Koloneli në rezervë, Myfit Qorduka, tregon “zbarkimin” e Kryeministrit, Mehmet Shehu, në bazën ushtarako-detare, ndërsa kishte filluar krisja me Moskën. Fjalimi përpara detarëve shqiptarë dhe sovjetikë. Rrëfimi i Mehmetit për takimet me Titon

Kolonel Qorduka është një ndër oficerët detarë më të vjetër. Ka lëvizur thuajse në të gjitha bazat ushtarake shqiptare dhe ajo që është kryesore, ai ka mbajtur shënime për të gjitha lëvizjet.  Ndër ato që ai veçon është koha e prishjes me ish-BS ku baza detare e Pashalimanit u bë një arenë përplasjesh mes ushtarakëve tanë dhe atyre rusë.

Bazat ushtarake në kuadrin e Luftës së Ftohtë ishin në qendër të vëmendjes. Si do ta cilësoni Pashalimanin, në vitet e luftës së Ftohtë? Çfarë roli kishte kjo bazë me nëndetëse ruse?

 Për FLD-ne e bazën në veçanti, nga Ministria jonë e Mbrojtjes ishin dhënë porosi konkrete, që nga kalimi në gatishmëri të lartë luftarake, deri te ruajtja e gjakftohtësisë e korrektesës me rusët (sovjetikët), por gjithmonë duke lënë të kuptonin se baza ishte e jona e se shqiptarët ishin zotër të saj. Ndërsa sovjetikët, me orientimin e tyre nga eprorët në Moskë, jo vetëm tentonin  të vinin në dukje se ata ishin më të përgatiturit, më të aftit, por nga ana tjetër, synonin përforcime të reja në forca, mjete e logjistike, me qëllim që të ishin në avantazh në situatat më të vështira që priteshin.

 Çfarë ndodhi në këtë kohë në bazë, si ishte situata?

Duke shfrytëzuar zhvillimin e punimeve të sapo përfunduara të Kongresit të 4-të, por sigurisht me synimin për të parë nga afër këtë “pikë të nxehtë”, ku reflektohej në terren krisja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, në fund të marsit të vitit 1961, në Pashaliman me urdhër të Enver Hoxhës, mbërrin me urgjencë Mehmet Shehu. Ardhja e Mehmet Shehut në Bazë edhe pse qëllimi i ardhjes zyrtare iu komunikua palës sovjetike në këtë njësi, nga ana e tyre kuptohej fare qartë misioni i vërtetë i ardhjes së kryeministrit shqiptar në Pashaliman. Në takimin me Mehmet Shehun, i cili u zhvillua në sallën e bazës, që merrte deri në 1000 vetë, morën pjesë edhe kuadrot e detarët sovjetikë. Mehmeti ishte veshur me një kostum sportiv, me çizme të gjata lëkure, kasketë kafe dhe ishte i shoqëruar nga  këshilltari rus i mbrojtjes për flotën, kundëradmirali Zagrebin. Futja e Mehmetit në sallë, pritja me duartrokitje e thirrje frenetike “Partia e Punës! Enver Hoxha!”, imponuan që edhe rusët (sovjetikët) të çoheshin më këmbë nga zori. Për kortezi ata bënin sikur takonin duart, ndonëse vlonin nga brenda!

Për çfarë foli Mehmet Shehu?

Midis të tjerave, sipas ushtarakëve të Flotës të pranishëm në atë takim, kryeministri shqiptar foli për revizionistin Tito, ç’përfaqësonte ai për vendin tonë e për kampin socialist, rrezikun që paralajmëron ideologjia e tij për vendin tonë e socializmin, duke lënë të nënkuptohej hapur se edhe mbështetja e tij nga sovjetikët, ishte një hap me rrezik dhe jo në drejtimin e duhur! Gjatë bisedës, tregimin për revizionizmin titist e rrezikun për socializmin, Mehmeti e lidhi dhe me njohjet e tij me Titon, udhëtimin së bashku me të në të njëjtin vapor për në Amerikë, qenien së bashku për gjah etj…

Më pas, Mehmet Shehu, duke folur për fuqizimin e bazës së Pashalimanit, rolin e saj në mbrojtjen e Shqipërisë dhe vendeve të Traktatit të Lindjes kundër rrezikut të imperializmit ndërkombëtar, theksoi: “Kush do të punonte për likuidimin e kësaj baze, do të forconte krahun jugor te NATO-s!“ Në këtë rast, kujtojnë pjesëmarrësit në atë takim, mesazhi ishte i qartë, si për ushtarakët sovjetikë, ashtu edhe për ata shqiptarë. Vizita e Mehmet Shehut në bazën e Pashalimanit dha mesazhin e qartë dhe direkt, se tashmë krisja e marrëdhënieve me sovjetikët ishte një fakt real, se me gjithë manovrat, presionet e kërcënimet me të gjitha format nga ana e tyre, baza ishte e shqiptarëve e do të mbrohej me çdo kusht nga kuadrot e marinarët e Flotës.

Në këtë mënyrë, nuk bëhej më fjalë për eliminimin e incidenteve, por për mbajtjen e situatës nën kontroll, rritjen e vigjilencës e marrjen e masave të gjithanshme, që krahas ruajtjes së gjakftohtësisë, komandantët shqiptarë, së bashku me efektivat që drejtonin, të nuhasnin në kohë çdo plan apo manovër të sovjetikëve, duke sjellë neutralizim të çdo përpjekje për marrjen e bazës apo rrëmbim të anijeve e nëndetëseve në një ikje të mundshme. (Burimi: afp.al)