Kur lëvizja për pavarësi mori përmasa gjithëkombëtare, në të cilën morën pjesë gjithë shtresat e popullsisë, për lirinë e Shqipërisë luftuan krah për krah bujku dhe bariu, punëtori dhe intelektuali, feudali dhe tregtari, myslimani dhe i krishteri.

Në bashkimin e gjithë këtij “Konglomerati” social, në luftën për shqiptari, ndikuan idealistët kombëtar, ku rol të dorës së parë ka luajtur kleri e veçanërisht ai katolik.

Në këto përpjekje, Nikollë Kaçorrit i qëlloi të udhëhiqte popullin katolik të Arqipeshkvisë së Durrësit, me një shtrirje relativisht të gjerë që mori emrin Arqipeshkvia e Arbërisë, me qendër në fshatin Dilbnisht të Kurbinit.

Ideja e vjetër dhe e përhershme e Nikollë Kaçorrit ishte bashkimi dhe bashkëpunimi i tre komuniteteve fetare në realizimin e lirisë. Liria e shqiptarëve dhe çlirimi nga Turqia ishte feja dhe gjëja më e shenjtë për shqiptarët dhe ekzistencën e tyre. Ky klerik me zemër të madhe, luftoi gjithë jetën e tij, duke u tërhequr nga ky parim dhe ide themelore, si në planin politik, kulturor dhe atë të luftës për liri.

Loading...

Në kushtet kur Perandoria turke ishte në momentet e fundit të ekzistencës së saj Shqipëria dhe shqiptarët u gjetën mes shumë zjarreve dhe në udhëkryq historik. Shpërbërja e Turqisë, shkëputja e Shqipërisë ndaj saj, rreziku i copëtimit nga fqinjët shovinistë sllavo-helenë. Situata komplikohej dhe nga interesat e fuqive të tjera evropiane, që kërkonin të ndikonin në formimin e hartës së re politike të Ballkanit. Ndaj celebrimi i Pavarasisë së Shqipërisë në këto kushte bëhej detyrë urgjente për patriotët shqiptarë.

Imzot Ndre Mjeda dhe Nikollë Kaçorri ishin ndër patriotët më kryesorë të përgatitjes së situatës për shpalljen e pavarësisë. Patrioti Abaz Çelkupa kujton:”Më 20 nëntor 1912, më dërguan dy telegrame ku më lajmëronte Ismail Qemali se më 21 nëntor do mbërrinte në Durrës. Po atë natë shkova tek Nikollë Kaçorri. U mblodhëm dhe afër mesnatës vendosëm që Stef Kaçulini do të dilte në pritje të Ismail Qemalit ndërsa ne të tjerët do merreshim me banesën dhe ushqimin.

Shtëpia e Nikollë Kaçorrit u përgatit dhe u bë shtëpia pritëse e I. Qemalit. Ismaili u prit me gjithë nderimet e duhura. Folën të dy për situatën e vendit dhe të Durrësit në veçanti. U mendua të mbahej një kuvend i zgjeruar për të bindur popullin pse duhet të ngrihej flamuri në Durrës. Durrësi ishte qendër sanxhaku, qendër konsullatash dhe një port me rëndësi dhe për këtë arsye u mendua që lajmi do hapej me shpejtësi në gjithë rajonin dhe në Evropë.

Mbledhja u bë në 22 nëntor dhe u drejtua nga Ismail Qemali. Mirëpo në sallë kishte shumë anëtarë të klubit xhonturk dhe përkrahës të despotit grek, Jakov. Ky i fundit tha para të gjithëve se ata njihnin vetëm flamurin anadollak dhe se ai ishte flamuri i shqiptarëve. . Kjo fjalë zuri vend dhe Ismail Qemali vendosi që flamurin ta ngrinte në Vlorë.

U zgjodhën delegatët nga klubi “Bashkimi” mbledhje që e drejtoi Nikollë Kaçorri. Aty u zgjodhën delegatët që do merrnin pjesë në këtë ngjarje madhore. Mbledhja u mbajt më 28 nëntor në Vlorë dhe në fjalën që mbajti Nikollë Kaçorri ishte kjo:”O flamur, o vdekje. Flamurin ta ngremë sot. Nëqoftë se do e lëmë për nesër të vdesim sot.

