Pianon e parë në Korçë e sollën djemtë e Ali efendi Grinzës

Pianon e parë në Korçë e sollën djemtë e Ali efendi Grinzës. Ata kishin qenë emigrantë në Amerikë. Shpesh, kur kurbetlinjtë ktheheshin në Korçë, sillnin edhe ndonjë vegël muzikore. Ortodoksët sillnin buzuqe dhe fyej, (violinën e kishin të ndaluar. Pse? Do ta themi më poshtë); myslimanët sillnin volina dhe llahuta, (për ta violina ishte vegla e parë), ndërsa djemtë e Ali efendi Grinzës sollën pianon prej Amerike, (parapëlqyen të shfaqeshin ndryshe nga gjithë të tjerët. Ishin muzikantë të talentuar. Kur ata luanin në piano, Korça binte në heshtje, dëgjonte e mallëngjyer lojën magjepse të djemëve të saj. Historia e muzikës nis në lagjet e Kasabasë, (qyteti i vjetër i Korçës).

Për të kuptuar më shumë po ndalemi një çast në historinë e muzikës së këtij qyteti: në lagjet e Kasabasë, në lokalet e saj në qendër të pazarit, kur tregu mbyllej dhe mbrëmja binte, sazet me llahutë, violinë e klarinetë mbushnin gjithë hapësirën e qytetit të Korçës. Në raste fejesash e dasmash kënga nuk kishte të pushuar deri në agim. Banorët e Kasabasë nuk mund të festonin pa patur një orkestër në shtëpinë e tyre. Në fillim i merrnin sazet nga vendet fqinje, po më pas, nga mesi i shek XIX qyteti nxori sazet e veta. Kështu shkruan në kujtimet e veta edhe Vasil Ballauri: “Në ato kohë familjet e mira korçare, familjet pra, që kishin një farë niveli ekonomik, filluan të thërrisnin nëpër sebepe të ashtuquajturit “saze”. Ç’ishin sazet? Nuk jam i qartë për etimologjinë e kësaj fjale, por dihet se sazet përbëheshin nga një grup orkestrantësh popullorë, të cilët luanin vegla muzikore, si violinën dhe fyellin. Më vonë në këtë grup, pra në sazet, u inkuadruan edhe gërneta ose klarinta si dhe dy lahuta. Sazet këndonin edhe shfrehnin dufin, shpirtin, gëzimet dhe andrrallat e jetës së përditshme. Në fillim të periudhës së sazeve (në qoftë se mund të shprehemi kështu), qyteti i Korçës nuk kishte të tilla, dhe për këtë arsye familjet e pasura i merrnin ato nga zonat etnografike fqinjë si Ohri, Kosturi e Leskoviku. …Asi kohe sazet më në zë ishin ato që vinin prej Kosturit. Më vonë, me qenë se kërkesat shtoheshin dhe me qenë se qyteti po zmadhohej dhe numri i dasmave rritej, shohim se sazexhinjtë e Leskovikut filluan të vendosen me banim të përhershëm në qytetin e Korçës.

…Sazexhinjtë më të mirë në atë kohë ishin ata myslimanë, sazet e huaja dalëngadalë filluan të thirreshin në qytetin e Korçës gjithnjë e më rrallë”. (“Një dritare në historinë e muzikës së Korçës, f. 19-20)

Sazet e myslimanëve ishin vërtetë më të mirat, pasi ortodoksët deri në këtë kohë e kishin për turp të luanin në violinë me qenëse kjo vegël përdorej edhe nga sazexhinjtë romë dhe egjiptianë. Ja çfarë shkruan në kujtimet e tij V. Ballauri: “Veglat muzikore të rinisë korçare të kësaj periudhë ishin buzuku dhe fyelli. Veglave të tjera e kishin për turp t’u binin me qenë se ato i përdornin sazexhinjtë të cilët qenë kryesisht evgjitë” (“Një dritare në historinë e muzikës së Korçës, f. 23)

Ishte koha kur në lagjet e ortodoksëve këndoheshin llazoret. Çfarë ishin llazoret? “Nuk është nevoja t’ju themi se sot kemi llazoret, se që të gjithë të këtushmit, (të Korçës), e dinë, po ata të jashtmit (që nuk janë nga Korça), nuk e dinë. Le të shkruajmë dhe pak për historinë ose për ata që që nuk e dinë. Brenda kësaj jave dalin grupe zonjash të vobekta shtëpi më shtëpi, dyqan më dyqan dhe këndojnë llazoret. Llazoreve u jepen sende, ushqime, të holla dhe të tjera. Sot e kanë ditën e fundit, nuk vijnë rrotull më. Njëra nga grupi i llazoreve mban një nuskë në gjoks të bërë prej basmash. Nuska është një kleçkë e mbuluar me pëlhurë; mbi të kanë ngjitur një kulaçkë basmaje në të cilën kanë qënddisur sytë, gojën, hundën etj. Nga fundi i kanë veshur fustan e të tjera zbukurime. Është pothuajse 30 pond e gjatë. Kënga e parë e tyre është kështu:

Edhe moti me shëndet, llazore,
Na gjeçin gëzuar, llazore,
Me djemkat martuar, llazore,
Djal’ e çupë në shtëpi, llazore etj.

