Nga Xhahid Bushati

Në vend të hyrjes

Gjatë punëve të mia hulumtuese e studimore, figurës së Migjenit, bashkëqytetarit tim, i jam kthyer disa herë. Diku kam mbledhur shënime e diku dramca shënimesh, si dhe kam shtuar shënimet e mia gjatë shqyrtimeve të teksteve, si krijimtari e tij; si dhe të autorëve të ndryshëm që kanë shkruar për të.

Gjatë shqyrtimeve, kam ndërtuar shumë fjali me pikëpyetje, të cilave dua t’u jap përgjigje…, ndonëse Migjeni me krijimtarinë e tij i ka dhënë përgjigje këtyre pyetjeve më shumë se një herë… Megjithatë unë ngulmoj në pyetjet e mia, si: “Ç’është në të vërtetë Migjeni?”, “Ç’do të thotë një poet i ri që ndahet nga jeta në moshën 27-vjeçare dhe ende rri i rrethuar me hekura në oborrin e teatrit që mban emrin e tij, pavarësisht se oborri është plot lule, plot aroma dhe ka hijeshi të veçantë?, Ç’është për një poet si Migjeni që shkruan të vetmen vepër “Vargje të lira” që i hiqet edhe nga qarkullimi, kur në thelbin e veprës, të mendësisë e filozofisë së tij kërkon të jetë i lirë dhe është i lirë?, “Ç’është për një poet si Migjeni: koha dhe paskoha, vdekja dhe pasvdekja?”,

“Ç’është për një poet si Migjeni: avanguarda dhe ekzistenca, mëkati dhe degradimi, morali dhe pashpresa, revolta dhe dhimbja, venitja dhe mjerimi, shpresa dhe grushti, ironia dhe blasfemia, apoteoza dhe qeshja rinore, …?”, “Ç’është për një poet si Migjeni: nga njëra anë përshkruan realitetin e dhimbjes, tragjizmin real të tij; ndërsa nga ana tjetër studiuesit ia kompleksojnë jetën dhe veprën e autorit duke i “shpikur” shtigje të reja e të panjohura që autori nuk i kishte pa as në andërr e as i andrronte?”, “Ç’është për një poet si Migjeni: Koha dhe Kujtesa? A është Koha brenda Kujtesës së Migjenit, apo është Migjeni brenda Kujtesës së Kohës?”, “Pse Migjeni është i gjithkohëshëm? Këtë emërtim si postulat e ka dhënë studiuesi Moikom Zeqo.”, “Po në kohën tonë, sa vërtetësi ka Migjeni?”  Edhe shumë pyetja të tjera kam për Migjenin… por… edhe për shumë pyetje unë nuk mund të kthej përgjigje… Mund të kthej përgjigje nesër, një ditë a një të ardhme… Ndoshta për një pyetje a për disa pyetje jam ende duke kërkuar në vepra a arkiva të gjejë përgjigjet e duhura… Le t’ia lëmë kohës…

Migjeni është poet elitar

Po të gërmosh në jetën e tij, fëmijëria e tij është jo e zakontë. Që në fëmijëri njohu kontrastet shoqërore, sociale dhe morale të qytetit të tij të lindjes. I vëzhgoi me kujtesë fëmijërie. Ky vëzhgim i pandalur e shoqëroi edhe në vitet e rritjes. Dhe vit pas viti i depozitoi në kujtesën e tij, përsëri, në një kujtesë jo të zakontë. Kujtesa “fotografoi” dhimbjen e shpirtit, mjerimin e shpirtit. Me të drejtë, prof. Vehbi Bala, në monografinë e tij, shprehet: “Fëminia e tij kaloi shpesh e shqetësuar nga kthesa të forta që shkaktuan luftrat e njëpasnjëshme në qytetin e lindjes dhe nga vdekja pikëlluese e nënës së tij të ëmbël. Imazhi i fëminisë do t’i mbetet i tiposur thellë në kujtesë dhe motivi i të vegjëlve do të trajtohet prej tij më se njëherë në temën e qytetit dhe të fshatit, ashtu siç do të trajtohet motivi i kundërshtimeve shoqërore, ekonomike e politike, i kontrasteve të shumta qytetare, i mjerimit, …, etj., me të cilat u ndesh që në vegjëli në qytetin e lindjes.”

