Ylli Polovina – Historia kombëtare e shkruar gjatë periudhës gjysmëshekullore të realkomunizmit shqiptar më së shumti ka pamjen e një polifotoje të ritushuar pambarimisht, ku shtohen një pas një hapësirat e boshatisura prej heqjes së portreteve të ndryshme.
Ato boshllëqe të dhunshme jo vetëm e kanë deformuar këtë histori, por e kanë varfëruar shumë, e kanë zbehur, e kanë monotonizuar, i kanë hequr joshjen dhe gjallërinë, tërë origjinalitetin.

Në këtë shkrim do të paraqesim diçka nga njëri prej këtyre rasteve të shumta, i cili pas rënies së regjimit të mëparshëm të mbyllur, ende nuk ka pasur vëmendjen e domosdoshme për t’u spikatur dhe kështu e drejta historike nuk ka shkuar në vendin e saj.
Fjala është për ekzistencën dhe veprimtarinë mjaft interesante të një organizme: Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Shtabit Aleat (Anglo-Amerikan) në Bari të Italisë.

Ai me veprimtarinë e tij pothuaj dyvjeçare do të qe i vyer, sepse do të luante, krahas funksionit ushtarak të rëndësishëm, edhe rolin e një përfaqësie të parë diplomatike shqiptare gjatë dhe të pas Luftës. Italia fashiste nëpërmjet pushtimit të 7 prillit 1939 e kish likuiduar shtetin shqiptar dhe vendosur atë në vartësi të mbretit Viktor Emanuelit III, prishur kështu edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pushtimi nazist gjerman deklaroi rikrijimin e shtetit të pavaruar shqiptar, por gjithçka ishte cipë, jo thelb. Kështu as gjatë periudhës shtator 1943-nëntor 1944 nuk patëm realisht një Shërbim të Jashtëm.

Ngritja e Misionit Ushtarak Shqiptar në qytetin italian të Barit, e kësaj “ambasade”, u realizua me nismën e britanikëve menjëherë pas Kongresit të Përmetit. Ai Mision filloi punën në korrik 1944. Fillimisht punonjës nuk qenë më shumë se sa gishtat e një dore, madje edhe më pak. Shef i tyre ishte Bedri Spahiu.

Pothuaj dy mote më pas u bënë 33 punonjës, madje raporte të shërbimeve të fshehta italiane (Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme Italiane), që e vëzhgonin, ngulin këmbë se qenë pesëdhjetë frymë. Disa ishin të shpërndarë dhe të kamufluar nëpër qytete të tjera të vendit.

Me pak fjalë me këtë grup ushtarakësh shqiptarë që më së shumti rrinin civilë, nuk bëhej shaka, duheshin përfillur. Qenë plot energji dhe të zgjuar, dinakë, tejmbushur me fanatizëm politik dhe ndjenjë epërsie ndaj Italisë, vendit që gjatë Luftës e kishin mundur.
Zyrat e Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate ndodheshin në rrugën Dante, 149, të Barit. Në po atë seli gjendej edhe Misioni Ushtarak Jugosllav, po ashtu dhe zyrat e udhëheqjes së Partisë Komuniste Italiane për krahinën e Pulies.
Ja pse kjo godinë vëzhgohej: ishte shndërruar në një qendër të vërtetë komuniste, ku të tre palët bashkëpunonin ngushtësisht dhe prej kësaj mundësie i patën zgjeruar shumë lidhjet me vendasit dhe shumuar informacionin që grumbullonin.

Pjesëtarët e Misionit Ushtarak Shqiptar ndërtesën, ku banonin, e kishin jo larg nga vendpuna: dyqind metra më tej. Ishin të pozicionuar favorshëm dhe në gatishmëri të plotë me t’iu dhënë një urdhër. Funksiononin me ritëm partizan.

Sipas një raporti të shërbimeve të fshehta italiane, kur shef i Misionit do të ishte Kadri Hoxha, nënkryetar do të konsiderohej një oficer tjetër i graduar nga Kongresi i Përmetit, Iljaz Sevrani. I pari ishte kolonel, i dyti major. Drejtuesi i tretë në shkallën hierarkike do të qe Nuri Resnja, kapiten.

