Me ardhjen e partizanëve në Shkodër, në vitin 1944, edhe për këtë qytet filloi një periudhë e re, krejt ndryshe nga përpara saj. Institucionet katolike dhe kleri katolik si përgjegjës për ngritjen e tyre, filloi të përndiqej në mënyra nga më të shëmtuarat, deri te më çnjerëzoret. Fat të tillë pati edhe “Tipografia e Zojës së Papërlyeme”.

Në Shkodër filluan të krijoheshin shtypshkronja të tjera, duke krijuar një konkurrencë me atë të Jezuitëve. Kështu, pranë françeskanëve u çel Shtypshkronja Françeskane, ndërsa dom Ndoc Nikaj çeli shtypshkronjën e tij me emrin “Shtypshkronja Nikaj”. Kështu priftërinjtë françeskanë dhe ato dioqezanë nuk kishin përse t’i botonin veprat e tyre pranë “Zojës së Papërlyeme” për sa kohë kishin shtypshkronjat e tyre. Për këtë arsye, “Zoja e Papërlyeme” kaloi një krizë ekonomike nga e cila nuk doli deri në fundin e saj.

Përpjekje të mëdha u bënë që të mbaheshin aktive të paktën dy revistat “LEKA” dhe “Lajmtari i Zemres s’Jezu Krishtit”, por nuk patën sukses. Atë Giovanni Fausti mendoi shndërrimin e revistës “LEKA” në një revistë me natyrë fetare jo domosdoshmërisht kristiane, duke e bërë të vlefshme edhe për lexuesit katolikë, por përpjekja dështoi. Ndërsa Atë Antonio Toldo, drejtuesi i “Lajmtari i Zemres s’Jezu Krishtit” mendoi të përfshinte edhe autorë joshkodranë duke u dhënë liri në dialektin e të shkruarit. Ideja u prit ekstremisht ndryshe: disa ishin shumë entuziastë, ndërsa disa të tjerë e kundërshtuan me forcë. Të dyja këto përpjekje të bëra në vitin 1944 dështuan.

Goditjen e fundit “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” e mori me datë 6 mars të vitit 1946, kur Këshilli i Ministrave i udhëhequr nga Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, me akuzën “veprimtari antikombëtare” qoftë gjatë Luftës II Botërore, qoftë pas saj duke proklamuar fashizmin, vendosi mbylljen dhe shpronësimin e menjëhershëm të të gjitha institucioneve kishtare, përfshirë edhe ato të Jezuitëve.

Në Protokollin e konfiskimit, del në mënyrë mjaft të saktë ajo çfarë u konfiskua në vitin 1946 nga brenda shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese të Jezuitëve:

a. Një makinë prerëse letrash.
b. Një makinë për kapjen e librave.
c. Një makinë palosëse.
d. Një makinë mashe dhe një e vogël automatike shtypi.
e. Një makinë e vogël shtypi dore.

Ndërsa në lidhje me materialet e gjetura :

a. 15 rafte me gërma shtypi dhe gjithfarë lloj letre dhe boje për shtyp.
b. [Veçanërisht] Top me fletë të kuqe letre.

Jashtë protokollit nuk mbesin as 28315 titujt e konfiskuar të cilët klasifikohen si “e mirë”.
Kështu perëndon në vijën e horizontit të kuq komunist historia e lavdishme e të parës shtëpi botuese në Shqipëri, kontribut dhe vlerë e rëndësishme e elementit Jezuit të vendosur në Shqipëri.

Studimin e plotë mbi shtypshkronjën “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” e ka bërë Markus W. E. Peters në librin e të cilit është bazuar shkrimi i këtij artikulli.

Burimi: Konica.al/Andreas Dushi