Një kalë i vogël jetonte së bashku me nënën e tij dhe nuk kishte dalë asnjëherë nga ambjenti i tij. Një ditë nëna i tha: “Është momenti që ti të dalësh dhe të mësosh që të bësh disa blerje të vogla për mua. Çoje këtë thes të vogël gruri në mulli!”

Me thesin e vogël mbi samar, i kënaqur që po bëhej i dobishëm, kali i vogël kërcente nga gëzimi duke shkuar për në mulli. Por pas pak përgjatë rrugës pa që lumi ishte fryrë. 
“Çfarë duhet të bëj? A mund ta kaloj lumin?”

U ndal i pasigurt në breg të lumit. Nuk dinte se kujt mund t‘i kërkonte një këshillë. Hodhi vështrimin përreth dhe pa një buall që po rrinte aty. Kali i vogël iu afrua dhe e pyeti: “Xhaxha, a mund ta kaloj unë lumin?”. 
“Sigurisht, niveli i ujit nuk është i thellë, mua më arrin deri tek gjuri, shko i qetë”.

Kali i vogël vrapoi drejt lumit, por kur arriti afër bregut gati për ta kaluar, një ketër i vogël iu afrua duke kërcyer dhe i tha i shqetësuar:
“Mos kalo, mos kalo! Është me rrezik, rrezikon të mbytesh”.
”Përse lumi është kaq i thellë? – e pyeti kali i vogël mjaft i shqetësuar”.
“Sigurisht, një miku im dje është mbytur” – tha ketri i vogël me zë të ngjirur. 

Kali i vogël nuk dinte më se çfarë të bënte dhe kujt t‘i besonte dhe vendosi të kthehej në shtëpi
për t‘i kërkuar një këshillë nënës së tij.
“U ktheva sepse uji është shumë i thellë” – tha si i zënë në faj kali i vogël- “nuk mund ta kaloj lumin”.

“Je i sigurt? Ndërsa unë mendoj se uji nuk është aq i thellë” – tha nëna e tij.
“Kështu më tha bualli i moshuar, por ketri i vogël këmbënguli duke më thënë se lumi është i rrezikshëm dhe dje ishte mbytur një miku i tij”.
“Atëherë uji është i thellë apo pak i thellë? Provo të mendosh me mendjen tënde”.

“Në të vërtetë nuk kam menduar”.
“Biri im, nuk duhet të dëgjosh këshillat e të tjerëve pa menduar me mendjen tënde. Mund t‘ia arrish vetë. Bualli është i madh dhe i shëndoshë dhe natyrisht që mendon se lumi është pak i thellë, ndërsa ketri është shumë i vogël dhe mund të mbytet edhe në një pusetë dhe mendon se është shumë e thellë”.

Pasi dëgjoi fjalët e nënës, kali i vogël shkoi duke vrapuar drejt lumit i sigurt në vetvete. Kur ketri i vogël e pa brenda në ujë bërtiti:
“Atëherë e ke vendosur që të mbytesh?”.
“Dua të provoj ta kaloj”.

Dhe kali i vogël zbuloi që uji i lumit nuk ishte as pak i thellë si kishte thënë bualli, dhe as shumë i thellë siç i kishte thënë ketri i vogël.

Burimi: Akropoli i Ri