Ajo njihet si aktore e roleve joprotagoniste e megjithatë ia ka dalë të spikasi në kujtesën e të gjithëve falë talentit me të cilin arrinte të ndërtonte një galeri të pasur personazhesh në teatër dhe film. Jetmira Dusha e lindur në vitin 1955 në Fier ra në sytë e regjizorit të mirënjohur Esat Oktrova në 40 vjetorin e shkollës së mesme pedagogjike në Tiranë, ku ajo studionte teksa aktivizohej në veprimtari të ndryshme artistike me recitimin.

Jetmira e kishte të hershëm pasionin e saj të recitimit ndaj dhe përpara regjisorit Oktrova ajo nuk mund të mos vërehej duke marrë një ftesë për t’u paraqitur në Akademinë e Arteve të jepte provimin. E apasionuar pas letërsisë, Jetmira kishte fillimisht si qëllim të ndiqte studimet në degën e gjuhë-letërsisë dhe jurisprudencës por kurrësesi nuk e kishte menduar aktrimin, ndaj dhe aktorja kujton se ftesa e Oktrovës për në Akademi erdhi krejt papritur.

Në vitin e parë të konkurrimit, paçka se Jetmira ishte përgatitur me seriozitet, sërish nuk ia del të fitojë të drejtën e studimit për aktore. Megjithatë ajo nuk dekurajohet dhe vendos të aktivizohet në një kurs për aktrim që zhvilloheshin zakonisht pranë teatrove të qytetit. Rikthimin në Fier përgjatë një viti, Jetmira e përdori për të rritur përgatitjen e saj si aktore e re dhe në konkurrimin e rradhës ajo ia del të fitojë dhe nis kështu studimet për aktrim në Akademinë e Arteve në vitin 1974. Me përfundimin e Akademisë, ajo nis punën menjëherë në Teatrin Popullor që sot njihet si Teatri Kombëtar. Mbi 20 role mbajnë firmën e aktores së re e cila sikurse e kujtojnë edhe aktorët e tjerë të brezit të saj spikaste për gjallërinë dhe energjinë në skenë.

Roli i saj i parë ishte episodik. Ajo do të ishte Dea në pjesën “Tragjedia e fundit e Deas” por vlerësimi me seriozitet i këtij roli të vogël e bëri Jetmirën të spikaste edhe nga regjizosrët filmave ndaj po atë vit, në 1980-ën, aktorja u përzgjodh për rolin e saj të parë në kinematografi tek filmi “Mëngjese të reja” ku do të kishte një rol protagonist me partner Kastriot Caushin.

Më pas do të vinin me rradhë rolet e tjera në filmat Jeta te “Kur xhirohej nje film” (1981); Dëshira Kado te ”Gëzhoja e vjetër” (1984); Moza te “Enderr per nje karrige ” (1984); Lili te ”Pesha e Kohës” (1988); Matka te “Djali elastik” (1989) ndërsa në teatër do të ngjitej në skenë kryesisht me role në komedi sikurse “Pas Vdekjes” në petkun e zonjëzës Lulushe apo tek “Martesa e Avokatit” në rolin e një prej pretendentëve të z.Piterson si dhe në rolin e Xhenës tek “Valsi i Titanikut” por që ky i fundit mbeti i paxhiruar në variantin e interpretuar prej saj. Jetmira Dusha emigroi në Gjermani në vitin 1990, teksa rezulton e kthyer në Shqipëri prej disa vitesh edhe pse publiku shqiptar nuk e ka parë endë në një rol të ri në skenënë e teatrit apo në film.

/Konica.al