Në një situatë marrëdhëniesh shumë të tensionuara mes Tiranës dhe Romës, pasi Enver Hoxha pati dëbuar në janar 1946 trupën diplomatike italiane në Shqipëri, më 9 maj të po atij viti ishin italianët që zbuan nga vendi i tyre Misionin Ushtarak Shqiptar. Duke qenë se ky ishte strukturë pranë Komandës Aleate, pra e anglo-amerikanëve, urdhrin e largimit formalisht e dhanë britanikët.
Kadri Hoxha dhe stafi i tij i hipën një piroskafi të UNRRA-s, i cili ende ndodhej në portin e Brindisit. Hoxha ato çaste bëri një përpjekje për të shprehur hidhërimin për këtë përkeqësim të raporteve mes Romës dhe Tiranës, por deklaroi se ende shpresonte që shumë shpejt do të rifillonte shkëmbimi i mallrave mes dy brigjeve. Sensi i tij pozitiv ra në sy.

Ringrohja e marrëdhënieve do të niste më vonë, në një odise të gjatë, por do të ndodhte e papritura. Gjendja e re përmirësuese do të hiqte qafe për të dy palët të shkuarën e kujtimit të Misionit Ushtarak Shqiptar. Për Romën ky proces do të qe më i përmbajtur, për Tiranën ishte më radikal. Dy krerët e tij, Bedri Spahiu dhe Kadri Hoxha, do të dënoheshin politikisht dhe censura e rreptë, sipas rregullit diktatorial, do të binte edhe mbi aktivitetin e strukturës. Do t’i vihej kapak mbyllës kujtimit historik të këtij Misioni edhe prej një faktori të tretë: qe krijesë e britanikëve, ndaj kontributit të të cilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, PKSH dhe më pas PPSH, do të vepronin me zell ideologjik për ta fshirë nga kujtesa e shqiptarëve.

Paketa kryesore dokumentare e Misionit Ushtarak Shqiptar tashmë nuk ndodhet në Arkivin e Forcave të Armatosura, po ashtu, përveç diçkaje të vogël as në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Historiani ideologjik i periudhës komuniste, Ndreçi Plasari, e zhvendosi atë pranë arkivit të Komitetit Qendror të PPSH. Pas rënies së regjimit të mëparshëm ajo u fut në Arkivin e Shtetit.

Koloneli Kadri Hoxha dhe majori Iljaz
Sevrani
Censurimi i ekzistencës së Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate (anglo-amerikane) në qytetin italian të Barit nuk qe shenjë e dukshme vetëm në tekstet e historisë zyrtare dje, por edhe sot. Ajo dëshmohet edhe në mënyrën se si i kanë paraqitur biografitë e tyre pjesëmarrësit e tij.

Si një nga provat për këtë të fundit zgjodhëm rastin e Iljaz Sevranit (Bejkos), nënkryetarit të këtij Misioni. Sevrani ishte një person me integritet dhe ndershmëri njerëzore të lartë, aspak konformist dhe servil politik, modest por edhe me shpirt protagonist të mjaftueshëm për mos t’u marrë nëpër këmbë. Prej tij informacioni do të qe më i sigurt, por për fat të keq, pas kontaktit me familjen, u mësua se nuk pati lënë pas shënime kujtimesh.
Ka të ngjarë të jetë druajtur për shkak se do të binte ndesh me vijën zyrtare të gjysmëharrimit të punës dhe rolit të Misionit. Më 1982 Enver Hoxha pati botuar librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ky jepej modeli se si do të trajtohej kjo temë dhe për çfarë do të flitej dhe për çfarë jo. Hoxha në atë libër as e përmend ekzistencën e një misioni ushtarak shqiptar pranë Komandës Aleate në Bari të Italisë, siç edhe nuk shkruan asnjë rrokje për ndihmën që anglo-amerikanët i dhanë Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ata konsiderohen në atë libër krejtësisht armiq të Shqipërisë.

Iljaz Bejko (Sevrani), me dekret nr. 3465 të 4 shtatorit 2002 është vlerësuar pas vdekjes nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” dhe motiv “Për rolin e rëndësishëm si luftëtar dhe komandant i shquar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Edhe kur disa ditë më parë nga vlerësimi presidencial, në 20 gusht 2002, Qarku i Beratit e shpalli “Qytetar Nderi”, nuk ka asnjë fjalë për kontributin e tij si pjesëtar në Misionin Ushtarak Shqiptar.