Migjeni nuk lejoi që botën e tij njerëzore dhe poetike t’ia prekte kush. Askush. Botën e tij të pasur e motiveshumë e shpërfaqi në poezi, skica filozofike, tractate, në subjekte të prozës së tij moderne. Hollë-hollë, po t’i shikosh krijimet e “Vargjeve të lira”, pas çdo teksti: si gjenezë, si sfond a prani e njëjtësueme me krijimin qëndron dukshmërisht poeti i revoltuar, me buzëqeshjet e thame; qëndron e rrezatueshme bota e djaloshit Migjen që “ngrohet” nga poema e tij e mjerimit vr, astar “Kafshatë që s’kapërdihet, asht, or vlla mjerimi”. Dhe ai za i dashtun, më bahet se ende më ndjek e më flet: “Tue ndjekë shetinë, marr drejtimin kah jugu, kah një largësi 7 – 8 km, shof Shkodrën, të mbështjellun në një tym të kaltër.

Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë – shumë ma të sinqerta e ma të mëdha se dëshirat që pat perëndia kur krijoi botën. Shkodra, Shkodra, dashunorja e maleve të hjedhta, e lumenjve të cemtë, e liqenit andërrtar, në të cilin në mëngjeze të kullueta – lanë hijen e vet, Shkodra – një atitudë shprehjeje… një fjalë, e cila përmban gjithë nostalgjinë e ditëve të fikuna. Këtu, në ketë largësi, ndjej damarët e saj, që rrahin e rrahin… edhe, sikur mjeku, që tharton fytyrën, kur shef se pacienti i tij ka ethe, – q’ashtu dhe unë pezmatohem n’hidhnim, tue pa se pulsi i dashnores sime nuk rreh si duhet, Rreh dy herë – një herë – pesë herë – dy herë – tetë herë – dhetë herë – tridhet herë në sekund! Pushon përsëri: një herë – katër herë – gjysmë herë! – Tue rreshtue këto të rrahuna, fshama, pse nuk jam një pontifese maximus, një papë ose një patrik, të hudhi mallkimin e plotë, t’anatemizoj sëmundjen epidemije bashkë me shkaktarin e saj?”

Migjeni është poet pa vdekje…
            Poeti i mbylli faqet poetike që më 1935; por për t’i hapur ato të prozës, e për t’iu kushtuar asaj me ngulm; sepse e kuptonte që sëmundja po zgjeronte hartën e saj dhe vdekja tinëzare po i afrohej dita-ditës…

Në tipologjitë e krijimeve të Migjenit, jo se ndodh shpesh te krijuesit, por ka ndodhur te Migjeni që struktura e tekstit të ketë organicitet harmonioz (formë-përmbajtje), figura tronditëse, peizazhe tronditës, rrëfim e ligjërim elegjiak në të shumtën e rasteve, forcë brendësore fraze, ritëm energjik i saj; prani satire, alegorie e simboli; stil vrulltar, guxim e magji krijuese, këndvështrime të mahnitëshme që thyente monotoninë e atëhershme metrike… etj., etj. Shpirti kërkonte hapësira të reja, kërkonte zë migjenian, ndaj dhe vargjet duhen të ishin të tillë: frymëzues e realizues, që të mbartnin dramën migjeniane, e cila i flet kohës dhe përtej saj….

