Nga Pandeli Bardhi                

Sikur edhe në ditën më të keqe të mendimeve të jem, kur vjen puna të shkruaj për Dritëroin shkrimtarin, poetin, publicistin e filozofin, si pa e kuptuar as vetë, mendimet vijnë  vrullshëm e “ngatërrohen” me njëri tjetrin pa qëndruar në radhë!

Sa herë që vjen Tetori, muaji i letërsisë, vjen edhe Dritëroi, Gjithmonë ai do të vijë në Tetor sepse kohës i dha emrin e tij dhe koha i dha atij vetëm “ditëlindje”! Këtë Tetor, Dritëroi, mbush 88 vjet. Vitet do të kalojnë, shekujt do të kalojnë por Dritëroi, do të mbetet po ai, ai që ka lindur më 13 Tetor të vitit 1931, ai që do të mbetet përherë në zëmrat e qytetarëve të të gjitha moshave të këtij vendi, të brezave të sotëm dhe të atyre që do të vijnë.

Sa më shumë vitet kalojnë  Dritëroi aq më madhështor duket, aq më frymëzues duket për të rinjtë e të rejat, për të moshuarit, për të gjitha moshat. Dritëroi, do të jetojë sa të “jetojnë” edhe fushat e malet, sa të jetojnë ugaret, sa të jetojë aroma e kësaj toke, sa të jetojnë cicërimat e zogjve, aroma e luleve të cilave i këndoi me shpirt. “O toka ime që të lërova e të thura këngë/  Që të kam dashur plisin dhe barin/  Që të kam fshirë me duar, me mëngë/  Në ç’vend ma le varrin?” Të pavdekshëm Dritëroin e bën vepra e tij e lidhur aq ngushtë me baltën e kësaj toke, me zinxhirët e traktorit që lëron në arrë, me melodinë e fyellit të bariut, me aromën e luleve…

Koha, këto nuk mund t’i heqë dot nga vargu i tij, nuk ka sesi të shkëputi dheun, malet e fushat nga shpirti i tij, nuk ka se si të shkëputi ujin e kulluar të lumenjve, ajrin e pastër të kësaj natyre.. .Vepra e Dritëroit,është e lidhur pazgjidhmërisht me çekiçin e punëtorit, me parmendën e bujkut, me vlagën e kësaj toke, me cicërimat e zogjve…Tetori, letërsia dhe Dritëroi, nuk do të ndahen asnjëherë, janë të lidhura pazgjidhmërisht me njëri tjetrin aq sa janë bërë njësh. Dritëro Agolli, hyn në rangun e atyre njerëzve të mëdhenj, që nuk kanë ditë vdekje.

Vepra e Dritëroit,  është vepra e një patrioti të vërtetë, e poetit e shkrimtarit të Madh  që nuk lëvizi  asnjë grimë nga  “pozicioni” i një patrioti të vërtetë,  zëmra e të cilit  pushtoi fushat e malet,  pushtoi natyrën,  pushtoi tokën shqiptare e mbi të gjitha pushtoi shpirtrat e njerëzve të të gjitha moshave…Më ke parë ti, Atdhe, se cili kam qenë/ Edhe nëse jam lodhur për një cast/  Kokën në prehrin tënd kam vënë! Çdo kush, aty do të gjejë, frymëzimin, do të gjejë ndjenjat e tij, do të gjejë të bukurën, do të shohë të ardhmen.

Duke qenë një poet eksplicit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, poezia e Dritëroit,  i dedikohet fëmijës, nxënësit, mësuesit, fshatarit, intelektualit, ngase siç thotë eseisti i njohur anglez Tomas Strins Eliot: ”Kur një qytetërim është i shëndoshë, atëherë poeti i madh do të ketë diçka t’i thotë edhe shokut të tij, fshatarë të çdo shkalle të edukimit..”  Emri dhe vepra e Dritëroit të thjeshtë e të dashur, ka hyrë thellë në mendjet dhe zëmrat e talenteve të reja,e krijuesve të rinj.

Ata frymëzohen nga Dritëroi i Madh, ata ballafaqohen me Dritëroin, ata këshillohen nga Dritëroi.Vetëm në  Devoll janë me qindra “Dritëronj” të rinj e të reja, krijues të talentuar. “Dritëroi, për të gjithë ne do të mbetet poeti she shkrimtari model, frymëzuesi, edukatori, poeti dhe mësuesi jo vetëm për ne, shkrimtarët dhe poetët e rinj, por edhe brezat që do të vijnë. Ai është dhe do të mbetet “ilaçi” i zëmrave të të gjithëve” ..” thotë shkrimtarja dhe poetja e talentuar Eli Kanina. Ishte vetëm 13 vjeç atëherë Endri Fifo, i ashtuquajtur “bilbili” i Devollit kur për të parën herë që takoi Dritëro Agollin, “infeksionin” që mori prej tij e shprehu në vargjet:” Këngës do t’ja themi/ Iso të ushtojë/  Po këndon Devolli./  Këngë për Dritëronë/  Trëndafil i bardhë/ Çelur shtatëdhjetë herë/  E gdhende fjalën/  Me shpirtin e pendës..!     “Të gjithë menkularët, thotë Endri,  Dritëroin e kanë në shtëpi, e kur mërziten ndonjëherë apo edhe lodhen nga punët e shumta në bujqësi, i drejtohen Dritëroit për t’u  çmallur e për t’u çlodhur”!

