Aktori korçar, Petrika Riza: Drita Agolli më mësoi, se talenti ka nevojë për fjalën e mirë dhe të vërtetën

Nga Vepror Hasani

U nisa për Tiranë për të konkurruar si aktor. Sapo kisha përfunduar gjimnazin. Isha mbërthyer i gjithi nga emocionet. E përfytyroja veten si aktor, por çuditërisht një ndjesi frike kishte nisur të udhëtonte bashkë me mua: A do të fitoja vallë? A do të më vlerësonte drejt juria? A do të mundesha ta tregoja talentin tim? Po sikur të më thoshin: Kërko një profesion tjetër! Çfarë do të ndodhte me mua pas kësaj? A do të merrja dot prej tyre një fjalë të mirë? A do të mund të mësoja të vërtetën, nëse isha i talentuar ose jo? Të gjitha këto ishin dilemat e mia, që unë nuk u jepja dot përgjigje. Me këto fjalë e nisi rrëfimin e tij për ditën e konkurrimit dhe udhën që iu hap për aktrim, Petrika Riza, aktori i mirënjohur i dhjetëra roleve të spikatura në teatër dhe kinematografi, i dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, nga Presidenti i Republikës dhe Urdhrin “Naim Frashëri III”. Në spektaklin “Protagonist 2006” mori vlerësimin si “Aktori më i mirë”. Petrika Riza ka luajtur mbi 90 role në teatër dhe mbi 20 role në kinematografi. Nuk gjen bashkëkohës që të mos ketë admiruar interpretimin e roleve të tij.

Udhëtimi

Bashkë me dilemat e mia po udhëtoja drejt Tiranës. Profesionin e aktorit e kisha me shumë dëshirë, por kisha frikë, mos kjo ishte vetëm një dëshirë e imja dhe vetëm kaq. Në atë çast nuk isha në gjendje të përcaktoja asgjë. Megjithatë diçka më shtynte drejt skenës. Kisha lindur në Bulgarec të Korçës më 1 qershor të vitit 1947, në një familje të madhe patriarkale prej 17 vetash. Në familje të tilla asnjëherë nuk mungojnë elemente të artit. Xhaxhai im, Rafael Riza, ishte këngëtar popullor i njohur. Bashkë me Cilen që luante në lahutë, shkonin nga një dasmë te tjetra. Nëse ishte Rafaeli dhe Cilja, dasmës nuk i gjeje dot asgjë mangët, dasmorët mbeteshin të kënaqur. Kushërinjtë e mi, të cilët ishin më të mëdhenj se mua merreshin me aktivitete kulturore. 

Jani Riza shkoi të studionte për aktor. Bulgareci kishte një kinema mjaft të mirë dhe një trupë teatrore shumë të mirë. Kur isha ende në fillore, fillova të ndiqja trupën e aktorëve kudo që shkonin për konkurrim. Magjia e saj po më bëri për vete. Aktorët më dukeshin njerëzit më të mrekullueshëm që ekzistonin. Ata dinin të bënin mrekulli, sillnin të papritura dhe gjithnjë dhuronin ndjesi të këndshme. Nuk e kuptoja ku qëndronte forca e tyre. Më pëlqente t’i ndiqja kudo që shkonin, por deri atëherë asnjëherë nuk kisha mundur se edhe tek mua do të lindte dëshira për t’u bërë aktor. Kjo ndodhi disa vite më vonë.

Hapat e parë

Të gjitha këto po më kujtoheshin ditën që u nisa për konkurrim. Nga që nuk isha i qetë, doja të gjeja ç’kishte qenë ajo gjë që mua vërtet më kishte lidhur me teatrin. Ndoshta kjo do të më jepte besim dhe të mos kisha drojë nga juria. Katër vitet e para të shkollës fillore i përfundova në fshat, kurse klasën e pestë e fillova në Korçë, te shkolla “Fuat Babani”. Pranë saj ishte Shtëpia e Pionierit. Nuk e di pse më mbeti mendja tek ajo. Atje kishte grupe të pikturës, të fizarmonikës, të violinës, grupe letrare, grupe të baletit etj. Pa u menduar shumë, u regjistrova në grupin e baletit, ndoshta ngaqë nuk kishte grup për aktrim ose, ndoshta ngaqë te baleti shihja diçka të ngjashme me aktorët.

U regjistrova edhe te grupi i fisarmonikës. Duket se këngët e xhaxhait tim, Rafael Riza, të kënduara me fizarmonikë e klarinetë apo lahutë, kishin lënë gjurmë te unë. Në grupin e baletit qëndrova deri në vitin 1958. Atëherë isha 11 vjeç. Aktorët Minella Borova dhe Niko Kanxheri diçka pikasën tek unë, më aktivizuan në trupën teatrore të shkollës. Ishte koha kur organizoheshin mbrëmjet shqiptaro-sovjetike për nder të kësaj miqësie… Në këtë kohë nisën dhe rolet e mia të para. Në skenë u vunë dhe pjesë të tilla si “Prometeu” etj. Unë isha bërë me krahë, fluturoja prej gëzimit, ëndrra ime kishte nisur të realizohej.

