Thuhet shpesh se të lexuarit është i rëndësishëm, por cilat janë përfitimet e vërteta të leximit? Ja disa nga arsyet përse nuk duhet të shkëputeni kurrë nga faqet e librave…

Që në fëmijëri na thuhej se të lexuarit është i rëndësishëm, sepse të mëson të shprehesh më mirë, sepse të ndriçon mendjen, sepse të kultivon inteligjencën. Në të vërtetë, për të mbështetur këtë sens të përbashkët janë zhvilluar studime të shumta shkencore, që dëshmojnë përfitimet që sjell të lexuarit për mendjen e njeriut.

Më poshtë po ju propozojmë një listë me 7 arsye, për të cilat ndoshta s’u kishte shkuar mendja, por shpjegojnë se përse leximi është një veprimtari kaq e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të individit.

Zhvillon ndjeshmërinë

Të lexuarit e rrëfimeve nënkupton domosdoshmërisht aktivizimin e proceseve të ndjeshmërisë. Duke lexuar një libër, ne zhytemi në jetën e një personi tjetër dhe, në të gjitha kënvështrimet, e shohim botën nëpërmjet syve të tij. Ky proces konfirmohet gjerësisht nga studime të shumta shkencore, në veçanti nga studimi i kryer nga Universiteti Emory, i cili fokusohte tek efektet njohëse të leximit në një grup lexuesish heterogjen.

Rezultatet e studimit janë të qarta: pas leximit, ndjesia emocionale e personave përforcohej, në gjendje, për shembull, të “ndjente” lëvizjet e personazheve në seksionet e përcaktuara të trurit për lëvizjen. Përmirësimi lidhet me aftësinë e zbulimit dhe konceptimit të emocioneve të të tjerëve: një aftësi e rëndësishme për t’u mirë menaxhuar në brendësi të sistemeve komplekse të marrëdhënieve shoqërore.

U jep kuptim gjërave

Umberto Eco ka shkruar një përmbledhje me ese të titulluar “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë”, në të cilat heton kuptimin dhe rëndësinë e leximit për zhvillimin njerëzor. Eco shprehet: “Shëtitja në botën imagjinare të jep të njëjtat efekte si loja për një fëmijë. Fëmijët luajnë me kukulla, kuaj ose balona, për t’u familjarizuar me ligjet fizike ose me veprimet që një ditë do t’u duhet t’i përmbushin realisht.

Po kështu, leximi i tregimeve nënkupton të luash një lojë, përmes së cilës mëson se si t’i japësh kuptim pafundësisë së gjërave që kanë ndodhur, po ndodhin dhe do të ndodhin në botën reale”. Pra, leximi, është si një palestër për jetën tonë: mësojmë të kuptojmë realitetin dhe mekanizmat e saj, si dhe ushtrohemi për t’u përballur me të.

Na hap perspektiva të reja

Shkrimtari spanjoll Javier Marias shkruan: “Njeriu duhet të njohë të mundshmen, përveç të vërtetës, supozimet, hipotezat dhe dështimet, përveç fakteve, çfarë është lënë pas dore dhe çfarë mund të ishte bërë, përveç asaj çfarë është e qenësishme”. Kur zhytesh në tregimtari, ndjen njëlloj lehtësimi, çka na zgjon kërshëri dhe shpresë krahasuar me atë që po lexojmë. Çdo qenie njerëzore ndjen nevojën e arratisjes dhe strukjen në një “botë të mundshme”, i ndryshëm nga realiteti i përditshëm, tek leximi ndjehet i plotësuar.

Mësojmë se jo çdo gjë shkon vaj

Kur e identifikojmë veten me një roman, gjithmonë duhet të kujtojmë se, fatkeqësisht, nuk i kemi ne në dorë frerët e historisë. Nganjëherë kjo mund të jetë e dhimbshme ose frustruese:

ndoshta personazhi ynë i preferuar vdes, ose ndodh diçka që nuk e kishim parashikuar, apo diçka me të cilën nuk pajtohemi dot. Megjithatë, siç shprehet dhe Umberto Eko, ky është një tjetër mësim i madh që na ofrojnë librat. Të marrim si shembull kryeveprën e Melville Moby Dick, thotë Eco: “Nëse mund të vendosnim për personazhet, do të ishte njëlloj si të shkonim në një agjenci udhëtimi: “Pra, ku doni të gjeni balena, në Samoa apo në Aleutine? Dhe kur? Doni ta vrisni ju, apo t’ia lini në dorë Quiqueg-ut?” Mësimi i vërtetë i Moby Dick është se balena shkon atje ku ajo dëshiron”.

Njohuri të shpejta

Edhe në epokën e digjitalizimit, të lexuarit është një nga mjetet më të shpejta dhe më efikase për t’u pajisur me dije. Falë leximit, veçohemi nga një shumëllojshmëri e pafund ekzistencash, vendesh, epokash të ndryshme dhe mund të zgjerojmë bagazhin e njohurive përmes identifikimit me jetën e të tjerëve, thjesht duke qëndruar ulur në divanin tonë.

Hulumtojmë vetveten

Leximi është një mënyrë për të njohur botën, por gjithashtu është një mënyrë efikase për ta njohur më mirë vetveten. Fjalët e të tjerëve, që gjenden në librat që lexojmë, sjellin emocione, reflektime, mendime që na lejojnë të eksplorojmë unin tonë të brendshëm. Italo Calvino thoshte: “Të lexosh nuk është vetëm një marrëdhënie me librin, por edhe me vetveten, me botën tonë të brendshme nëpërmjet botës që na ofron libri”.

Të lexuarit na bën më të shoqërueshëm

Stereotipi më i zakonshëm që lidhet me leximin është se i sheh të dashuruarit e librit si subjekte asociale, të cilët gjejnë strehë në librat imagjinarë, sepse e kanë të vështirë të pështaten në shoqëri. Nëse, nga njëra anë, në pikat e mëparshme shohim se si të lexuarit na ndihmon në përmirësimin e jetës, të jemi më të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm, nga ana tjetër, studimi i profesor Keith Oatley të Universitetit të Torontos dëshmon se edhe leximi na bën më social. Sipas Oatley-it, të lexuarit na ndihmon të zhvillojmë atë që psikologët e quajnë “sjellje proaktive”, domethënë sjelljet që përfitojnë të tjerët, si ndarja, bashkëpunimi dhe në përgjithësi ndihma në komunitet. Me fjalë të tjera, ky studim dëshmon se leximi na ndihmon të trajtojmë më mirë si veten, ashtu edhe të tjerët.

(Marrë nga Libreriamo.it)