Piro Milkani

Tamam në kohën kur po përfundonim xhirimet e filmit “Ngadhënjim mbi Vdekjen” Kadareja hidhte në treg romanin e tij të dytë të titulluar “Dasma”. Vinte pas “Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur” që kishte filluar të përkthehej në disa gjuhë të huaja.

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” ishte pritur mjaft mirë si nga spektatori ashtu edhe nga kritika zyrtare. Bash për këtë shkak në një ceremoni kombëtare, krahas çmimeve për vepra artistike të gjinive të ndryshme, Peçi Dados, Gëzim Erebarës, Feim Ibrahimit dhe mua na ngulen në gjoks Çmimin e Republikës. Leitmotivi i muzikës se filmit, u be aq i pëlqyer sa sigla e hapjes dhe mbylljes së programeve, tingëlloi për shumë vjet, te i vetmi televizion shtetëror shqiptar (RTSH). Ishte kompozuar nga Feim Ibrahimi, i sapodiplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, Dega e Muzikës.

Po e filloja mbarë karrierën e re, atë të regjisorit. Falë këtij filmi, pas një telefonate që ju bë kryetares së Lagjes, nga zyrat më të larta të Partisë, në fund të dhjetorit të 1967-es e mora autorizimin për një banesë modeste. Një dhomë e kuzhinë në pallatin e ri 202 në fund të rrugës Mine Peza. Kisha pritur për këtë banesë shtatë vjet, nga dita e kthimit nga studimet e pas katër vjet fejese me pianisten Margarita Kristidhi apo Bebi, si e thërrisnin të gjithë.

Ishte viti që shënoi dhe botimin e romanit Dasma të Kadaresë. Ndërsa unë kërkoja skenar për filmin tim të dytë. Ja për shembull, Dasma do të ishte një roman që mund të përshtatej për një skenar filmi, por Ah! Ksenofon Dilo, piktor në Kinostudio veç të tjerash botonte në gazetën Drita shkrime interesante dhe kish vendosur ta provonte transkriptimin e romanit Dasma në skenar filmi. Më keq akoma. Dhimitër Anagnosti, në kërkim të filmit të tij të dytë si regjisor, e kish kopsitur marrëveshjen me Dilon. Do ta bënte ai Dasmën. Ishin vitet e një lëvizjeje politike dhe kulturore të përmbledhur shkurtimisht nën sloganin:”Të revolucionarizojmë cdo gjë në jetën e vendit tonë”, slogan, ku nuk mungonte ndikimi prej asaj që po ndodhtë në Kinën e Mao Ce Dunit e që quhej Revolucioni Kulturor Kinez, që veç kulturor nuk ishte. Gardistët e kuq bënin kërdinë ndaj kuadrove të larta të partisë shtet, që kishin shkarë në revizionizëm e bashkë me ta po e pësonin rëndë edhe shkrimtarët e artistët. U mbyll prodhimi i filmave, u ndalua botimi i veprave artistike, dhe artistët u degdisën në Komuna të largëta për tu “riedukuar”. Vetëm një dege e Artit mbeti e paprekur: baleti kinez. Çian Çini, bashkëshortja e katërt a e pestë e Kryetarit Mao, kishte qenë balerinë dhe e shpëtoi baletin kinez. Po jo atë të famshmin, me levizje e muzikë tradicionale, po të një baleti të ri, revolucionar. Se si ishte ai balet e kuptuam kur në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë u vu në skenë Detashmenti i Kuq i Grave. Për mjeshtrit e baletit tonë, një pjesë e të cilëve kishin studiuar në Konservatorin e Moskës, baleti në vetvete nuk kishte ndonjë vështirësi. Problem ishte makiazhi i tyre. Dy orë para shfaqjes ata duhet të grimoheshin e lyheshin që fytyrat e tyre t’u ngjasonin personazheve kineze.

