Familja Nosi
Familja Nosi

Gjatë Luftës së Dytë Botërore
Lef Nosi para gjyqit
Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Kthehet n’atdhe me 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, etj. për të shuguruar lëvizjen e Ballit Kombëtar, me bashkëdrejtuesit e të cilit do kishte edhe mosmarrëveshje. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia e e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. Erdhi të banonte në Tiranë, në hotel “Dajti”.

Mbasi një mik i tij, Hafiz Musa Basha e ka pyet se ç’e shtyu në atë moshë me u marrë me politikë, thuhet të ketë thënë mes miqsh “Merrem me politikë se çunat janë të rinj e nuk e dinë se serbi ia ka me hile”. Për këto pjesëmarrje Balli Kombëtar e përjashtoi nga organizata, tok më Ismail Sefën. Në vitin 1943 u bë kryetar i Asamblesë Kombëtare, tetorin e po atij viti, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit, në një shtet shqiptar që i ishte kthyer pavarësia që i morën fashistët. “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”, deklaroi në gjyq Lef Nosi. Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Kundrejt aleatëve Regjenca mbante qëndrim asnjanës.

Ndihmon në shpëtimin e hebrenjve nga kërkesat e gjermanëve. Institucioni Yad Vashem i ka njohur më 1992 këto anëtarë të familjes Nosi si Fisnikë të Kombeve. Mbasi u tërhoqën gjermanët e komunistat avanconin shkoi të fshihej me Atë Antonin ndër malet e veriut, i veshur si frat. Në tetorin e ’44 ndodhej në Kuvendin Françeskan. Duke mos mundur të jetonte ndër malet e Pultit e çuan me jetue në fshatin Kir, ku u zbulua shpejt se s’ishte frat. Sipas rrëfimit të nipit të tij, Lef Nosi, gjatë kohës që ishte në arrati, mbante në dorë një bllok ku kishte të shkruar të gjithë biografinë e tij. E përcollën për në Tiranë,[18], gazeta “Bashkimi” njoftoi se më 1 fruer 1946 hapet gjyqi kundër regjentëve dhe kryeministrit, duke përmendur Patër Anton Harapin, Lef Nosin dhe Maliq Bushatin. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarakë. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues kryesohej nga major Irakli Bozgo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova. Mikja e tij skoceze i shkruan një letër Enver Hoxhës”,

“Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj…. Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shendre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë…. Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë.
Me nderime të nalta, shkëlqés
Margaret Hasluck ”

Pavarësisht presioneve e përuljeve që i bëheshin nga trupi gjykues “gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj. shpjegon dhe dallimin mes gjeneralit francez që u dënua si kolaboracionist dhe anëtarëve të regjencës.” ai u shpjegoi se ka qenë i internuar shtatë muaj në Romë nga Italia fashiste; se ka qenë i njohur dhe madje mik me Mit’hat Frashërin për shkak të prirjeve në fushën e letrave; se u bashkua me Ballin Kombëtar, mbasi ajo organizatë iu afrua më herët se lëvizja komuniste në Shqipëri dhe se për krimet e bëra kur ai ka qenë regjent, faji nuk është as i Nosit e as i Regjencës, por i Qeverisë dhe posaçërisht i Xhafer Devës.

Justifikimin e fundit e ka përdorur gjerësisht në përgjigjet e pyetjeve për kohën që ka qenë në Këshillin e Regjencës, duke shtuar: “ne i hiqnim vërejtje qeverisë”. “Pëteni në Francë kishte bamun aleancë me gjermanët. Regjenca nuk mori ushtri t’ua dërgonte gjermanëve për të luftue aleatët”, – tha Lef Nosi në Gjyq. Në gjyq u mbrojt nga avokati Zoi Xoxe, i cili paraqiti mbrojtjen më 12 shkurt 1946, duke u përballur me akuzën që dha pretencën “dënim me vdekje, pushkatim”, më 20 shkurt. Edhe mbrojtja nuk pati fuqi ta shpëtonte nga ndëshkimi i parashkruar e i paravendosur, vendim që u shpall më 13 fruer 1946, për ekzekutim me pushkatim. Me aprovimin e akt-gjykimit nr.24 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, e pushkatojnë te “Kodra e Priftit” (ose te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane sipas një versioni tjetër) me Maliq Bushatin e Atë Anton Harapin.