Dy nipërit e tij Sulejman dhe Pëllumb Bejko, si edhe i biri, Adriani, persona korrektë e shumë të besueshëm, dëshmojnë se Iljaz Bejko (Sevrani), u kishte folur për atë periudhë të jetës së tij, madje edhe rreth takimeve që kishte pasur me shqiptarë të arratisur për mospajtim me komunizmin dhe disa prej tyre bindur për t’u rikthyer në atdhe. Në një rast Iljazi i pati folur Sulejman Bejkos edhe për një kontakt me Ali Këlcyrën. Ky bashkë me Mit’hat Frashërin dhe jo pak eksponentë të Ballit Kombëtar gjatë viteve 1945-1946 ndodhej në Bari në gjendje izolimi politik nga britanikët.

Iljaz Sevrani kishte profil intelektual dhe qe me shkollim perëndimor, sepse gjatë monarkisë përfundoi në Tiranë gjimnazin klasik trigjuhësh (frëngjisht, italisht, latinisht). Pas këtij arsimimi punoi si mësues në Leskovik, në Sadovicë të Beratit, por edhe brenda këtij qyteti, në lagjen “Goricë”. I doli edhe një e drejtë studimi për nivel universitar në Itali, por kjo nuk u realizua dot sepse, duke qenë se ishte njëri prej pjesëtarëve aktivë të kryengritjes së Fierit, u arrestua. Bëri burg vetëm 8 muaj dhe më pas u lirua për mungesë provash penale.

Pas pushtimit italian Iljazi ishte me ata që donin ta luftonin me armë këtë sundues të ri dhe kjo e shtyu në radhët e të porsaformuarës Parti Komuniste Shqiptare, e cila në nëntor 1941 e në vijim për gjithë motin 1942, ndërsa u njoftua krijimi i organizatës së Ballit Kombëtar, qe e vetmja parti politike e vendit, e cila kish zgjedhur rrugën e betejës për jetë a vdekje me fashizmin italian. Sevrani (Bejko) ishte shumë i shkathët në polemika dhe kreu rolin e përfaqësuesit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në disa debate ideologjike me të dërguar të Ballit Kombëtar në teqenë e Baba Qazimit në Velabisht, në Qafën e Hoxhajve, në Tërpan, në Sadovicë po ashtu. Në fund të vitit 1943 ishte një nga 18 delegatët e Konferencës së Parë të PKSH për Beratin, prej ku doli me detyrën e të ngarkuarit për veprimet luftarake.
Ndërsa qe komisar i Grupit partizan të Skraparit dhe Zylyftar Veleshja komandant i tij, në 20 janar 1944, në betejën e Tendës së Qypit, mori një plagë të rrezikshme në nofull. U plagos rëndë edhe Veleshnja.

U mjekua në spitalet partizane, por pa u shëruar. Në një gjendje të tillë mori pjesë në një veprimtari propaganduese për Kongresin e Përmetit. Në gusht 1944, pasi plaga në nofull iu përkeqësua, u dërgua në qytetin e Barit në Itali, për t’u mjekuar në spitalin e Aleatëve.
Pasi u mjekua dhe plaga e rrezikshme iu mbyll, u emërua si pjesëtar i Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate. Prej të gjitha jetëshkrimeve të tij vetëm në dy raste flitet fare shkurt për këtë prani, por pasaktësisht: thuhet se ka qenë në një “Misioni ushtarak i Kombeve të Bashkuara në Itali”.

Çfarë thonë raportet e shërbimeve të fshehta italiane
Shpërfillja e historishkrimit shqiptar për ekzistencën dhe veprimtarinë shumë të veçantë, ushtarake, ekonomike por edhe diplomatike të këtij Misioni vihet re edhe në palën italiane. Këta dinë shumë, por ndërkohë manipulojnë edhe më shumë.
Në një rast raportet e shërbimeve të tyre të fshehta për vitin 1945 bëjnë fjalë për një rol të paligjshëm të Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate në futjen në Shqipëri të dy italianëve me bindje komuniste, njerëz të PKI, të cilët planizonin mundësinë e punësimit të tyre si diplomatë në legatën e shtetit italian, që pritej të ngrihej në Tiranë.
Këta qenë “profesor Romano” dhe “koloneli Dolfi”.