Sikur të mos mjaftonin lavdërimet, që po bëheshin nga zyrat e rëndësishme të Komitetit Qendror të Partisë, e as elozhet në gazetat e revista politike apo letrare të kohës për vlerat e romanit, ja ku njoftohemi se të nesërmen ne mbrëmje, në Klubin e shkrimtarëve dhe artistëve do të kishte një diskutim të gjerë për romanin Dasma. Salla plot e përplot. Në presidium, Kadareja, Fadil Paçrami, sekretar për kulturën në Komitetin e Partisë të Tiranës, Kryetari i Lidhjes së shkrimtareve Dhimitër Shuteriqi e tj. Diskutantët, njeri pas tjetrit, zbërthenin vlerat, novacionet, metaforat e personazhet interesantë të romanit. Dhe tamam kur nuk pritej del para podiumit, Bilal Xhaferi. Shkrimtar jo pak i njohur që kishte ngjallur intëres edhe ndër ne kineastët. I adresoi Kadaresë dhe romanit vërejtje të rënda veçanërisht në kapitujt ku ai e trajton apo më mirë e shtrembëron Kanunin, këtë Kushtetutë të lashtë që ka rregulluar në shekuj marrëdhëniet njerëzore në zonat e thella të Shqipërisë. Asnjë duartrokitje nga të pranishmit. Habi dhe stepje. Qetë qetë u ul në vendin e tij, diku në rrjeshtin e tretë. Heshtjen e theu Fadil Pacrami.

– Ti atje – foli Fadili, pa ja thënë emrin Bilalit – dil nga salla menjëherë. Je i padëshirueshëm për ne. Dhe ashtu u bë. Kokulur doli jashtë. Mbledhja solemne u zhbë.

Se si shkoi jeta e Bilalit pas kësaj do të duhej një kapitull më vete.

Pas disa ditësh në oborrin e Kinostudios takoj Ksenofonin. I shqetësuar më njofton se Anagnosti ka ndërruar mëndje. Nuk do që të jetë pjesë e filmit të ri që Ksenofoni ishte duke e përfunduar dhe që e kishte titulluar Përse bie kjo daulle (as Dasma, as Dasem e cuditshme, as Lekura e daulles dhe as Dasma dhe fantazma, si e quajtën më vonë anglezët në radiodramatizimin që i bënë veprës së Kadaresë në BBC e Londrës).

Më propozoi të punonim bashkë për këtë. Nuk e zgjata shumë dhe pranova. Drejtori i Kinostudios, Vaskë Aristidhi, e pranoi këtë ndryshim. Për Kadarenë romani i dytë, për mua filmi i dytë. Ishte shkurti i vitit 1968. U krijua shtabi i filmit dhe filloi puna përgatitore. Të shtunën e pare të marsit ( edhe e shtuna ishte ditë punë), mora leje ne drejtori. Do të martohesha. Pas katër vite të gjata fejese, në pritje të një banese. Dasmë i thënçin. Erdhën nga Korça prindërit e mi, kushëriri i babait Todi Gjata, vëllai madh Berti , oficer nëndetëseje në Pasha Liman bashkë me gruan e tij Marieta. Vëllai tjetër, Vaska, kishte nje vit që ish transferuar ne Tiranë, si punonjës shkencor në Institutin e gjuhësisë, banonte te ne.Të afërm, vetëm ata që jetonin në Tiranë. Të shtunë në mbrëmje shkuam për vizitë të Kristidhet. Të ardhur nga Maqedonia në vitet tridhjetë, veç Anetës e burrit të saj Genci, ishin edhe disa miq të familjes Kristidhi. Urimet për martesën tonë shoqëroheshin me një gotë raki e ndonjë çokollatë. Vetëm kaq. Pas disa orësh erdhën të ne për vizitë krushqit e gruas. Edhe se të pakët karriget nuk mjaftonin për të gjithë.

Të nesërmen, ditë e diel 7 prill, shkuam të merrnim nusen. Dolëm në oborr të viles dhe bëmë disa fotografi. Bebi ishte më e bukur se kurrë. Nuk donte të vishte fustan nusërie, edhe pse deri në ato momente nuk kishte ndonjë urdhëresë që ta ndalonte atë veshje. Ashtu e kishte vendosur vetë. Xhaketa dhe fundi i bardhe ishin qepur me porosi nga nje copë e bukur dhe e shtrejtë, dërguar nga daje Joni, mjek gjinekolog në Selanik. Dy taksitë e porositura na shpunë te kodrat e Tiranës, pranë kishës së shen Prokopit për të shkrepur edhe disa fotografi të tjera. Ramë të flemë në dhomën e gjumit 3,2 me 3.7 metra, ndërsa të tjerët në kuzhinën me aneks. Të martën filloi “muaji i mjaltit”. Jo ne Dubai, apo Paris a ishujt Kanarie. Në gazin shtatë vendesh të Kinostudios, veç meje dhe Bebit, që e ulëm në sediljen e parë, u ul edhe Ksenofoni, Todi, Petraqi dhe asistenti i regjisë Fehmi Hoshafi. Kur mbërritëm në Fier, ne të sediljeve të pasme, na ishte shtrembëruar qafa, se sediljet e Gazit sovjetik, të përshtatshme për luftë, ishin anësore.