“Sot”,-I përgjigjet me lot në sy Ismail Qemali. Firma e parë në dokumentin e Pavarësisë është ajo e Nikollë Kaçorrit.

Kuvendi i Vlorës zgjodhi Qeverinë e Përkohshme me kryetar Ismail Qemalin dhe nëkryetar Nikollë Kaçorrin.

Gjatë qeverisjes së Vlorës pati suksese por lindën dhe shumë shqetësime sidomos pas emërimit të Esad Pashë Toptanit si ministër i brendshëm dhe i Luftës më 3 korrik 1913, marrëdhëniet me të cilin nuk qenë asnjëherë të mira. Interesat e grupeve të ndryshme që përbënin qeverinë e Vlorës si dhe rrymat përfaqësuese në Senat e në Qeveri, reflektonin jo vetëm shqetësime klasore të brendshme, por kondiciononin dhe pafuqitë e qeverisë për të kryer misionin kombëtar të qeverisjes së vendit.

Në mars 1913 Nikollë Kaçorri i paraqet me shkrim Ismail Qemalit dorëheqjen. Ishte një akt shumë i fismë por që nuk u mirëprit nga Ismail Qemali. Për shkak të interesave kombëtare dorëheqja e tij nuk u pranua. Nikollë Kaçorri mendonte se kufijtë vendosen jo vetëm me ec e jake diplomatike të Qeverisë. Qeveria e re dhe e dobët nuk mund t’i tregonte forcë Evropës, por nga ana tjetër populli me patriotët duhet të vepronin me forcë kundër inkursioneve të shovinistëve ballkanas. Ky kombinim sipas Kaçorrit s’do ta kompromentonte politikën diplomatike të qeverisë, por do e ndihmonte.

Në 17 dhjetor 1912 pas mbarimit të Luftës Ballkanike, Fuqitë e Mëdha u mblodhën në Londër për të diskutuar dhe vendosur mbi Ballkanin e ri, vendosjen e kufijve dhe krijimin e hartës së re politike atje. Esad Pasha i dorëzon Shkodrën Malit të Zi, më 12 prill 1913. Menjëherë Nikollë Kaçorri bën protestë në emër të Qeverisë, Konferencës së Londrës, duke i kërkuar fuqive të mëdha kthimin e Shkodrës në vartësinë e qeverisë së tij. Më 8 qershor 1913, Nikollë Kaçorri bëri një qarkore ku vihej në dukje mbrojtja e territoreve dhe bëhej e qartë se vendi ishte më në rrezik se kurrë.

Nikollë Kaçorri hodhi poshtë tentativën Serbo-Malazeze, për ta bërë Esadin princ të Shqipërisë së Mesme, dhe u konsiderua ky plan shkatërrimtar, jo vetëm për qeverinë, por për të gjithë shqiptarët. Kaçorri hartoi dhe një qarkore tjetër, me tone të ashpra dhe paralajmëroi rrezikun që i kanosej vendit. Ai kërkoi që të shpallej botërisht nevoja e ruajtjes së Atdheut, si sytë e ballit. Në qarkore thuhej që të gjitha ceremonitë në kisha e xhamia të mbaheshin në shqip.

Duke pasur parasysh situatën e komplikuar, pas kthimit të delegacionit nga Londra, përçarja brenda qeverisë u bë evidente. Rryma kryesore antishqiptare e antiqeveritare ishte ajo e kryesuar nga Esati. Nikollë Kaçorri bashkë dhe me pak qeveritarë ka qenë kundërshtar pa ekuivoke i politikës esadiste, që në thelbin e saj ishte politikë kolaboracioniste në dëm të interesave kombëtare dhe në favor të interesave të tij për pushtet.

Ai i bëri thirrje popullit të ngriheshin kundër serbit për të të ndryshuar vendosjen e padrejtë të kufijve.

Por ngjarjet politike rrodhën si rrodhën me shqiptarët që gjatë gjithë historisë nuk janë marrë vesh kurrë me njëri-tjetrin dhe Fuqitë e Mëdha vendosën ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri.

Nikollë Kaçorri deri në fund të jetës së tij  u shqua për patriotizëm dhe dashuri të ethshme ndaj atdheut. Ndaj figura e tij është një nga më të rëndësishmet e patriotëve shqiptarë që dhanë gjithçka për atdheun e tyre./Arlinda Canaj/Konica.al/