Pastaj pyesin për emrat e të zot të shtëpisë dhe i këndojnë çdo emri. Ose:
File trendafiliko/, Jar e margarito.

Po të jetë se i zoti i shtëpisë dëshiron këngë të tjera, zënë këndojnë gjithë farët (llojet) e këngëve popullore dhe kombëtare të reja. Në rast se shtëpia e vizituar mban zi, nuk këndojnë llazoret. Kënga e llazoreve përsëritet shumë herë sa të mërzit. Megjithatë populli është mësuar dhe i pëlqen hope-hope që të merret me sende të jashtëzakonshme. Po ka mbetur edhe një proverbë për ata që këndojnë shumë, jo mirë, dhe që gjithnjë një avaz kanë, (ndaj) u thonë: “Na këndojnë si llazoret!” (Kllapashka, Zëri i Korçës, 16 prill 1927).

Këto ishin këngët që këndoheshin në lagjet e ortodoksëve të Korçës. Një mënyrë tjetër e të kënduarit ishin edhe kolendrat: “Populli ortodoksë i Korçës i feston Kolendrat natën më të gdhirë 24 dhjetor, kurse më 25 janë Krishtlindjet. Çdo familje ortodokse bënte për këtë festë Kolendra, domethenë figura të ndryshme prej brumi, si zhgaba me një krerë ose me dy krerë, çanta, byzylyqe, nuska, kapedanka, libra etj. Fëmijët me çomage në dorë vinin shtëpi më shtëpi godisnin me çomage në portë duke kënduar këtë këngë:

Kolendra me lendra,
Sara, vara godinara,
Ciu, ciu, vak, vak, vak,
Nëm moj babo një kulaç,

Hyri plaka brenda,
Të na sjellë Kolendra.

Është shumë e mundur që tradita e Kolendrave të jetë qysh në kohët e vjetra dhe në kohët e mesme kur sllavët u shtrinë në zonën e Korçës. Ata e adoptuan, siç duket, këtë zakon dhe e veshnë me rrobën sllave, prandaj djemtë e Korçës këndojnë këtë këngë me fjalë sllave të cilën nuk e kuptojnë. (“Lëvizja për çlirim kombëtar”, kujtime të Thanas Viso Mborjes, f. 18-19).

Paragrafi i mësipërm pohon edhe një herë të vërtetën, që ndoshta Thanas Viso Mborja nuk e ka ditur, që banorët e fshatit Peskëpi ishin sllavë të mbetur nga koha e pushtimit bullgar.

Megjithatë, sipas V. Ballaurit: “Aty nga vitet 1860-1880, në Korçë shquhej veçanërisht “pareja” e famshme e Gaqo Markos, Spiro Ramizit, Nisi Piastos, Vani Mitkos, Thoma Lakos, Koti Kaçirioti, L. Osmanlliu etj”. (“Një dritare në historinë e muzikës së Korçës, f. 22).

Pretendimi i mësipërm duket paksa i eksagjeruar, pasi shoqëritë muzikore të mirëfillta u krijuan pas vitit 1908. Kurse për orkestrat e krijuara në lagjet e Kasabasë mund të thuhet që e kanë zanafillën që nga kjo kohë në mos më herët; ato nxorën muzikantë të talentuar, emrat e të cilëve përmenden si virtuozë: “Në ambientet korçare myslimane shquheshin për muzikën sidomos dhëndri i Belul efendiut (është fjala për Ibrahim efendiun) me lahutë dhe buzuk, i cili kishte erdhur në atë kohë nga Stambolli. Ky kishte parinë e tij me të cilën këndonte. (“Një dritare në historinë e muzikës së Korçës, f. 32)

Gjithashtu Vasil Ballauri shkruan edhe për djemtë e Ali efendi Grinzës: “Po ashtu në këtë periudhë, u shquan për piano edhe djemtë e Ali efendi Grinzës etj. Nga emigrantët erdhën gjithashtu edhe kurbetlinj të tjerë me dashuri të madhe e mjaft të zellshëm për zhvillimin e muzikës në Korçë”. (“Një dritare në historinë e muzikës së Korçës, f. 32)

Të gjitha këto përpjekje të të rinjve nxitën shoqërinë “Dituria Shqip” të Orhan Pojanit të krijonte “Bandën e Lirisë”, ku ndërkohë edhe Mitropolia e Korçës formoi dy shoqëri muzikore të quajtura “Anagjenisi” dhe “Ta Patria”, si arritjet më të mira muzikore të kohës, por në të vërtetë ajo që bëri emër dhe këndoi shqip deri në Misir ishte “Banda e Lirisë” me profesor muzikantin Italian, Paskuale Anibale.

Ardhja e pianos në Kasaba, virtuoziteti i djemve të Ali efendi Grinzës, violina si pjesë e orkestrave i dhanë ritëm tjetër muzikës së qytetit.

Nga Vepror Hasani /Naishtedikur.info