Të nesërmen, “muaji i mjaltit”, përfshinte vizitën dhe fotografimin e Uzinës moderne të plehrave azotike, Tec-in e qytetit dhe barakat e vullnetarëve të hekurudhës Fier Vlore, ne Mbrostar. Vullnetarë e vullnetare të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. I fotografonim për të gjetur ndoshta ndër ta edhe ndonjë aktor për filmin e ardhshëm. Në Mbrostar, edhe pse romanin e dija përmendësh, takova një shokun tim që kishte studiuar dikur me mua në Çekosllovaki. Quhej Agim Pirdeni dhe ishte i dërguar i Komitetit Qendror të Rinise në punimet e hekurudhës. Kureshtja ime ishte të dija se si ndikon qëndrimi i vajzave malësore që në këtë moshë kanë kaluar për herë të parë pragun e shtëpisë dhe të fshatit të tyre.

– Ç’të të them Piro. Përpijnë cdo gjë me kureshtje. Janë po aq të habitura ashtu si ne dikur, kur udhëtonim me vapor, përshkonim me tren gjysmën e Europes për të mbetur gojëhapur me Pragën magjike. Ja për shembull, në mbrëmje, në atë sheshin aty, instalojmë një ekran të madh dhe ato ulen në tokë për të pare film për herë të parë. E kupton? Për herë të parë.Ti lemë reagimet gjatë shfaqjes, por kur mbaron filmi, tufa tufa, me marifet, i afrohen ekranit gjithë kureshtje dhe pas pak e hedhin shikimin pas tij. Nuk e kuptojnë se ku u fshehën gjithe ata njerëz që ishin aty në ekran pak më pare.

Ekspedita në kërkim të vendeve të xhirimit dhe eventualisht të ndonjë aktori të teatrit të Fierit apo vizitat në Berat në Kombinatin e tekstileve aty, vazhdoi tetë ditë.

U kthyem në Tiranë. Në mëngjes herët i hypa bicikletës për të shkuar në Kinostudio ndërsa Bebi pak më vonë, po me biçikletë shkoi në Institutin e Arteve. Mbas dite u takuam përsëri në shtëpi. Unë i pari i tregova si më pritën dhe me uruan shokët. Pastaj Bebi. Edhe ajo po të njëjtat urime nga kolegët e studentët e saj. Po rreth orës 11 drejtori i Institutit lajmëroi degën e muzikës për një mbledhje urgjente. Tematika e mbledhjes:

Shkelje e rënde disiplinore nga ana e shoqes Margarita Kristidhi Milkani!

Çfarë kishte bërë?….. Ishte paraqitur në punë me dy ditë vonesë. Rregullat ishin të qarta: Për martesë jepen vetëm pesë ditë leje nga puna. Shkelje e rënde e disiplines në punë.

Çfarë do të bëhej me të? Ulje në detyrë, dërgim për riedukim apo….? Varej shumë se si do të reagonte vetë ajo. Pra si e kuptonte këtë gabim. Si do të ishte autokritika e saj.

U ngrit ne këmbë dhe foli shumë shkurt:

– E kuptoj gabimin dhe e pranoj. Por sinqerisht nuk e dija se leja e martesës ishte vetëm për pesë ditë. Ndaj ju premtoj: Ne se do të martohem një herë tjetër nuk kam për ta përsëritur këtë gabim. Salla qeshi. Shpëtoi vetëm me një vërejtje me paralajmërim dhe prerjen e rroges për dy ditët e vonesës.

Pas shkrimit të skenarit tekniko regjisorial, grupi i filmit, 37 gjithsej, shto këtu dhe 18 aktorë u instalua në Fier. Rolin kryesor, atë të Xhavitit, ja kisha besuar 19 vjecarit Timo Flloko, atë të Katrinës e fitoi maturantja e politeknikumit Adelina Xhafa. Në rolin e babait të Katrinës zgjodha baritonin e shquar Lukë Kacej, ndërsa bashkëpunëtorin shkencor Fehmi Hoshafit. Bert Minga, i porsa diplomuar në degën e aktrimit, jo vetëm që interpretoi më se miri rolin e gazetarit po gjeti kohë të dashurohej me një nga pesë “malësorët”, shoqe të Katrines. Me Irenen. Fale ketij filmi, nga martesa e Bertit me Irenen, lindi Aulona. Ndërsa unë prisja të lindej djali im i parë Enoja.