Përgatitjet për konkurrim

Nuk isha vetëm unë që isha përgatitur për konkurrim; ishin të gjithë ata që kishin qenë te grupi i teatrit të shkollës. Gjithkush kishte bërë përgatitjet e veta. Fatkeqësisht unë nuk munda të përgatitesha si duhet Me të përfunduar mësimi, nisesha për në fshat, por koha që më mbetej ishte e pakët. Kur po përfundonte shkolla, i thashë djalit të xhaxhait, Todi Rizës, i cili në atë kohë punonte si mësues në Bulgarec, të më gjente një material për konkurrimin, dhe nisa të punoja me të. Nuk pata mundësinë të punoja me ndonjë aktor të Teatrit të Korçës.

Fatmirësisht atë vit Jani Riza e përfundoi Universitetin. U gëzova shumë kur e pashë që erdhi në fshat, do t’i kërkoja të më ndihmonte të përgatitesha për konkurrimin. Prej tij mund të mësoja shumë, por nuk pata fat, me të punova vetëm disa ditë. Ai u largua përsëri sepse ishte i impenjuar në aktivitete të tjera. U trishtova shumë. Nuk po përgatitesha dot si duhej. Megjithatë, Jani Riza, para se të ikte më dha një material të ri, por tashmë nuk kishte mbetur shumë kohë, dita e konkurrimit po mbërrinte. Ashtu si më rrodhën punët, nuk isha i sigurtë nëse do të arrija të isha fitues ose jo. Nuk e kisha menduar asnjëherë që periudha e përgatitjes do të më kalonte kështu. Të nesërmen u nisa për Tiranë.

Në Tiranë

Pas disa orësh mbërrita në Tiranë. Materiali që kisha përgatitur i shkonte veshjes time. Edhe pse kjo gjë kishte ndodhur krejt rastësisht më gëzonte shumë. Ndoshta juria do ta vlerësonte, do të ishte një plus për mua. Prisja në radhë të dëgjoja emrin tim. Nuk isha aspak i qetë. Emocionet përshkonin gjithë qenien time. Të isha përgatitur edhe pak më shumë, nisa të mendoja, ndoshta nuk do t’ia dal dot mbanë… Dilemat më mbërthyen sërish. Pikërisht në këtë çast u thirr emri im. Dola para jurisë. E nisa tekstin… por vështroja edhe sytë e anëtarëve të jurisë, fytyrat e tyre, humorin, shenjat që bënin, qëndrimin ndaj interpretimit tim… Nuk po kuptoja asgjë…as për mirë dhe as për keq…

Një drithërimë nuk po më linte te qetë… m’u duk sikur dikush nuk po më ndiqte me kënaqësi… befas ngatërrova tekstin… Githçka mori fund, gjithçka u shemb mbi mua krejt papritur. Kisha firmosur humbjen… Megjithatë prita çfarë do të më thoshin anëtarët e jurisë. Drita Agolli, në cilësinë e kryetares më tha: “Natyra ju ka dhuruar shumë gjëra të mira: fizikun, zërin që e vlerësoj shumë, ngrohtësinë… ndaj juve do t’u jepet mundësia të konkurroni për herë të dytë. Kjo mundësi ju dha edhe disa konkurruesve të tjerë. Konkurrimi i dytë do të bëhej pas disa ditësh. Takova Jani Rizën, ai më ndihmoi të përgatitesha me aktorin Raqi Çili., por tashmë nuk isha më ai që kisha qenë më parë. Brenda meje ishte thyer diçka.

Fjala e mirë dhe e vërteta

Edhe kur konkurrova për herë të dytë nuk isha i sigurt që kisha fituar. Dyshimi se mund të mos bëhesha aktori që kisha ëndërruar, kishte nisur të më brente. Pas disa ditësh, kur shkolla kishte një javë që kishte filluar, në shtëpinë tonë erdhi një shkresë ku thuhej: “Petrika Riza të paraqitet në Shkollën e Lartë të Aktorëve”. Mbaj mend që nëna ime, Lefka, u gëzua mjaft: “Dole faqebardhë, biri im”,- më tha ajo. Edhe babai, Llazi, nuk ishte më pak i gëzuar: “Do të të çoj unë në shkollë”,- më tha, por unë sërish nuk ndihesha mirë. Doja të dija, vërtet e kisha merituar apo thjeshtë u kishte ardhur keq për mua. Kjo dilemë më ndoqi për mjaft kohë edhe në vitin e parë të shkollës. Nuk e di pse mendoja: “Unë nuk jam më i miri, unë jam ai që ngatërroi tekstin, jam ai që konkurroi dy herë…” Të gjitha këto më mbanin të ndrydhur. Në mjeshtërinë artistike kisha pedagoge Drita Agollin, dhe ajo i dinte të gjitha këto. Agolli ishte pranuar si aktore në Teatrin Popullor që nga viti 1950. Në vitin 1954 ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura të Bukureshtit në Rumani, për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator 1956 vijoi studimet në ish-Bashkimin Sovjetik për regji teatri në Institutin e Artit Dramatik “Lunaçarski” (GITIS) të Moskës. Studimet i përfundoi në vitin 1960 me rezultate të larta. Me të mbërritur në Shqipëri u emërua në Teatrin Popullor si aktore dhe si pedagoge e jashtme në Shkollën e Lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”. Me themelimin e Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1956, u emërua si pedagoge definitive në degën e dramaturgjisë. ku iu përkushtua artit dramatik, si aktore dhe regjisore. Ishte një pedagoge e shkëlqyer.

