Nga Këzëll-Topraku në Eren-Qoj shkonja shpesh dhe kurdoherë kthehesha më këmbë. Ajo orë ecjeje, që në dekor i njihja çdo çip, çdo pikë, ishte për mua një zbavitje me një pëlqim të madh.

Vetëm sot jam i pikëlluar, pakëz si më tepër se herët e tjera. Tek Murati kisha qenë prapë dëshmitar i mihjes, i thirrjeve të ashpra me fjalë të vrazhdëta. Asija 1 , kushërira ime më e madhe, buçiti në një shtrëngatë qortimi e sharjesh kundër Muratit, duke e gjetur këtë, tek e shikoja, si një detar brenda në limer të qetë, po edhe jo pa një frikë, të përzier me atë dëshpërim që na jep pamja e një sëmundjeje fizike.

Pa arritur në Fenerjoll, në të djathtë, shega me lulet e kuqe, që zbukuronte shtëpinë, qoshkun e drunjtë dhe të gjitha foletë e njerëzve, shega, them, më çeli sytë si një mikeshë e njohur dhe nuk munda t’i shkonja përpara pa e përshëndetur. A duhet edhe të them që ishte vjeshtë, koha afër të ngrysurit? Qarkrrethina mbarë, që më shtoi pikëllimin, duke mejtuar skenën që kisha kapërcyer qëparthi, nga një shkallë te tjetra shtigjeve të mejtimit, u gjenda përpara zemrës sime, ballë për ballë me veten time. Ndjenja e mëshirës për Asijen, që e shihja kurdoherë në përleshje fjalësh, herë me të shoqin, herë me t’ëmën, e kësaj Asije, që me gjithë të metat e saj më ishte aq e dashur, më bëri të më vijë keq për të, të kuptoj se mungesa e butësisë së zemrës, e lidhkave të afeksionit, është padyshim fatkeqësia më e rëndë për njeriun. Edhe befas një re e zezë më shkoi në qiellin tim: a nuk gjendem edhe unë në një zbrazëti, pa mbështetje dhe dhembshuri, pa qëllim, pa një ngrohtësi, ku të zbutet akulli i jetës.

Ky mendim më solli një hidhërim, se më gjente vetëm, të dobët dhe pa fuqi, përpara këtij labirinti, atij kaosi që i themi Uni. Edhe Uni me trembte, më dukej një gjë e thellë dhe e zezë, si nëndhesat e shtëpive të mëdha, kur isha i vogël.

Kisha kapërcyer stacionin e Fenerjollit, shtëpitë e fundit të kësaj mëhalle, dhe kisha marrë shtegun drejt skajit të Gjoztepes. Isha në atë lëndinë të madhe si një bjeshkë, që zbret me ngadalë dhe butë drejt Marmarasë në një horizont të gjerë dhe të shkëlqyeshëm. Kur, përnjëherë, një qetësi, një ngushëllim zbret në të thellët e Unit. Fytyra e Mimikës, e kësaj motre të njomë më ishte shfaqur, për të më thënë që kisha në zemër një dashuri të vërtetë për këto krijesa, jo sot, por qëkurse fati m’i kishte dhënë për shoqe në jetë. Edhe kjo fytyrë me ato ide ndriçuan korridoret e labirintit si një rreze në atë kaos. Tani shihnja, kisha fuqi dhe gëzim.

Shkruar herën e parë më 1898-1899 në Eren-Qoj (Shënim i autorit)

***

Vjeshtë, 1905

Marrë me shkëputje nga Exlibris.al