BOTOHEN FOTOT E RRALLA/Historia e jetës së pilotit amerikan

Nga BLEDAR KUMBULLA & RIZA LAHI

Në hulumtimin tonë, ndërsa është në procesin e të shkruarit “Dinosaurët e fundit” vll. 2, ne kemi mundur të zbulojmë se kush ka qenë piloti që është ulur atë 23 dhjetor 1957 në aerodromin e papërfunduar të Rinasit, si është përjetuar ngjarja nga ai vetë dhe cila është e vërteta e asaj dite sipas burimeve amerikane.
Në të vërtetë, siç pohon burri i vjetër dhe protagonisti kryesor i aviacionit shqiptar, piloti Edip Ohri, avioni T-33A, me nr bordi 14413, i pilotuar nga Majori Howard J. Curran, nuk është ulur forcërisht. Propaganda e kohës i ka ”rënë për shkurt” duke e cilësuar, ashtu siç e kemi të shkruajtur në foton e dytë: “Avion amerikan, që pilotët tanë trima e detyruan të ulet”. Ai është ulur vetë, ama, kjo e vërtetë, nuk e errëson asesi figurën heroike të pilotëve shqiptarë. “Menjëherë Vendkomanda Qendrore dha alarm dhe, për një kohë rekord, u ndodhën në ajër pilotët e gatishmërisë së Qytetit Stalin (Kuçovës së sotme). Sapo Anastas Ngjela dhe Mahmut Hysa (që na kanë lënë të dy) me MIG 15 e tyre u drejtuan nga ai, piloti i huaj, a se i pa vetë, a se u paralajmërua nga VK e NATO-s në Napoli, ndërroi menjëherë drejtim për nga jugu në drejtim të Korfuzit duke hyrë në territorin grek.
“Çifti ynë mori urdhër të kthehej në bazë”, – sqaron diçka nga akti trimëror i pilotëve të Kuçovës. Se, që të dy burrat, u ngritën për t’u ndeshur në ajër me dikë dhe ky “dikë” ishte një tip avioni që mbante armatim dhe nga më modernët e kohës. Ngjela dhe Hysa, pra, dy djema të rinj në atë kohë, u ngritën për t’ thënë “Ndal” me forcën e avionëve të tyre, një heroi të ushtrisë amerikane, në bordin e avionit të të cilit, ndodheshin katër kryqe të thyer nazistë. Piloti 43 vjeçar, major, Howard J. Curran u kishte ngrënë kokat katër aeroplanëve gjermanë në luftën e dytë botërore.
Por, në rastin konkret, ai e kishte ulur avionin në një vend të panjohur dhe qe tronditur, kur kishte parë njerëz me yje në kapela…
Veterani Edip Ohri, të cilit i dëshirojmë të rrojë edhe njëqind vjet të tjera, ishte i vetmi që na shtyu drejt penetrimit në mitin e “kapur me forcë të Inspektorit amerikan të NATO”. Pas një vizite në shtëpinë e tij tok edhe me Gjeneral Brigade, pilotin Astrit Jaupi, ne filluam hulumtimet tona rreth kësaj ngjarjeje spektakolare.

Çfarë tregon Ohri përputhet në pjesë të mirë me të vërtetën e burimeve amerikane, por që, sigurisht që këta dy të vërteta, kanë specifikat dhe kureshtitë e veta secila.
Ohri tregon: ”Shenjat u zhdukën pas pak. Gjithsesi, u dha urdhri të ngrihej çifti tjetër në ajër. Kur…Na njoftuan në telefon se në Rinas qe ulur një aeroplan i paidentifikuar… Avioni ishte amerikan si prodhim, dhe piloti, rreth 42 vjeçar, një burrë me përvojë dhe inspektor i NATO-s. Ai kishte marrë pjesë në luftime ajrore në Luftën e Dytë Botërore dhe në atë Koresë. Ishte nisur nga njëra prej bazave ajrore të NATO-s në Paris për në Napoli por, meqenëse andej kishte qenë mjegull, kishte devijuar në drejtimin tonë. Si kishte parë MIG ët tanë, ish futur në territorin grek dhe, si kish ecur përgjatë kufirit me vendin tonë, e kishte parë të arsyeshme të hynte nga zona e Korçës në vëndin tonë. Pasi ka hyrë, fluturuar shumë ulët, sa që nuk e kapën llokatorët. Ai ishte në pikat e fundit të karburantit kur është ulur në Rinas, të cilin e ka pikasur ndërsa kishte dalë nga lugina. Po, po, ishte i njëjti avion. Një gjuajtës mësimor pa armatim (ia kishin hequr të dy mitralozët), prodhim amerikan, i destinuar për zbulim ajror, “Tender jet”  (Reaktivi i dhembshur)

