Petro Nini
Petro Nini

“Mësuesi i Popullit” Petro Nini Luarasi, veprimtar i shquar i rilindjes kombëtare, mësues i shqipes dhe nismëtar i krijimit të shkollave dhe kishës ortodokse shqipe, publicist, poet, studjues, lindi më 22 prill 1865 në Luaras të Kolonjës.
Ai qe djalë i vetëm me tre motra, me prindër Nini Petro Kostallarin dhe Vasilen, bijë e Naum Pandos nga Gostivishti i Perasit.
Kreu shkollat fillore në Nokovë dhe më pas të Hotovës e pedagogjiken e Qestoratit ne Lunxheri te Gjirokastres.
Në Qestorat, në shtëpinë e mikut të babait, atdhetarit martir Koto Hoxhi, ai mësoi privatisht shkrim e këndim në shqip.
Më 1882 filloi punë si mësues i greqishtes në shkollën e Bezhanit ku u mësonte nxënësve edhe shqip. Më pas dha mësim shqip edhe në fshatrat Katund, Treskë të Vakëfeve e Luaras dhe më gjerë gjerë në Kolonjë, Pogradec e Korçë ku përgatiti mësues të ardhshëm të gjuhës shqipe si Vasil Cico Duro, Jorgji Miti Sevo, Kristo Papa Stefan Kici (ose Kristo Luarasi), Leko Zisi Dhima e Vasil Thanas Vasili. Në shtator 1887 hapi shkollë shqipe private në Ersekë e më pas drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës dhe shkollën shqipe të Negovanit. Në veprimtarinë e tij patriotike për zbatimin e platformës kombëtare, P.N.Luarasi bashkëpunoi me parinë bektashiane -moderatorë të myslimanizmit dhe me protestantët anglo-amerikanë, përfaqësuesi shqiptar i të cilëve qe Gjerasim Qiriazi. Por krahas lidhjeve miqësore patriotike, shkaktoi armiqësi me zyrtarët turq e bejlerët dhe klerin shovinist grek e agjentët e tij. Për veprimtarinë e tij si mësues i gjuhës shqipe, hapjen e shkollave dhe përkthimin e leximin në shqip të psallmeve në kishën e Luarasit në bashkëpunim me papa Stefan Luarasin, u perndoq, u mallkua dhe u shkishërua familjarisht nga tri dhespotë e Kosturit : më 1887 nga Qirilli, 1889 nga Gregori dhe më 1892 nga Fillareti, i cili edhe e shkishëroi familjarisht (shih: P.N.Luarasi:Mallkimi i shkronjave shqipe…).

Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri bënë që agjentë e tij ta helmonin , të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere.

Në prill 1904, P.N.Luarasi arratiset nga burgu ku e ishte mbyllur qeveria turke dhe u strehua në Sh.B.A, si emigranti i parë politik shqiptar. Atje Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjërë duke futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe.
Ai krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane : “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip.

Më 1908 u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komit për çlirim duke krijuar një çetë në bashkëpunim me Çerçiz Topullin. Ndërkohë u shpall Hyrieti ( Autonomia e amnistia) e ai vazhdoi veprimtarinë patriotike në legalitet. Mori pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit së i deleguar i “Lidhjes Ortodokse” Negovanit e Ballkamenit ku mbajti një fjalim të rëndësishëm në mbrojtje të ortodoksëve shqiptarë. Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit të Korçës Joakim ta helmonin, të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë por gdhendi në historinë e popullit tonë amanetet legjendare:: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…!” dhe “ Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi!”

Loading...