Nga trashëgimia e artë e kinemasë klasike shqiptare, nga pjesa më e shndritshme e saj, lufta antifashiste nacional-çlirimtare, kemi ruajtur me fanatizëm portrete njerëzish të cilët i kemi vendosur edhe në jetën tonë të përditshme në formë batutash, sharjesh, krahasimesh etj. Natyrisht me të njëjtin fanatizëm kemi ruajtur edhe filmat nga të cilët ata kanë ardhur. Si të thuash kemi respektuar përjetë personin por edhe “familjen” së cilës ai i përket!

Mund të përmendim,Sali Protopapën (Pirro Mani) me batutat e tija dhe filmin “I teti në bronx”, kemi plakun Mere (Kadri Roshi) dhe filmin “Njeriu me top”, përgjithësinë e batutave nga filmi “Shtigje lufte” si, “…kemi ardhur të marrim ca ndihma për batalionin” apo “…padroni vjen pas pak Shaqir aga…”,xha Jahon (Sandër Prosi) dhe filmi “Në fillim të verës” ku gjithashtu gjenden shumë batuta nga aktorë si Lazër Filipi (Shaqo Bregu në film) apo Albert Verria, këshilltari Lazër Filipi nga filmi këshilltarët (s’pata fat…t’xhashta vajza!” etj., por edhe personazhe e filma të tjerë si ballisti tek “Prita”,Vlashi tek “Pylli i lirisë” etj.

Në ata filma që sot disa i shohin me sy të shtrembër për shkak të përqasjeve politike apo disa të tjerë si një diçka e keqe që duhet çrrënjosur nga e kaluara nën sebepin e “Gjuetisë së shtrigave”, mbi të tëra, jepet krejtësisht qartë dhe me besnikërinë më të madhe ndaj nocionit kohë, portreti i shqiptarit. Kemi shqiptarin gjatë luftës, qoftë si një fukara në qytet i cili përqafon luftën çlirimtare si Nebi Surreli “Rrugicat që kërkonin diell”, qoftë fshatari hamall në qytetin bregdetar si xha Jaho “Në fillim të verës”, plaku legjendë për fshatin Arun Mere Fizi “Njeriu me top” i verbuar nga hakmarrja, kemi shqiptarin partizan si Sulo mitralieri tek prita por kemi edhe shqiptarin ballist i cili, për shkak të propagandës së atëhershme ishte piketuar vetëm në role të këqinj por gjithsesi ishte shqiptari i fshatit krejt i pashkolluar ashtu si edhe të pashkolluarit partizanë që bënin opinga nga gomat e motorrëve “Malet me blerim mbuluar”, fëmijën i cili të hapte kokën me gurë po të mos i jepje dyfekun nga i njëjti film etj.

Kur libri “Njeriu me top” i Dritëro Agollit pa dritën e botimit, u kuptua menjëherë se nuk mundej që ky libër të mos sillej në ekranin e madh, ashtu si në përgjithësi librat e tija dhe të Ismail Kadaresë ishin baza e disa prej filmave të suksesshëm të kinemasë shqiptare si “Dimri i madh”, “Komisari Memo”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo thrilleri “Emblema e dikurshme”.

Kështu, “Njeriu me top” që në faqet e para shpinte lexuesin drejt dëshirës që ta shihte edhe në kinema atë çka lexonte.

Libri shquhej për dy gjëra më se të spikatura. Bashkimi popullor si ide, duke lënë mënjanë hakmarrjet personale, e portretizuar tek Mato Gruda si edhe figura e jashtëzakonshme e hasmit të tija, plakut të pa moshë Mere Fizit.

Një rol ky i prerë dhe i qepur për metrat e Kadri Roshit!

Në të vërtetë Kadri Roshi, ishte aktori i gjithanshëm që nuk kishte kurrë probleme për të hyrë në natyrën e personazhit të tija dhe kështu nga ai kemi trashëguar një mori intresante personazhesh dramatikë nga Shekspir, mafiozë nga Bertold Breht-Arturo Ui, fshatari shqiptar si Belul Gjenomadhi “Ballë për Ballë”,Arifi mullixhiu “Tokë e përgjakur”, Safa Ymeri tek “Malet me blerim mbuluar” apo Plaku Mere “Njeriu me top”, kujdestari “Lulëkuqet mbi mure”, muzikanti Parondili pra, xha Paro nga “Gjeneral Gramafoni” Ezopi, intelektuali tek “Apasionata” apo edhe ai minatori, njeri i mirë tek “Era e ngrohtë e thellësive” etj.. Pra role krejt të kundërt që vështirë të kenë faktor të përbashkët interpretimin nga ai njëjti aktor!

Plaku Mere Fizi, qëndron në krye të të gjithë roleve të trashëgimisë së artë të kinemasë shqiptare. Së bashku me Dhaskal Todrin, janë pika referimi të shqiptarit ndër kohëra, të popullit shqiptar ashtu siç ka qënë në origjinalitetin e tija, fisnik, me dituri ose i pa shkollë, i rreptë e trim po aq sa edhe zemërbutë, me hakmarrjen që e shoqëron ndër shekuj po aq sa edhe urrejtjen për të huajin dhe respektin për identitetin e vet.

Sigurisht që në se ne si kinematografi, do të mund të kishim krijuar dikur një film për Ali pashë Tepelenën, jam më se i sigurtë që Kadri Roshi, do ti kish lënë jo vetëm këtij kombi, një rol të përmasave të jashtëzakonshme!

