuar vlerat. Ne flasim tepër, duam pak dhe urrejmë shumë. Kemi mësuar si të sigurojmë jetesën, por jo si të jetojmë. I kemi shtuar jetës vite, por jo jetë viteve. Kemi bërë rrugën deri në hënë dhe jemi kthyer, por e kemi të vështirë të kalojmë rrugën për të takuar një fqinj të ri. Ne pushtojmë hapsirën por jo brendësinë. Kemi bërë gjëra më të mëdha, por jo më të mira.

Ne kemi pastruar ajrin, por kemi ndotur shpirtin. Kemi coptuar atomin, por jo paragjykimin. Ne shkruajmë më shumë, por mësojmë më pak. Planifikojmë më shumë, por realizojmë më pak. Ne kemi mësuar të nxitojmë, por jo të presim. Ndërtojmë kompjutera të mbajnë më shumë informacion, për të prodhuar më shumë kopje, por komunikojmë pak e më pak. Këto janë kohërat e ushqimeve “të shpejta” që ngadalësojnë tretjen; të njerëzve të mëdhenj dhe karaktereve të vogla; përfitimeve të thella dhe lidhjeve të cekta.

Këto janë ditët e dy rrogave, por me shumë divorce, e shtëpive më të bukura, familjeve të copëtuara. Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta, e moralit të hedhur poshtë, e lidhjeve të një nate, e trupave mbipeshë, dhe pilulave që bëjnë gjithçka: nga gëzimi, tek qetësimi, tek vrasja.

Kujto të kalosh më shumë kohë me njerëzit e dashur, sepse nuk do të jenë gjithmonë aty. Kujto ti thuash një fjalë të sjellshme dikujt që të shikon i ndrojtur, sepse ai person i vogël së shpejti do të rritet dhe do të largohet. Kujto ti japësh një përqafim të ngrohtë personit pranë teje, sepse është thesari i vetëm që mund të japësh me zemër dhe nuk kushton asnjë cent.

Kujto tu thuash “të dua” njerëzve të dashur, por sidomos ta ndjesh vërtetë. Një puthje dhe një përqafim do e shërojnë dhimbjen, kur vjen nga brenda teje. Kujto të shijosh momentin sepse nuk vjen më. Kushtoji kohë dashurisë dhe fjalëve që thua vëmendje. Kushtoi kohë ndarjes së kujtimeve të çmuara brenda trurit tënd. Dhe kujto se jeta nuk matet nga numri i frymëmarrjeve, por nga numri i momenteve që të lënë pa frymë.

Burimi: Akropoli i Ri