ALMA MILE/ “Të gjithë jemi instrumente. Japim mesazhe paqeje”. Mjaft të shihje muret e dyqanit të tij, mbushur me urdhra nderi dhe falënderime të marra nga personalitete të larta, që nga shenjtëria e tij Papa Françesku, te Presidenti i Republikës Italiane etj., për të kuptuar moton e jetës së tij.

Po bëhen gati 3 dekada që Petrit Kozeli jeton në Mantova, Itali, në këtë qytet ku trashëgimia kulturore përbën një element të rëndësishëm identitar, por në këtë qytet gati-gati imponues, me atë pamje si të një kohe të ndalur, Kozeli është përpjekur dhe ia ka dalë të krijojë një identitet të vetin. Ka qenë pa dyshim e vështirë, por kur prakticiteti dhe krijimtaria bëhen bashkë, do të ketë me patjetër një rezultat.

Petrit Kozelin e njohin shqiptarë e italianë. Ka nga ata që e kujtojnë si “këpucarin e Papës”, apo si realizuesin e këpucëve me ngjyrat e flamurit italian dhe atij shqiptar. Kjo është e vërtetë, por historia e Petrit Kozelit nuk nis me këpucët. Dashuria e tij e parë ishte fotografia. Përpara viteve ‘90, ai ushtronte profesionin e fotografit, madje ka pasur fatin të jetë dëshmitar i momenteve të rëndësishme në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri. Ju kujtohen portretet e të ikurve me ambasadat? Petrit Kozeli ka realizuar fotografitë e pasaportave të të gjithë shqiptarëve, që u futën brenda kangjellave të ambasadës gjermane. Me largimin drejt Italisë ai fitoi një zanat tjetër, atë të këpucarit. Sot ka një dyqan në “Via Orefici”, ku hyjnë e dalin klientë, që Petriti i pret e përcjell me buzë në gaz dhe me një batutë gjithmonë gati.

Nuk ka banor në atë zonë që të mos flasë me dashamirësi për të. Është bujar. Shërbime të vogla i kryen edhe falas dhe pa dyshim, klientët do të kthehen sërish aty. Dyqani i tij është fort mirë i dallueshëm prej vitrinës, ku janë ekspozuar dy palë këpucë, modeluar me ngjyrat e flamujve italian dhe shqiptar.

Për ato ka marrë vlerësime nga Presidenti i Republikës Italiane, nga Papa Françesku e së fundi do të merrte titullin “Ambasador i Kombit”, të cilin ia dorëzoi vetëm pak ditë më parë ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Lani, në prezencën edhe të ministres së Kulturës, Elva Margariti, e ndodhur në Mantova për “Festivaletteratura 2019”.

Me një motivacion, që vlerësonte kontributin e tij si një qytetar model europian dhe si një urë lidhëse paqeje në botë, Kozeli tanimë është ambasadori “de jure” i Shqipërisë, që modestisht do t’u japë shembullin vendësve dhe të ardhurve të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e origjinës. Në rubrikën “Sekrete Mjeshtërie” të Ministrisë së Kulturës, Petrit Kozeli tregon rrugëtimin e tij nga fotograf në një mjeshtër këpucar.

Si u bëtë fotograf i të “strehuarve” në ambasadën gjermane?

Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale më ngarkoi mua të realizoja fotografitë për pasaportat e të gjithë shqiptarëve që hynë në ambasadën gjermane. Janë momente të pashlyeshme nga memoria. Ende e kam si plagë brenda meje. Më kujtohen gra, burra, të moshuar që kacavirreshin nëpër kangjella dhe ishte e tmerrshme të shihje këtë pamje të ndodhte në vendin tënd, atë që e kishe mbajtur si një parajsë.

Cili ishte reagimi i tyre kur u bëje fotografitë?

Në fillim provonin një ndjenjë çlirimi. Duke bërë fotografitë, ata mendonin se gjithçka do të përfundonte shumë shpejt, por pasi kaluan 10 ditë, u mbërthyen nga një ndjenjë ankthi se çfarë do të ndodhte me ta. Ata e dinin se nëse do të dilnin prej andej, e ardhmja e tyre nuk ishte më e sigurt. Mos harroni që Shqipëria ishte ende nën diktaturë dhe presioni ishte shumë i madh.

Ç’ju kujtohet nga ajo kohë?

Përveç dhimbjes që kam ndier, më kujtohen edhe kushtet e tmerrshme ku shqiptarët kaluan ato ditë. Njerëz që rrinin me këmbë të mbledhura, që hanin vetëm një copë bukë, që ua hidhnin nga sipër, që nuk dihej se ku i kryenin nevojat personale. Edhe tani rrëqethem kur e mendoj.

