Lola Gjoka
Lola Gjoka

lindi në Sevastopol të Rusisë, më 22 maj të vitit 1910 në një familje emigrantësh shqiptarë, me origjinë nga Bulgareci i Korçës dhe vdiq në Tiranë më 6 tetor të vitit 1985. Shkollën e përgjithshme e kreu në qytetin e lindjes, ku studioi për piano dhe danc në klasën e Karallova-s. U kthye në atdhe, në Korçë, në vitin 1932, ku së bashku me Jorgjia Trujan, Thoma Bezhanin, e Llambi Turtullin debutoi në koncertin e parë profesionist, në kinema “Mazhestik” të Korçës.

Në vitet 1933-1934 kreu një varg koncertesh si soliste e koncertmaestre e këngëtarëve Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, Kristo Koço e Mihal Ciko. Vlerësohet me fletë nderi në konkursin pianistik në Vjenë të Austrisë, në vitin 1933, ku shquhet për debutimin e saj dhe po atë vit emërohet nga Hilë Mosi mësuese e pianos dhe e valles në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Përfundon me pikët më të larta studimet e larta si pianiste koncertiste në Athinë.

Së bashku me Tefta Tashko Koçon, Jorgjie Trujën e Marie Krajën merr pjesë në Panairin e Firences si përfaqësuese të artit shqiptar në vitin 1938. Lola Gjoka është një ndër të parat mësuese të pianos të shkollës së parë muzikore shqiptare, Liceut Artistik. Në vitin 1953 emërohet koncertmaestre e grupit lirik në Filarmoninë Shqiptare të sapokrijuar, ku kontribuon për vënien në skenë të mjaft veprave të kulturës botërore dhe si as/regjisore. Pas hapjes se Teatrit të Operës luan një rol të rëndësishëm artistik në repertorin e gjerë operistik të asaj kohe. Me hapjen e Konservatorit të Tiranës, në vitin 1962 emërohet pedagoge e pianos dhe koncertmaestre e klasave të specialitetit të kantos, duke mos iu ndarë aktivitetit koncertor edhe jashtë vendit, si në Rusi, Kinë, Hungari, Kubë etj.

Merr titullin “Artiste e Merituar” për merita si artiste e veprimtare artistike më 1966 dhe titullin “Artiste e Popullit” në vitin 1978, për veprimtari të shquara si pedagoge pianiste dhe përpunuese e këngës popullore. Pianistja Lola Gjoka është një nga figurat shumëdimensionale në historinë e artit tonë muzikor, sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin e institucioneve të para artistike, duke punuar me përkushtim paralelisht edhe në formimin e artistëve të rinj. Ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përkthimin e dy operave të para, “Rusalka” dhe “Ivani Susanjin”. Pasuria dhe dashuria për muzikën vokale e në veçanti për këngën popullore, ka ushqyer gjithmonë shpirtin e saj krijues.

Me elegancën dhe temperamentin që e karakterizonte, ajo krijoi dhe interpretoi Suitën për piano e orkestër harqesh për Koncertet e majit 1978. Por sigurisht që thesari më i çmuar që na ka lënë është libri “50 këngë të përpunuara”, botuar pas vdekjes.