Migjeni ishte dhe mbetet poet i kontrasteve
Puka, ky vend malor, do të jetë vatra dhe streha për Migjenin mësues e poet. Edhe pse në mjerim, shpirti njerëzor e fisnik pukjan fal bardhësi për Migjenin, edhe pse ishte i sëmurë. Edhe këtu, përmes motiveve që shkroi Migjeni u ndesh përsëri me kontraste trishtuese deri në dhimbje, deri aty ku “nuk arrin zani”. Mësuesinë e filloi më 18.04.1936. Dha mësim në klasën e tretë dhe të katërt. Në klasën e tretë realizoi këto programe: hartim, drejtshkrim, aritmetikë, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe gjimnastikë. Ndërsa në klasën e katër realizoi këto programe: mësim moral e qytetar, hartim, drejtshkrim, gramatikë, aritmetikë, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe gjimnastikë.

E, duke mbetur në mjediset e këtyre dy klasave, nuk ka sesi të mos kujtojmë vocrrakët-nxënës, e në mes tyre Lulin e Vocërr dhe Zenelin, që u përjetësuan në skicat letrare si rrëfime mrekullie nga mësuesi i tyre shkrimtar. Këtu, do të pohojmë mendimin e prof. Bedri Dedjes, me të cilin ndajmë një mendje, se mënyra e strukturimit dhe ligjërimit të tekstit i takon letërsisë mbifëmijët.

Luli i Vocërr është një personazh i dashtun i Migjenit, aq i dashtun sa bota e tij vetmitare dhe e trishtuar plotëson e vijimëson botën e Migjenit të Madh. Migjeni e ndjek Lulin artistikisht hap pas hapi. Operon me çdo detaj. Çdo detaj dhimbshëm e i përvajshëm. Ata vizatojnë gjendjen shpirtërore të Lulit, që veç Migjeni e njeh, që veç Migjeni e di. Për rrjedhojë, kjo marrëdhënie ka aq afri sa mbetet një model dashunie dhe frymëzimi.

Luli është i pjekur para kohe. E ka pjekë varfëria, mjerimi. Edhe pse diku në një qoshe, teksa i buzëqesh një rrezeje të dobët; ai në shpirt ka ruajtur një tufë me ëndrra jo për veten, por mësuesin, Migjenin e tij të dashtun. “Nganjëherë i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur e ka fytyrën e dlirtë dhe pa puça, mësuesi ja ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ia merr dorën, e shikon me sy pëllumbi dhe kishte dashtë t’i fali diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. E Luli i Vocërr ç’ka mund t’i fali mësuesit tjetër? Veç në ja faltë tollumbat e veta që kanë hapun gojën si me dashtë me hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të Vocërr kanë me e hangër mësuesin”.

E kështu në dimensionin artistik: mbeten, ashtu, pranë e pranë Luli i dashtun dhe Migjeni i dashtun. Një dashtunim që i bën sfidë mjerimit, por edhe një model edukativ, një model  moral i ndjenjës dhe pastërtisë njerëzore. Njerëzorja e përshkon krye fund ligjërimin për Lulin e Vocërr. Po me të njëjtën pamje atë të njerëzores, por në një dimension e rrafsh tjetër, është parë nga mësuesi figura e Zenelit. Në disa aspekte Zeneli plotëson Lulin, por ka disa të përveçme, si: është i zgjuar. “Mjaft ma, Zotni mësues, mjaft na mësuet si duhet me jetue, çka asht mirë e bukur mjaft na mësuet, – megjithatë nap o rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tanë, po në ato gëzime e po në ato mjerime, të laun e të tretun ndër këto bjeshkë. Qe na shiko një herë, njenit nepër kmishtë të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t’i bjerë të fikët nga uria, një tjetër prap memezi përmbahet  mos t’i bajnë, dhambët brr nga ethet…” I gjithë ky fragment tronditës e tragjik i vendosur në gojën e Zenelit, që vetë është një personazh tragjik, zbulohet realisht realiteti që askush nuk mund ta përshkruante më bukur sesa pena e Migjenit. Para fjalëve të Zenelit kalojnë shokët e tij bashkëmoshatë: të pikturuar dridhshëm e të detajuar qartazi. Rrallë mund të ketë piktura të tilla, ku sundojnë kufijtë fëminorë e arsyetimet e tyre dalin jashtë këtyre kufijëve. Akuzat e Zenelit kanë dimensione shekspiriane.

