Shqipëria, në vitin 1967, u shpall vendi i parë ateist në botë, duke u kthyer në një rast unikal. Kjo ndodhi pas dobësimit të vazhdueshëm që iu bë klerit, kryesisht atij katolik. Dëshmitë që na jep atë Zef Pllumi në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” janë pasqyra më e kristaltë e asaj çka vërtet kleri ka përjetuar gjatë periudhës së politikave absurde.

Në kushtetuën e Shqipërisë u vendos për herë të parë në botë neni “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”. Në përpjekje të vazhdueshme të nxitura nga zotimi se do të përkrahë e zhvillojë propagandën ateiste në qytetin e Shkodrës, u ndërtua në vitin 1973 muzeu më absurd dhe më i paimagjinueshëm nga përmbajtja: Muzeu Ateist.

Muzeu Ateist ishte vendosur në një godinë dykatëshe në qendër të Shkodrës. Aty ndodheshin objekte të marra nga kishat dhe xhamitë e Shkodrës e më gjerë. Gjithashtu, ndër kolonat mbajtëse të godinës ishin edhe fotografi të klerikëve para “gjyqeve popullore” ku ata “jepnin llogari para popullit”.

Në muret e godinës ndodheshin karikatura të vizatuara nga “rinia komuniste”, të cilën atë Zef Pllumi e quan “grumbull rrugaçësh”, ku shfaqeshin Papa apo klerikë të tjerë katolikë të deformuar. Nuk mungonin as klerikët myslimanë, të cilët shfaqeshin krah për krah me papët ortodoksë duke pirë e kërcyer.

Gjithçka ishte ndërtuar mbi bazën e shprehjes së Enver Hoxhës:

SUNDUESIT E KANË PËRDORUR FENË APOSTAFAT PËR TË SHTYPUR NJERIUN, PËR TË FRIKËSUAR NJERIUN ME NJË FUQI IMAGJINARE, QË NË ATË KOHË, NË REALITET, NUK ISHTE VEÇSE KAMXHIKU DHE PLUMBI I BEUT DHE I BAJRAKTARIT.

                                                                                                                           ENVER

Vizita në Muzeun Ateist ishte e detyrueshme për të gjithë, ku për nxënësit e shkollave, vizita në muze ishte vendosur edhe si pjesë e programit mësimor. Shumë të tjerë, të cilët nuk e kishin trandur besimin e tyre pavarësisht ardhjes së komunizmit ateist, shkonin në muze vetëm për të parë figurat e skulpturat fetare para të cilave luteshin nën zë.

Kjo histori qesharake, në absurditetin e vet, mori fund në vitin 1990, kur u bastis nga njerëz të përgjegjshëm, të cilët morë pjesën më të madhe të objekteve të shenjta dhe i rikthyen në kisha e xhami dhe nga njerëz të papërgjegjshëm, të cilët i zhdukën ato çfarë munden të merrnin./Andreas Dushi/Konica.al/