Sa shumë ka depërtuar Dritëroi në zëmrat e fshatarëve të tij dhe jo vetëm..! Në fshatin e lindjes të Dritëroit, Menkulas, në c’do ditëlindje të tij, vinin dhe vijnë nga të gjithë fshatrat përreth. Ata, as atëherë, as sot, nuk thonë: “Do të shkojmë në Menkulas” por thonë: “Do të shkojmë të takohemi me Dritëroin”! E kujtojnë Dritëroin i madh e i vogël E kujton edhe Lida Lazaj, shkrimtare dhe poete e talentuar në takimin e saj të parë me Dritëroin në fshatin Dardhë:. “Nuk ngopem Lida me bukurinë e këtij pylli të bukur, këtij ajri të pastër këtyre cicërrimave të zogjve që më japin jetë, më çlodhin E, ashtu, tek vështronte,   binte thellë në mendime…”  Dritëroi, doli në “rrugë” qysh në vitin 1958 me librin e tij të parë “Në rrugë dola”.

Me të vërtetë, koha e deshte  që ky popull, ky vend, letërsia , nuk do të ishte e plotë pa penën e tij, pa fjalën e tij. Qysh prej asaj kohe e deri në vitin 2016 në librin e tij “Prit dhe pak” Dritëroi ka përcjellë tek lexuesit vetëm mesazhe të ndjenjave të popullit, ai komunikon lirshëm me të gjithë, prandaj edhe ai është aq i dashur me të gjithë, Poezia e tij, nuk njeh kohë e hapësirë, nuk njeh ide e ideologji, nuk njeh skemë e dogmë, ajo, i nënshtrohet vetëm artit.  :Poezia e mirë, thotë Gëte, duhet te ketë kuptim e muzikalitet”.

Të dyja këto Dritëroi i ka harmonizuar në mënyrë të përsosur. Dritëro Agolli, tundimi, këndellja, përzhitja dhe ngrohja e zjarrit të dashurisë, me gjithë kënaqësitë dhe pasojat që e bashkëshoqërojnë këtë zjarr që vjen nga toka. “Ngrita sytë e të shikova/ Dhe si dash në hell u shkova.”, poezia “Kur ecja anës divanit”. Po nga toka vijnë dhe imazhet e ndjesitë tronditëse që bëjnë lëndën poetike të vezullojë figurshëm në çdo fjalë dhe çdo varg.

Të gjitha për dashurinë, jeta dhe vdekja, fitorja dhe humbja: “Me gërshetin mbytmë mua/ Mbytmë dhe gjë tjetër s’dua.”, poezia “Laj e hidh gërshetin prapa”. Në letrat shqipe, nuk ka një poet të dytë që të jetë mbështetur kaq fort te shpirti i gjyshërve dhe ta ketë risjellë atë për lexuesin e ri, me kaq dashuri dhe kaq të plotë. “Pushteti i fjalës, është i vecantë thotë Dritëroi, ngase ajo, pra fjala”gatuan male dhe kakërdhi”për të vazhduar më tutje me plasimin e kësaj ideje me vargjet:

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë/ Pikojnë cezma me helm të zi/ Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë/ Kujdes me fjalën dhe ti zotëri. Pushteti i fjalës tek Dritëroi, është i pa kontestueshëm. Dritëroi i madh, jep mesazhe mirëkuptimi e tolerance për të gjithë. Ai, nuk ishte vetëm shkrimtar, poet e publicist, por ishte edhe politikan dhe si i tillë, do të mbetet model për brezat e sotëm e për ata që do të vijnë.

Dritëroi, shkruan për miq e dashamirës, shkruan edhe për kundërshtarë, edhe për ata që hedhin baltë. Nuk munguan që edhe pas ndarjes së tij nga jeta, njerrëz meskinë, tentuan të hedhin baltë mbi veprën e tij të pavdekshme, mbi emrin e tij që koha tashmë e vendosi në piedestal. Unë nuk dua t’i përmend këta njerëz hipokritë e bukëshkalë, që hërë pas here dalin e kërkojnë të marrin lavdi duke hedhur “gurrë’ e “baltë’ edhe mbi kollosët, ku njëri nga ata është edhe Dritëroi.

Këtyre “talenteve demode” përgjigjen nuk do t’ua jap unë nuk do t’ua japi më mirë se askush tjetër, më mirë nga sa jep vetë Dritëroi:” “Ju, aq baltë mund të hidhni mbi mua/  Sa në baltën që kam përmbi sup/  Mund të mbijë një dardhë a një ftua/ Një korije e madhe me dushk……Balta ngrihet mbi mua e pasur/ Sa mbi baltën korija bleron/ Trupin tim ma bleruat pa dashur/ Dhe më bëtë, vërtet plantacion..