Plaku Mere Fizi, u krijua së pari më një origjinalitet të jashtëzakonshëm nga Dritëro Agolli. Në këtë rast ndodh diçka e jashtëzakonshme! lexusi, duke lexuar romanin, në faqet ku përshkruhet Mere Fizi, gjithnjë fantazonte Kadri Roshin në portretin e tija a thua se Dritëroi shkruajti një rol posaçërisht për Kadri Roshin por…përfytyrojeni nga e kundërta! Kush e ka lexuar librin pasi e njohu plakun Mere për herë të parë nga kinemaja, a do të mund të përfytyronte dikë tjetër në atë rol?

Kjo ishte fuqia dhe niveli i jashtëzakonshëm i artit shqiptar në kinema dhe ekran. Që sot e kësaj dite ne, nuk mund ti ndajmë dot nga njëri tjetri dhe shpesh ngatërrojmë Kadri Roshin me plakun Mere, Dhaskal Todrin me Sandër Prosin, kaper Ramiun me Ndrek Lucën, Jovan Bregun me Roland Trebickën, Bujar lakon me Halit Beratin…

Për të kuptuar akoma më mirë madhështinë e personazhit/plakut Mere Fizi, për të ndjerë akoma më mirë edhe njëherë se si me një penë në dorë Dritëro Agolli pikturoi për ti falur përjetësinë njeriut të ashpër shqiptar të maleve por edhe fshatin shqiptar por vendosim një nga fragmentet kryesorë të romanit Njeriu me Top, pikërisht atë që jep përmasat e frikshme të një njeriu që përfaqësonte hakmarrjen dhe pat sfiduar vdekjen duke e bërë këtë të fundit të kapitullonte përballë tij.

Në fund bëjini sërish pyetjen vetes; – A do të mund ta interpretonte dikush tjetër këtë rol?

Njeriu me Top

Tregojnë se plaku Mere njëherë kishte vdekur e pastaj ishte ngjallur. Njerëzit betohen se kjo që rrëfehet në fshatin Arun, nuk është përrallë, por e vërtetë si nata. Ai vdiq. Të afërmit e tij u mblodhën, e qanë, e mbështollën me qefin, e vunë në tabut dhe e morën për ta shpënë në varre. Binte dëborë dhe ishte ftohtë. Në mes të rrugës që nga tabuti u dëgjua një zë.- Allah belaversën! Ç’është ky kiamet e kjo e ftohtë kaq me llahtari! Allah, largoje prej meje Shimbër Jezit Shimbërllarin!Ara që e mbanin, kur dëgjuan zërin e të vdekurit, u llahtarisën, e lëshuan dhe ia dhanë vrapit. Vetëm xherahu i fshatit Xheladin Durballia që mbante një gunë të madhe, nuk lëvizi vendit.- O i madhi i më i madhit, ç’po kurdis me mua shejtan Mulahimi dhe Jeziti?, – thirri plaku Mere dhe u ngrit, duke shqyer qefinin.Ai rrotulloi sytë në bardhësinë e ftohtë dhe vuri re vetëm xherah Xheladin Durballinë me këmbë të ngulura në dëborë.- O hak i madh! Cili është ky? Xherah Xheladin Durballia, apo vetë shejtan Mulahimi?-Jam unë xherah Xheladin Durballia, i biri i Xhevatit dhe i nipi i Abdiresulavziut, – tha xherahu dhe ia hodhi me vrap gunën në supe.Ashtu të mbështjellë më gunë e shpuri gjer në shtëpi. E veshi me rrobat që mbante kur ishte gjallë, i ndezi kandilin dhe e vuri në dyshek që të vinte në vete. Njerëzit e shtëpisë ishin zhdukur dhe kishin mbetur vetëm pleqtë e plakat, se kujtonin se gjyshi i madh ishte bërë lugat.Plakut Mere i shërbente vetëm Xheladin Durballia. Ai i tregoi edhe për ata që kishin ardhur në shtëpi për ngushëllim, edhe për ata që nuk e kishin ngushëlluar.- Demek filani e filani nuk më dashkan! – e ngriti kokën nga jastëku plaku Mere.- Ashtu del, – tha xherah Xheladin Durballia.- Kush u gëzua me vdekjen time? – pyeti plaku Mere.- Filani e filani, – tha xherah Xheladin Durballia.- O hak i madh! T’i bësh hi, e t’i heqësh zvarë, e t’i shposh në fytyrë e t’u lësh vrima atyre që s’më duan! O hak i madh! – mallkoi plaku Mere.Kështu tregojnë e këto nuk janë përralla, po të vërteta si netët.Gjithë fshati Arun, e gjithë kazaja ç’merr mali i Kokallës e ç’zë lumi Krak u habitën me këtë ngjarje të padëgjuar ndonjëherë dhe thamë se tani do t’i vinte fundi botës. Pastaj njerëzit mësuan, se plaku Mere jetonte me kandil të ndezur dhe pohuan se edhe fundi i botës nuk qenkësh gjë! Prandaj ngritën edhe një këngë që nuk dlhet se kush e ka kënduar i pari. Kënga thotë:

Ty, mor plaku Mere,në tabut të vunë,të xhumanë e zezënë varre të shpunë.

Po ti seç u ngrite,thirre nga tabuti,gjilpëra-gjilpëraç’na u bë vuxhuti.

Në tabut të lanë,këmbët dhè s’u zunë,Xheladin xherahu,të futi në gunë.

Xheladin Xherahu,më t’u thaftë dora,s’e le plakun Mereta hante dëbora.

Xherah Xheladini,Xheladin xherahu,S’e solle lugatin,më t’u thaftë krahu!

Përgatiti për https://www.naishtedikur.info – E. Troplini

Burimi: Kinmatogafia Shqipetare