Nga Besi BEKTESHI Libri i Carlo Collodi-it “Le Avventure di Pinochio, Storia di un burattino” është pa dyshim libri më i shitur italian në botë. Por është edhe libri më i përkthyer, po ashtu në botë. Po, nga të dhënat e fundit të bëra për pikërisht kryeveprën e Collodi-it ose Carlo Lorenzini-t të dalë në vitin 1883. Padyshim ilustrimi i të madhit Enrico Mazzanti, ka bërë që breza e breza fëmijësh të edukoheshin me një romanth të tillë të historisë së një buratini-kukulle, që i rritej hunda pse gënjente. Sa filma janë bërë, sa fumete dhe karikatura, sa herë nëna dhe gjyshe, apo baballarë të kujdesshëm dhe gjyshë, kanë vënë në gjumë fëmijët me të tillë tregim vërtetë fantastik, por super edukues. Sa teatro dhe sa balete kemi parë.

Më kujtohet Teatri i Kukullave në Tiranë që ishte plot me fëmijë nga vitet ‘60-të, kur një pjesë e politikanëve që drejtojnë sot ose ishin maleve, ose nuk kishin lindur, ose nuk kishin mundësi ta shikonin. Akoma më shumë në kohë të komunizmit që edukonte me “frymën e klasave” së paku Pinokion nuk na e ndaluan. As Pinokun dhe as Çipolinon! Sot po që edukohen fëmijët, po pra me Big Brother-in që i mëson ose si të bëhen gay, ose lesbike, ose mashtrues ose të çmendur, ose njerëz pa asnjë farë ideali dhe as një farë morali. Por edhe nga kartonët kryesisht plehra (ka edhe të mirë) që i mësojnë fëmijët se si të luftojnë dhe të merren me fantazi të shfrenuara lufte dhe shkatërrimi. E shoqëria akoma vazhdon të pyesë, pse ka fëmijë të dhunshëm!?

Nejse, nuk është qëllimi i shkrimit që të kritikoj edukimin thjeshtë të fëmijëve sot. E kam fjalën te gënjeshtra dhe mashtrimi. Me Pinokun, edukoheshim dikur se nuk duhej gënjyer, nuk duhej të lidheshim në shoqëri të keqe, përfituese dhe mashtruese, të mos kërkonim më shumë pa merituar, të mos ishim të pa respekt për prindërit, të mos hidheshim në aventurë pa moral.

Ata që kanë pasur fatin të lexonin dje, një pjesë e madhe e ka harruar. Nuk them se e kanë lexuar të vegjël shumica e politikanëve që kanë një moshë sa unë dhe më tepër se sa unë. Jo nuk e besoj, sepse nuk kishin shanse dhe mundësi ta lexonin. Po, mbase e kanë lexuar më të rritur, por nuk ju ka bërë shërbim leximi i Pinokut, kur janë bërë 20 vjeç, ose më tepër. Aventurat e Pikokut duhet të ishin lexuar në moshë të vogël, për të kuptuar se gënjeshtra nuk duhet thënë edhe kur ke diçka të mirë në mendje. Sot kur gënjejnë, unë nuk i fajsoj dot, ma kanë hequr mundësinë, sepse nëna dhe babai i tyre, nuk ka pasur mundësinë për të edukuar fëmijën e vogël që nesër ose mbas shumë vitesh, do të bëhej politikan. Mbase i kanë treguar “Historitë e Qerosit” dhe ndonjë përrallë për “Bajlozët”, por aty ose tregohet se si të triumfosh duke gënjyer dhe mashtruar, ose duke ja hedhur të tjerëve duke qenë edhe qeros, ose duke luftuar në çdo moment, çdo vend dhe për çdo gjë si bajloz. Nuk kam ndonjë vërejtje për përrallat me “qeros dhe bajloz”, por duke qenë se nuk kanë qenë të shkruara mirë, janë treguar duke u transformuar nga fshati në fshat, në Shqipëri. Kurse Pinoku, eeeeee, ai i shkreti jo vetëm që kishte dalë nga një popull tepër rilindas dhe pjesë e kulturës së madhe europiane, por edhe është shkruar një herë, për të mos u transformuar më.

Kjo për pjesën e dikurshme që s’e ka lexuar, por ka edhe që e kanë lexuar dikur dhe e kanë harruar. Po, që kanë pasur prindër që i kanë edukuar dhe blerë të tillë libra. Po, dakord, por që jo thjesht e kanë harruar, por me sa duket babai ose nëna, nuk kanë ditur t’ja tregojnë dhe kur është rritur djali apo vajza, duke mos e kuptuar nga tregimi i keq i prindit, nuk e ka futur në mënd dhe tru ashtu si duhet. Kjo kategori është akoma më e keqe se sa kategoria që nuk ka pasur mundësi dhe kontakt me kulturën e romanit të Pinokut. Është kategori më e keqe, sepse kujton se është i kulturuar dhe në fakt nuk është. Kategorisë së parë, nuk dinë se “ju rritet hunda, kurse kategoria e dytë e dijnë, por besojnë se nuk jua shikon kush”. Kategoria e tretë e politikës është ajo aktuale që rritet me Gogun dhe Arsen Lupenin, me kartonët me v..rasje shpatash dhe edukim japonez dhe kinez që ulërasin si bisha kur qëllojnë me shpatë për të prerë. Nuk kam ndonjë gjë me Gokun dhe Lupenin, se prapë janë mirë, por të edukohesh me lojrat në PC dhe internet, do të thotë se v..rasjen duhet ta bësh mënyrë jetese. Tanimë në politikën shqiptare, nuk po instalohen vetëm gënjeshtarët, por edhe ato që janë edukuar me ashpërsinë e kartonëve dhe lojrave me dhunë. Këto vetëm titullin janë kanë dëgjuar Pinokut, titullin e ndonjë filmi, sepse libra…!?

Për këta tipa, gënjeshtra është për mirë. Për këtë kur premtojnë politikisht, nuk kanë masë në gënjeshtër. Prandaj pikërisht për këtë, kur administrojnë, çdo gjë e bëjnë mashtrim, sepse e dinë për mirë. As nënat dhe as baballarët nuk janë marrë për të rregulluar këtë deviacion kulturor, sepse ose kanë qenë në rradhë, ose në punë, ose në emigrim, ose në burgun e një shoqërie të deprimuar. Prandaj kur mbushin zyrat e partive, apo të administratës, nuk dinë as rregullin minimal të sjelljes, prandaj kur janë në drejtim krijojnë tarafin e “dhelprës dhe ujkut”, prandaj kur dikush nuk gënjen dhe nuk mashtron ose nuk vjedh, e marrin inat dhe mundohen ti bëjnë gropën dhe kur nuk kanë mundësi të bëjnë këtë, thonë se është i marrë, idiot dhe budalla. Po, sepse për ta, ai që nuk gënjen dhe nuk vjedh, është budalla.

Po e ekzagjeroj? Mbase, por diçka të fundit më duhet të them dhe jo në mbrojtje të vetes, por në mbrojtje të moralit. Po ta pyesësh në përgjithësi pjesën më të madhe të shoqërisë se cilin roman kanë lexuar të parin, çfarë do të përgjigjeshin? Po, do të përgjigjeshin, por po të ishte e vërtetë se nëqoftëse do të gënjenin do t’ju rritej hunda, atëhere hundët e shqiptarëve do të ishin më të gjatat në botë. E kjo do të na bënte popullin më hundgjatë dhe pastaj për një moshë më të rritur, do ishim populli më hundlesh në botë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Advertisements
Advertisements