Fjalët e sinqerta të Drita Agollit

Ndoshta nuk do të isha bërë aktor, nëse nuk do të kishte ndodhur diçka e rastësishme. Pas provave, unë dhe Fiqiri Sejdia, po përcillnin pedagogen tonë. Gjatë rrugës, kur po e shoqëronim, më tha: “I dashur Petrika, më ke pëlqyer që ditën e parë të konkurrimit. Unë zbulova te ju zërin e plotë, zërin gjoks, ngrohtësinë në komunikim, prandaj këmbëngula për konkurrim të dytë…” Të them të drejtën mbeta i habitur, i mrekulluar, i befasuar njëkohësisht, i lumturuar si asnjëherë tjetër, Diçka e ngrohtë hyri në shpirtin tim. “E pra, thashë me vete, unë e paskam merituar konkursin”. Nuk di si ndodhi, por atë çast u çlirova nga gjithë dilemat e mia. Të nesërmen isha një nxënës i lumtur, një nxënës-aktor që nuk e mundonin më dilemat, isha vetvetja. Kështu nisi udha ime, fal të vërtetave që më tha e madhja Drita Agolli. Më 1970, mora pjesë te filmi “I teti ne bronz”, me rolin e Rustemit; 1970 te “Montatorja”, me rolin e brigadierit; më 1972 te “Yjet e netëve te gjata” me rolin e Naimit; më 1975 te filmi “Në fillim te verës”, me rolin e Rapit; më 1976 te “Përballimi”, me rolin e Koço Sharkos; më 1977 te “Flamur në dallgë”, me rolin e kapitan Cox; më 1979 te “Mësonjëtorja”, me rolin e dhespotit; më 1979 te filmi “Me hapin e shokëve” me rolin e Rizajt; më 1981, te “Agimet e stinës së madhe”, me rolin e Rustës, e kështu me radhë, pa i përmendur të gjitha, por në heshtje do të falënderoja gjithnjë pedagogen time, Drita Agolli. Fjalët e saj saj të sinqerta dhe të vërteta, kthyen besimin te shpirti im.

Një jetë në skenë dhe sheshe xhirimi

Nisa të kërkoja te vetja më të mirën. Koha rridhte dhe unë gjithnjë gjendesha duke interpretuar në role në filma artistikë dhe në teatër. Gjatë viteve 1998-2004, kontribuova si drejtor i teatrit, rolin e fundit e luajta te filmi “Fletë të bardha” në vitin 1990.

Ja disa nga rolet e Petrika Rizës, në teatër

Xhaxha Madhi te “Rruga e madhe”

Marku te “Bija e Çobanit”

Ralfi te “Engjëjt e skëterrës”

Kryetari te “Mësuesi i letërsisë”

Kapiten Koks te “Flamur në dallgë”

Volpone te “ Volpone”

Kryetari i gjyqit te “Monedha false”

Turhani te “Kështu të dua”

Gjykatësi te “Një budalla e gjysmë”

Xhon Keler te “Ishin të gjithë bijtë e tij”

Komisari te “Intergirl” (Vajzat me valutë)

Çizo te “Qytetrrethimi”

Komisari i Policisë te “Përbindëshi”

Prokurori te “Denoncimi”

Lini te “Njerëz dhe minj”

Babai te “Puthja”

Shefi i hetuesisë te “Hajdutët ikën në drejtim të paditur”

Hotelxhiu Kristaq te “Hipokritët e vegjël”

Qazimi te “Ju ftojmë në dasmën e babait” etj.

Në kinematografi

Dhespoti te “Mësonjëtorja”

Ibrahimi te “I teti në bronz”

Neimi te “Yjet e netëve të gjata”

Abdi Shara te “ Këneta”

Rrapi te “ Në fillim të verës”

Daja te “ Me hapin e shokëve”

Rusta te Agimet e stinës së amdhe”

Koço Sharko te “Përballimi”

Xhandari te “Rrugicat që kërkonin diell”

Xhaxha Madhi te “Rruga e madhe”

Kajmekami te “ Kush vdes në këmbë” etj.

Burimi: www.telegraf.al