Karakteristika e dytë e Zenelit është se, ai është inteligjent. Është personifikim i Dritës së Diturisë. Vetë, Zeneli është dhimbje e trishtim real. Vetë Zeneli është një ëndërrimtar dhe këtë ëndërrim e kërkon jo vetëm për të sotmen por edhe për të nesërmen, të nesërmen për ta realizuar. Ndaj ai sjell fakte e dukuri. I fakton ata me momente të trishta nga realiteti. “S’kemi kurrgja, Zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpia higjienike të mira si në shtetet e tjera jemi të vegjël”.

I lexon këto rreshta dhe të mbyt një det lotësh. Zeneli është guximtar dhe i vetdijshëm për çka flet, si: “… jemi të vegjël”.

.           Në të dy fragmentet që citova më lart, dëshiroj të evidentoj dy momente përbashkësie:  Në të parin, Zeneli e nis ligjërimin kështu: “Mjaft ma, Zotni mësues…”. Në të dytin, Zeneli e nis ligjërimin kështu: “S’kemi kurrgja, Zotni…”. Në të dy rastet komunikimi është i drejpërdrejt dhe i drejtohet mësuesit. Pret përgjigje nga Ai. Tek Ai e ka shpresën, tek Ai beson. Vetë shpresa dhe besimi është në figurën e gdhendur të Zenelit. Ai thotë shumë… Dhe unë personalisht nuk ndaj të njëjtin mendim me disa kritikë, të cilët kanë gjetur te kjo pjesë nota fataliste. Gjykimi i tyre mbeti brenda kornizave të një realizmi socialist. Gjykimi i tyre qe sporadik dhe jo i thelluar e i vërtetë. Zeneli, ashtu si Luli i Vocërr janë produkte reale të një realiteti tragjik. Dhe realja nuk është fatale, përkundrazi është pasqyrim konkret, pa zbukurime i realitetit real. Të rralla janë këto modele ligjërimore me personazhe, si: Luli i Vocërr dhe Zeneli. Vetëm madhështia e talentit të Migjenit shkon në kohë e përtej saj, në pasqyrim. Migjeni nuk është krijues i përshkrimit por i sintezës. Migjeni është i gjithkohshëm.

Migjeni, sipas dëshmisë së shokut të tij të rinisë, shkrimtarit Teufik Gjyli

Shkrimtari për fëmijë Teufik Gjyli ka pasur shoqëri të ngushtë me Migjenin. Në moshën e rinisë, ata nuk ndaheshin me njëri-tjetrin. Dhe shkrimtari për fëmijë ka botuar herëpasherë shkrime në formë kujtimesh për shokun e tij të rinisë, Migjenin. Teufik, kryesisht, i botoi në revistën “Nëntori”, dhe u përkasin viteve 1955 dhe 1961.

Shkrimtari kujton: “Ishte fundi i vitit 1933, kur u takova për herë të parë.

Qe një djalë i ri, i hijshëm, me një trup të drejtë, i pastër në veshje dhe ma i pastër në shpirt. Me bisedat e para ta fitonte zemrën e të bante për vete. Në natyrë të dukej gjithmonë i thithun dhe i përhjekun.

Migjeni i pa me sytë e vet ngjarjet, të cilave u kushtoi radhët dhe vargjet e tij. Ai vrente sendet, që i kalonin para syve. I vrente gjatë e me kujdes të madh. Pastaj mendonte. E, atëherë, shkruante.”

***

Migjeni shkruante… Mua më duket se ende shkruan… “Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë – shumë ma të sinqerta e ma të mëdha se dëshirat që pat perëndia kur krijoi botën.”

E deshti Shkodrën! Shkodra për Migjenin ishte testament./Mapo.al