Kur filmi përfundoi, pasi kaloi gjithë filtrat e kohës, këshill artistik, komision nga Ministria e Kulturës e Komiteti i partisë, vizionim nga kolektivi i Kinostudios e kaloi me sukses edhe provimin më të rëndë: shikimin e tij, atje ne Bllok, nga shefi i madh i propagandës, Ramiz Alia. Edhe Kadareja nuk doli i zhgënjyer.

– Është filmi më i çuditshëm i “Botës së Tretë”.

Dukshëm bënte dhe humor me teorinë e Mao Ce Dunit që e ndau Botën në tri pjesë (si të ishte një tortë e madhe) : në botën kapitaliste, në atë revizioniste ( Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e saj në Europën Lindore) dhe në Botën e Tretë ( Kina në vend të parë, vendet e paangazhuara të Azisë, Afrikës e Amerikës Latine e natyrisht edhe Shqipëria)

Laboratori i filmit, ne Kinostudio, prodhoi urgjentisht 26 kopje të filmit që u shpërndanë në gjithë rrethet e Republikës. Edhe shtypi nuk po e priste keq. Kënaqësi. Po tamam atë ditë, kur e shoqërova gruan time në maternitet për të lindur, në Kombinatin e Autotraktorëve, kryeministri i vendit Mehmet Shehu bashkëbisedonte me punëtoret se si po shkonte puna me prodhimin e traktorit të parë shqiptar. E pikërisht, në atë moment, një punëtor, anëtar i grupit të kontrollit punëtor ( të tilla grupe kontrollesh kishin lindur në çdo ndërmarrje të vendit) e pyet kryeministrin e tij në se ka pasur rast ta shikoje filmin e ri që po shfaqet ne të gjitha kinematë e Shqipërisë. Kur ai i tha se ende nuk e ka pare, atëhere punëtori i thotë se në film ka disa shfaqje të rënda ideore që bien në kundershtim me orientimet e Partisë.

– Po ç’janë këto shfaqje? – E pyeti kryeministri.

– Po ja, në atë film ka një skenë dasme në një barrakë vullnetarësh të hekurudhës Fier- Vlorë. Ajo malësorja martohet me një montator dhe ata të filmit, pa një pa dy e veshin atë nuse me vello. A nuk janë këto shfaqje të mentalitetit borgjez?

Pasi u mendua një copë herë kryeministri i thotë atij:

– Po ju pse rrini duarkryq. Shkoni atje në Kinostudio dhe u tregoni atyre se si bëhen filmat.

Lajmi u përhap në qytet si kolerë. Në të gjitha gazetat e kohës, ne këndin e rubrikes kulturore, shkrime rënduese. Gazetari me i zellshëm doli ai i gazetës Luftëtari, M. Shehu quhej. Përveç mendimit të punëtorëve të Kombinatit shtoi edhe ca “thagma” të tjera për shfaqjet e huaja në film.

Gruaja ime, Margarita, pati një lindje të vështirë me Enon. Kështu që mjekët e këshilluan të qëndrontë edhe disa dite në maternitet. Mua më ishte përmbysur Bota. E megjithatë cdo ditë shkoja te trotuari i maternitetit që të shihja atë dhe krijesën tonë të përbashkët. Në dritaren e katit të katërt shfaqej Bebi e lumtur me Enon e vogël. Me duhej të luaja “babanë e lumtur”. Ne maternitet nuk shkonin gazetat as lajmet e fundit të pazarit. Një ditë, duke u larguar nga materniteti, filloi nje vese shiu pranveror. Ecja kuturu, këmbët me çonin drejt qendrës se qytetit. Një burrë me çadër, me afrohet dhe ma fut kokën poshtë saj.

Të nesërmen, në hollin e Kinostudios, erdhën ata, kontrolli punëtor i Kombinatit të Autotraktorëve. Takim i akullt me mua. Më thanë se duan ta shikojnë edhe një herë filmin. Ishim të përgatitur për këtë. Filmi ishte vendosur që më parë ne ingranazhet e aparatit të projeksionit në sallën e vogël të projeksionit. Gjatë shfaqjes heshtje varri. Kur u ndezën dritat e sallës i pari e mori fjalën ai, me i zoti i të gjithëve. I kam harruar me kohë emrat e tyre, po emrin e atij e mbaj mend akoma. Quhej Harilla.

– Po si ka mundësi mo shoku Piro të biesh në gabime të tilla?

I pezmatuar sa s’ka, mundohesha tu shpjegoja se fustani i malësores Katrinë, nuk ishte fustan dasme, po një copë gri e çelët terital prodhim i Kombinatit të tekstileve. Se ajo copë e vogël fare nuk ishte vello po një copë tyl i bardhë. Se gjatë gjithë filmit Katrina dhe shoqet e saj ishin të veshura me kominoshe. Si të bënim? Ta martonim me kominoshe? A nuk duhej të ishte pak më ndryshe ajo që po martohej me Xhavitin?