Shqipëria ishte ende nën diktaturë, ishit i survejuar?

Pa dyshim që isha i survejuar nga Sigurimi i Shtetit. Ndoshta ata mendonin se unë mund të fusja diçka që nuk duhej në ambasadë.

Ju si u larguat nga Shqipëria?

Unë nuk do të largohesha kurrë nga Shqipëria. Sigurisht, jo në atë mënyrë. Jo pa një vizë në pasaportë, siç i thashë edhe ambasadorit italian, Torquato Cardilli, emrin e të cilit nuk do ta harroj gjithë jetën. Ajo që do të më largonte nga Tirana ishte dhembshuria dhe detyra prindërore: shëndeti i tim biri të mitur, që kishte nevojë për një diagnostikim dhe kurë më të specializuar. Në një kohë kur duheshin muaj për të marrë një vizë italiane, unë e mora brenda fare pak ditësh. Ishte vetë ambasadori italian që do të hynte garant për mua, pasi për të shkuar në Itali duhej një garanci, çka unë nuk e kisha. Kur më pa se u dëshpërova, më përqafoi dhe më tha se do të ishte ai që do të ma ofronte garancinë.

Më pas erdhët në Itali dhe u vendosët në Mantova, si u integruat?

U nisa drejt Italisë vetëm për 15 ditë, u ktheva në Tiranë, por u riktheva sërish me një kontratë pune, për të ndjekur shëndetin e tim biri. Fati e deshi që të vendosesha në Mantova, në këtë qytet mikpritës, ku tashmë ndihem si në shtëpinë time. Kam bërë gjithfarë punësh, deri sa nisa si fotograf në një qendër tregtare. Pranë hapësirës ku unë punoja ishte një këpucar, të cilin e ndihmoja herë pas here dhe kështu mësova zanatin e këpucarit.

Ju u bëtë i famshëm me këpucët me motivet e flamurit italian dhe atij shqiptar, si ju lindi ideja?

Ishte viti 2014. Ishte si një mesazh brenda meje: ‘Të ecim drejt një Italie më të mirë dhe më të zhvilluar’. Kjo të thoshte ‘me mbath’, ‘me ec’… Kështu lindi ideja për të realizuar këpucët me flamurin italian. Ishte një shenjë mirënjohjeje për këtë vend që më mikpriti, ku nuk ndjeva asnjëherë racizëm. Nuk janë këpucë për t’u shitur, por për të dëshmuar mirënjohje dhe një kërkesë simbolike, për të qenë krenarë për vendin e vet.

Si u pritën?

Mjaftuan vetëm pak minuta pasi i vendosa në vitrinë, që njerëzit të viheshin në radhë për të bërë fotografi. Më erdhën nga gazeta e Mantovës dhe më kërkuan t’i hiqja nga vitrina, pasi donin ekskluzivitetin. Mjaftoi ky shkrim, që të sillte në dyqanin tim prefekten e Mantovës, e cila u kujdes personalisht që këpucët t’i shkonin Presidentit të Republikës dhe menjëherë me vjen falënderimi bashkë me urdhrin “Cavaliere Ufficale-Al merito della Repubblica Italiana”. Por nuk kishte se si të mungonin këpucët kuqezi. Nëse këpucët me flamurin italian i realizova për tre muaj, për atë shqiptar m’u deshën 14 syresh. Ka qenë e vështirë për të realizuar shqiponjën, derisa eksperiment pas eksperimenti arrita ta realizoj përmes një teknike “tatuazhi”.

Si përfunduan ato këpucë tek Ati i Shenjtë?

I nisa përmes ambasadës, por kur ia nisa shenjtërisë së tij, nën moton ‘Ecim së bashku’, kaluan muaj deri sa të vinin këtu dy sekretarë të vetë Papës. Më duhet t’jua them se mesazhi im nuk kishte shkuar i plotë në Vatikan. Bashkë me këpucët unë i kisha dërguar një letër, ku ia shpjegoja se përse i kisha realizuar këto këpucë. Një letër që nuk i kishte mbërritur. Kur një nga sekretarët e lexoi, më tha se do t’ia linte mbi tavolinë dhe do të kujdesej që ai ta lexonte, pasi Papës i shkonte një dhuratë në një minutë… imagjinoni… Dhe kështu ndodhi që vetëm pak ditë me vonë vjen edhe vlerësimi nga Papa Françesku, “Commendatore dell Ordine San Silvestro Papa”.

Burimi: Panorama.com.al