Në momentet e uljes, piloti e tregoi veten një specialist të shkëlqyer… Fill pas uljes ai ka qenë duke u përplasur me kullën ku vëzhgoheshin të burgosurit që punonin atje dhe mund të ishin vrarë njerëz, n.q.s ai nuk frenonte tërë forcën dhe shpjet; aq energjikisht, sa iu ça goma e rrotës …Piloti nuk e dinte se ku ishte ulur. I thashë se qe ulur në “Albania”. U kujtova të shikoj në kabinë e tij dhe pashë një bllok ku ishin shënuar të gjithë aerodromet e NATO-s në rajon. U dha urdhri që aeroplani të sistemohej pranë repartit ushtarak, ku ndejti nën ruajtje të rreptë për dy vjet, mandej erdh e u prish e u kthye thuajse në varrezë, derisa erdhi dita që të përgatitej për muzeum. Piloti është marrë në pyetje nga entet përkatëse, pra, jashtë juridiksionit tonë. Më kanë thënë se ka qenë shumë dinjitoz gjatë marrjes në pyetje, një oficer i vërtetë karriere. Pas disa kohësh, morëm vesh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërhyrë drejtpërdrejtë te Nikita Hrushovi dhe ky i fundit, drejtpërdrejtë te Enver Hoxha që robi të lirohej dhe ashtu u bë. Shqipëria kërkoi që t’ua dorëzonte avionin të zotëve, por ata nuk paraqitën as edhe një interes, dhe, kështu, mbeti te ne…”
Ja, tani, le t’ua lëmë radhën burimeve amerikane.

“Majori Howard J. Curran që mbante pseudonimin e radios ‘Kansas Tornado’ ishte një ‘As’ i dekoruar me Kryqin e Aviacionit për ‘Merita të veçanta” në Luftën e Dytë Botërore, me disa fitore të konfirmuara kundër aviacionit nazist, si edhe objekteve tokësore armike. Lindi në qytetin e vogël Pratt të shtetit Kansas më 27 Mars 1918. Pas përfundimit të shkollës së mesme, hyri në Forcat Ajrore të Ushtrisë Amerikane, ku studioi për pilot gjuajtës. Të gjithë pilotët amerikane të asaj kohe preferonin të vizatonin diçka ne bordin e avionit te tyre, Togeri H. J. Curran zgjodhi Kansas Tornado II, për nder të një piloti të vrarë në Luftën e parë Botërore, mbi Gjermani, me të cilin identifikohej në radio.”
Siç e vërejmë nga ky fakt i rastit, piloti ka qenë një trim dhe njeri me karakter të vendosur. Ai, pra, fliste në radiondërlidhje duke u prezantuar me emrin e një të vdekuri, paçka se ai trim kishte shkuar para kohe tek të shumtit…
“Gjatë Luftës së Dytë transferohet në frontin Perëndimor ku vepron në përpjekjet për çlirimin e Francës. Fluturoi me gjuajtësin e famshëm P-47D Thunderbolt, në Skuadriljen 50 te Krahut Ajror Taktik 405 USAAF, me te cilin arriti edhe fitoret e merituara. Në 12 Shtator 1944 në një betejë ajrore mbi Pont au Mousson të Francës, merr goditje nga një BF-109, por arriti te mbijetojë për të vazhduar përpjekjet.