Asgjë nuk i bindi. U larguan gati të zemëruar.

Ishte ditë e diel. Duke shëtitur si të shastisur rrugëve të Tiranës, kujtonim atë që na thoshte Kadareja:

– Nuk e kanë me juve. E kanë me mua. I bien deriçkës që të dëgjojë dera. Me besoni!

Beso beso po ne do ta hamë. Kaluam diagonal Parkun Rinia. Ajo e djelë marsi kishte një diell përvëlues. Apo ndoshta kështu na dukej ne. Ora e sahatit të madh të qytetit shenontë 14.30. Dhe ja ai. I ulur në një stol. Ishte Dhimitër Tutulani. Vëllai i dëshmorëve të Beratit Margarita dhe Kristaq Tutulani. Tip kontrovers. Llafazan i pashërueshëm. Nuk e zgjati po na priti me të parat.

– He mo ju. Pse sorrollateni kot më kot? Apo bëni sikur nuk dini gjë?

– Çfarë të dimë? – e pyeti Ksenofoni.

– Atë mo, atë mbledhjen që do bëhet nesër në Pallatin e Kulturës… nesër mbas dite në orën pesë do bëhet një mbledhje e madhe për ju. Do ju kritikojnë, pastaj ju do bëni kot fare autokritikë po vendimi njëlloj është marrë. Do shkoni për riedukim në gjirin e klasës punëtore. Ikni tani se ma prishët qetësinë.

Po kjo pikë e zezë! Ku i di ky i marrë këto gjëra?…… po sikur të jetë e vërtetë?. Filluam të shqetësohemi. Pastaj na u kujtua Dragush Goxhi. Për disa vjet kishte punuar në Kinostudio, po më vonë e transferuan në Pallatin e Kulturës. Dragushi po, ai duhet të dijë diçka. Si të bëjmë? Ti shkojmë në shtëpi? Po sikur të jetë bllof pse ta shqetësojmë në këtë orë të papërshtatshme? Të dalë ku të dalë. Kush pret deri nesër.

E dinim se ku banontë. Të bulevardi Stalin, te ato palacinat karshi farmacise. U njgjitëm në katin e tretë dhe i ramë ziles. Pas pak Dragushi e hapi derën. Dukej se i kishim prishur gjumin e pasdites. I ngrysur na pa në sy.

– Dragush! Na fal për shqetësimin po takuam para një ore një budalla dhe seç na tha diçka për një mbledhje që do bëhet nesër në Pallat.

Heshtje…. Na shikonte dhe nuk fliste…po mendonte….

– Kush budalla u a tha?

– Ai bre, Dhimitri, Dhimitër Tutulani.

Këtë here heshtja ishte me e gjatë. Nuk i lëvizte asnjë muskul i fytyrës.

– Kështu na thane dhe ne… po dje pasdite na lajmëruan: Mbledhja anulohet. Ditën e mirë.

Nuk dinim ç’të bënim. Të gëzoheshim? As që behej fjalë. Po edhe të mërziteshim nuk kishte tashmë arsye.

Filmi vazhdoi të shfaqej edhe për disa kohë në kinematë e Shqipërisë. Shtypi nuk u mor më me atë film. As për mirë as për keq.

Vetëm shumë kohë më vonë e zbuluam sekretin. Ksenofoni kishte ne Komitetit Qendror të Partisë burrin e kushërirës se pare. Ato që Mehmet Shehu i kishte thënë ne Kombinat i shkuan ne vesh edhe Ramiz Alise. Nuk ishte Mehmet Shehu ai që pasi kishte parë në Berat një ekspozitë të një piktori me mbiemrin Shelegu dhe kishte bërtitur: Çfarë shelegu ky more?!!! Me këto piktura ky është ujk. Dhe Shelegu shkoi për riedukim. Po tani? Ta linte prapë ne dorë të tij? Goditja e filmit e cenonte indirekt dhe atë, sekretarin e Komitetit Qëndror dhe anëtarin e Byrosë Politike. I shkoi në zyre direkt atij të madhit. Enver Hoxhës dhe u ankua se shoku Mehmet po ndërhyn në punët e sektorit të tij. Enver Hoxha i dha të drejtë.

– Nuk kemi se çfarë ti bëjmë Ashtu është ai. Nganjëherë edhe rrëmbehet. Po ti vazhdo ne punën tënde…/Gazetadita.al