Sipas raportit sekret ishin ndihmuar nga Misioni që fshehtas të hynin në Shqipëri për të biseduar me drejtues të lartë të pushtetit vendas dhe nëpërmjet tyre të kushtëzonin qeverinë e Romës t’u jepte nga një post në përfaqësinë e ardhshme diplomatike.
Një raport tjetër i strukturave të informimit të fshehtë të shtetit italian, hartuar në 21 shtator 1945, vinin në dukje se njerëzit e vënë posaçërisht për të grumbulluar të dhëna rreth veprimtarisë së Misionit Ushtarak Shqiptar konfirmonin një fakt të rëndë: prej selisë së tij kryheshin zhdukje personash, kryesisht kundërshtarësh politikë që banonin në qytetin e Barit.
Në atë raport bëhej fjalë për të paktën pesë raste të tilla.

Sipas policisë italiane, njëri prej tyre me emrin Jorgji Lipi, kishte qenë i detyruar të shkonte në mision i shoqëruar nga pas prej dy oficerëve të tij. Pastaj qe futur në zyra dhe nuk pati dalë më. Ishte dërguar në Shqipëri.
Sipas policisë vendase, për të flitej se kishte rënë në një grackë borxhesh. Kjo kishte qenë edhe kurthi që i patën ngritur njerëzit e Kadri Hoxhës. Gjithnjë sipas policisë italiane, raportuar kjo në raportin e shërbimit të fshehtë civil të vendit, pasi ishte dërguar në Shqipëri Jorgji Lipi qe pushkatuar prej autoriteteve shqiptare të regjimit komunist.
Rasti tjetër ishte i lidhur me emigrantin Haki Kapidani, i cili banonte në qytezën Mola të Barit. Në Shqipëri kishte qenë oficer me gradën e kapitenit. Ishte rrëmbyer prej pjesëtarësh të Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate me arsyen se në banesën e tij strehoheshin kundërshtarë të arratisur të regjimit komunist në Tiranë.

Rrëmbimi i Hakiut pati përfunduar, thotë raporti, me dërgimin në Shqipëri, ku edhe ky qe pushkatuar.
Gjithnjë sipas policisë së qytetit të Barit, shënuar kjo edhe në raportin informativ, pati ndodhur që këta një ditë kishin dalluar dy ushtarakë (partizanë) të Misionit Shqiptar, të cilët të hipur në një motoçikletë, lëviznin nëpër rrugë me një pistoletë me vete. Duke dyshuar se atë armë e përdornin për të kërcënuar opozitarët e regjimit në vendin e tyre, patrulla policore italiane u kërkoi shpjegim.

Por të dy ushtarakët e Misionit, pasi u thanë se atë armë e mbanin për vetëmbrojtje nga grupe kriminale që vepronin në qytet dhe sidomos në zonën e portit, u paraqitën edhe lejen e rregullt përkatëse për mbajtjen e asaj pistolete.
Sidoqoftë që prej këtij rasti autoritet italiane morën vendim që ushtarakët shqiptarë të Misionit të lëviznin me armë vetëm në rastin kur u jepnin autorizim në prefekturë apo polici. Po ashtu çdo emigrant shqiptar që do të kthehej në vendin e tij, para se të nisej, me pak fjalë para se t’i hipte anijes apo vaporit për Durrës a Vlorë, duhej të firmoste një deklaratë se këtë veprim po e kryente “me vullnetin e të tij të lirë dhe spontan”.

Në raportin e 25 tetorit 1945 Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimit Publik në Ministrinë e Brendshme theksonte se nuk ishin shumë optimistë që kështu ua kishin vënë nën kontroll Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate veprimtarinë e dyshuar për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, sepse më së pari ushtarakët britanikë i shihnin këta të fundit me sy të mirë dhe nuk dëshironin aspak që të tuteloheshin nga autoritetet italiane.