Gjithashtu, ai mori pjesë aktive në Luftën e Koresë, ku fluturoi me avionë reaktivë P-80 në misione bombardimi. Pas luftës u caktua në Bazën Ajrore Chateauroux të Francës si kolaudator dhe inspektor cilësie i avionëve që dilnin nga shërbimi kapital. Në datën 23 Dhjetor 1957 ai mori detyrën e transferimit të një trajnuesi të avancuar reaktiv T-33A i cili kishte kaluar në shërbim kapital në Bazën Ajrore Chateauroux, në të cilën USAF kishte edhe uzinë mirëmbajtje. Moti në zonën e uljes nuk premtonte, por Majori Curran ishte një pilot kolaudator me përvojë të madhe fluturuese, në të gjitha kushtet atmosferike dhe e pranoi detyrën. Fluturimi do të kryhej në kushte instrumentale. Gjatë afrimit në Napoli, hyn në re dhe në të njëjtën kohë pëson difekt në sistemet elektrike duke nxjerrë jashtë përdorimit radio-ndërlidhjen dhe navigimin. Bënë disa rrathë për tu orientuar se ku ndodhet, pasi nuk kishte fluturuar ndonjëherë mbi këtë zonë të Italisë. Duke e ditur që relievi në zonën e Napolit është i ngritur, mendoi të largohej për në Romë, që të kryente aty ulje emergjente. Por duke fluturuar mbi re, nuk e kuptoi se si kaloi Adriatikun. Kur vendosi të shponte retë poshtë, u gjend përpara një peizazhi të panjohur dhe mendoi që të ndiqte rrugët automobilistike, të cilat zakonisht sjellin afër ndonjë qyteti, ku mund të ketë edhe aerodrome. Nuk e dinte akoma që fluturimi i tij ishte ‘diktuar’ nga mbrojtja kundërajrore e Shqipërisë dhe për këtë arsye ishin ngritur dy interceptorë MiG-15. Më të vërtetë, pas vetëm pak minutash shikon një aerodrom dhe vendos të ulet menjëherë.

Në këtë kohë, njerëzit në aerodrom ishin vënë në lëvizje dhe ai pa ti afroheshin disa makina dhe ushtarë me veshje të panjohur. Kur vështroi yjet e kuq në kapelet e ushtarëve, kuptoi menjëherë që kishte ndodhur ajo që nuk do të donte, kishte kryer ulje në një vend të Traktatit të Varshavës. Vetë piloti pohon se menjëherë erdhën disa ushtarakë te inteligjencës për ta marrë në pyetje, të shoqëruar nga një përkthyes që fliste mirë anglishten. Ai kishte dëgjuar lloj-lloj gjërash për eksperiencat e pilotëve të rrëzuar ose që ishin detyruar të uleshin në vendet e Traktatit të Varshavës, për tortura dhe kyçje në biruca të errëta me lagështi. Por kjo nuk ndodhi këtu. Pavarësisht se pyetjet zgjatën gjatë dhe disa ditë rresht, diçka e zakonshme në këto raste, me të u sollën mirë. E vendosën në një dhomë hoteli afër aerodromit, që ruhej me ushtarë. “Shqiptarët u treguan xhentëlmenë. E vetmja gjë qe na ngeli peng nga ajo ngjarje”, thotë i biri Mike, ishte që autoritetet Shqiptare nuk lajmëruan askënd për uljen e babait tonë dhe të gjithë menduan se ai kishte humbur në det. Nuk kishte kaluar shumë kohe nga vdekja e gruas dhe të tre fëmijët e vegjël e prisnin në shtëpi me ankth. Pas rreth një jave, në radion BBC shqiptare deklarohet ulja e pilotit amerikan dhe kështu u mor vesh çfarë kishte ndodhur. Meqenëse shteti amerikan nuk kishte asnjë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë komuniste, autoritet me te larta i kërkuan shtetit francez që nëpërmjet ambasadës në Tiranë të negocionte për lirimin e tij. Kjo ndodhi 17 ditë me vonë, më 9 janar te 1958-s, kur pilotit iu lejua të largohej me një fluturim ‘charter’ për në Beograd. Qe aty ai menjëherë shkon në bazën e tij në Chateaurux të Francës, për të takuar fëmijët.

Nuk qëndroi shumë dhe pas disa muajsh vendosi të lirohej nga USSAF me gradën e Majorit. Nuk mund t’ia lejonte më vetes të qëndronte larg fëmijëve. Jetoi gjatë në qytetin e lindjes, ku punoi në zyrën e Postës lokale dhe vdiq më 16 gusht 2009. Për nderin e tij, një rrugë e qytetit Pratt i është vendosur emir Maj. Howard J. ‘Kansas Tornado’ Curran”.

tiranaobserver.al