E, ja tani që ai ka hyrë në pavdekësi, tani që vepra e tij është përjetësuar, është edhe më madhështor se kurrë, edhe se atëherë kur ishte gjallë. E Dritëroi, “zbret” ngadalë nga rafti i tij e hyn mes pjesëmarrësve të shumtë, mes atyre që i këndoi e shkroi një jetë të tërë, “hyn” e i takon të gjithë, i gjallë mes të gjallëve, “hyn” i pavdekshëm me “armën” e tij që nuk “ndryshket” kurrë, me veprën e tij madhështore.

Poeti i Madh, për më shumë se gjysmë shekulli, përçoi mezazhe dashurie, mesazhe harmonie, mesazhe mirëkuptimi edhe tek miqtë, edhe tek kundërshtarët. Ai, ishte njeri i të vërtetave, i harmonisë dhe jo i përplasjeve, i dashurisë dhe jo i urrejtjes. Me të drejtë Poeti i Madh shkruante: Poeti është si kudhra, që po nuk e godite, nuk lëshon xixa..”. Është mëse e vërtetë.

Poetin, tërë jetën e goditi “kudhra” tokë, “kudhra” e ndjenjave njerëzore, aroma e luleve, gurgullima e lumenjve, vlaga e tokës. E goditën e ai lëshoi “xixa”, “xixa” dashurie. “xixa” humanizmi, “xixa” optimizmi.. Këto “xixa” do të ndriçojnë në jetë të jetëve në qiellin shqiptar, në zëmrat e njerëzve, të qytetarëve të këtij vendi, “xixa” që nuk do të veniten kurrë… Vargu i të Madhit Dritëro, është aq i rëndë sa që nuk do ta tundin tërmete e uragane. Vargu i tij, fjala e tij, është e bërë njësh me tokën që i këndoi, me baltën e saj që i jep e do t’i japi freski në jetë të jetëve. Por vargu i tij, është edhe shumë i lehtë.. Është aq i lehtë sa që c’do kush, çdo i ri apo e re, çdo i moshuar, mund ta marri lehtë, ta përvetësojë e ta bëjë shumë shpejt “pronën’ e tij. Çdo kush, aty do të gjejë, frymëzimin, do të gjejë ndjenjat e tij, do të gjejë të bukurën, do të shohë të ardhmen.

Dy  simbolet e Devollit, Lumi i Devollit dhe Dritëroi i Madh. Të dy, nuk “shterojnë”, kurrë, të dy  do të japin dritë, do të ndriçojnë. Të dy, janë si në “rininë” e tyre kur mblidhnin, njëri burimet e pastra e të kristalta, e tjetri shkëndijat e ardhme të dritës që sot ndriçojnë ngado. Ja këtu afër, tashmë do të kenë edhe Dritëroin, do të mësojnë e do të frymëzohen nga frymëzimi i tij, do të çlodhen si çlodhej ai pranë pyllit e pranë ugarit, pranë mezhdës me barr, do të shkruajnë si shkruante ai, si një talent i rrallë. Të rrallë janë ata që kanë privilegjin tuaj Dritëro, privilegj që e kanë njerëz si puna juaj, që mbeten në histori. Të kuptohemi, dheun e pastër, baltën e pastër dhe jo atë të “infektuar” nga politikanët e paskrupull të të gjitha kohërave.. Ka edhe një arsye tjetër që dheu dhe balta për juve do të jenë shumë të lehta. Do të jenë të lehta sepse do ‘ju duhet të “ngriheni” shumë herë, ndoshta edhe disa herë në ditë . Do t’ju kërkojnë të gjithë, duan të “bisedojnë” duan të marrin një “mendim”, duan të çmallen me ju, duan t’ju “shohin” ballë për ballë sepse , sa për të lexuar, ju lexojnë, sa për t’ju çmuar, ju çmon vepra që keni “çimentuar” Edhe ata që nuk ju kanë lexuar por kanë dëgjuar për juve, këtej e tutje me siguri do ‘ju lexojnë do të frymëzohen edhe më shumë nga vepra juaj

Edhe sot, edhe në të ardhmen që Dritëroi mungon fizikisht do t’i thërrasi pranë vetes të gjithë me veprën e tij, për të marrë pak aromë nga toka mëmë, për të marrë pak mall nga vendlindja, për të marrë pak “ajër të pastër” nga “pylli” i tij, për të “pirë” pak ujë nga “burimet” dhe “kroi” i tij, që i ka lënë trashëgim për brezat e ardhshëm…. Dua ta mbyll me fjalët e shkrimtarit dhe aktorit Agim Xheka; “Dritëroi, është ulur në Piedestalin e përjetësisë. Nuk vdesin burrat si Dritëroi, nuk vdesin malet. Pusho, i dashur Dritëro, pusho dhe prehu i qetë, punove dhe u lodhe sa për njëmijë vjet”.

Burimi: Gazetadita.al