Drejtoria e mësipërme vinte në dukje se britanikët bënin një vesh shurdh dhe një sy qorr për ndërhyrjet që oficerët e Misionit Ushtarak Shqiptar kryenin mes emigrantëve politikë në Santa Maria di Leuca, ku ndodhej edhe kampi i izolimit të eksponentëve ballistë të arratisur nga Shqipëria pasi pushtetin atje e kishin marrë njerëzit e Enver Hoxhës.
Raporti ngul këmbë se koloneli Hartley, oficer i rëndësishëm në Bari pranë Komandës Aleate, e konfirmonte që ushtarakët e Misionit Shqiptar “u bënin presion refugjatëve shqiptarë me qëllim që këta të kheheshin në vendin e tyre, por “nuk ekzistonte asnjë provë që kjo ndodhte nëpërmjet kërcënimit me armë”.

Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit Publik të Ministrisë së Brendshme Italiane të 25 tetorit 1945, teorikisht mund të qe e mundshme që Misioni të niste për në Shqipëri ilegalisht opozitarë të regjimit të Enver Hoxhës, përderisa viheshin re nisje ilegale të shumta barkash të vogla drejt brigjeve shqiptare, veçanërisht që nga Porti i Vjetër i Barit, por autoritetet anglo-amerikane të Komandës Aleate hidhnin poshtë me vendosmëri fjalët e përhapura se Misioni për këtë transportim të fshehtë përdorte edhe një avion.

Ishte Mision i Miqësisë dhe jo i luftës kundër popullit italian
Italianët i kishin përshkruar ushtarakët shqiptarë të Misionit si thyesit më të papërmbajtur të ligjit, por e tërë kjo lëndë u fut e mbeti dinakërisht nëpër sirtarët e zyrave të tyre të kohës dhe nëpër kthetrat e mosmarrëveshjeve të mëdha mes Tiranës dhe Romës të fundvitit 1945 dhe motit 1946. Por në 10 shkurt 1947, pothuaj një mot nga dëbimi i Misionit Ushtarak Shqiptar Tirana ia kishte dalë betejës: në “Salon d’Holgoge” të godinës së Ministrisë së Jashtme të Francës në Paris u nënshkrua me ceremoni Traktati me Italinë.

Qe një dokument me 11 kapituj dhe 78 nene, përveç anekseve. Në të thuhej se Italia njihte dhe angazhohej të respektonte sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Italia njihte gjithashtu që ishulli i Sazanit bënte pjesë në territorin shqiptar dhe hiqte dorë nga çdo rivendikim mbi këtë ishull. Italia ndërkohë hiqte dorë në mënyrë formale nga gjithë pasuritë (me përjashtim të godinave që mbaheshin normalisht nga misionet diplomatike dhe konsullore), nga çdo e drejtë interesi e avantazhi të çdo lloji, të fituara nga shteti italian në Shqipëri, qoftë përpara, qoftë pas 1939-s. Sipas traktatit të firmosur Italia hiqte dorë, gjithashtu, nga rivendikimi i çdo interesi të veçantë apo i çdo ndikimi të veçantë në Shqipëri….”.

Me italianët fashistë patën fituar luftën dhe më 1947 edhe pasluftën. Me gjermanët do të ishte një histori më e ndërlikuar.
Veç miqësimin me italianët partizanët e Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Komandës Aleate e meritonin. Qenë dashamirës me këtë popull. Pas kapitullimit i kishin strehuar edhe nëpër shtëpitë e tyre. Ndërkohë një raport i Kadri Hoxhës dërguar Tiranës në 16 prill 1945 me titull “Marrëdhëniet italo-shqiptare”, mes të tjerash vinte në dukje një qëndrim shumë të ngrohtë të tij si edhe të tërë personelit të Misionit.

Teksti i ruajtur në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (MPEJ) thotë mes të tjerash se “Përgjithësisht partitë politike t’Italisë nuk janë të disponueme keq karshi Shqipnisë me gjith disa lajme jo të favorshme që ka botue shtypi mbi sekuestrime, keqpërdorime kundrejt italianëve në Shqipëni etj. Me gjith njohunitë e paka që kanë mbi Shqipninë e Re dëshirojnë me i zhduke përshtypjet e këqija që ka lanë fashizmi në Shqipni dhe do të dëshirojshin me vendosë sa më parë marrëdhanje të rregullta ekonomike dhe diplomatike”.
Tiranë, më 30 qershor 2019/GSH.AL

Advertisements
Advertisements