Disa nga batutat dhe skenat më të rëndësishme, nga disa nga filmat më cilësorë dhe të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, njëherazi një kolazh filmash, duke nisur nga prijësi dhe heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, – duke vijuar më tej në “rezistencën e shqiptarëve për pavarësi” apo “shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912”. Ose mbase më thjesht, për të kujtuar që shumë gjëra që sot janë si të mirëqena, si kombi dhe gjuha, dikur nuk ishin si të tilla…

I pari është bashkëprodhimi më i madh që ka pasur Kinostudio “@Shqipëria e Re” dhe kinematografia ruse, me filmin “Skënderbeg” (i cili është restauruar së fundmi) me titullin origjinal “Великий воин Албании Скандербег” (prodhim i vitit 1953). “A don ti me luftue turqit? – Du!”, është një nga batutat e këtij filmi, i cili cilësohet si një ndër kolonat më të mrekullueshme të filmave shqiptarë, e kompozuar Çesk Zadeja dhe rusi Georgi Sviridov, me regji të Sergei Yutkeviç dhe me një kastë aktorë të kinematografisë shqiptare dhe asaj ruse, si në rolin e Skënderbeut aktori rus Akaki Khorava, përkrah Besa Imami dhe Avdie Alibali; në rolin e Dafinës, Veriko Andjaparidze, Georgi Chernovolenko (Marash) apo të Palit, Naim Frashëri. Filmi ka qenë nominuar për tre çmime në Festivalin e Filmit në Kanë, të treja për regjizorin Sergei Jutkevic, dy nga të cilat i fitoi.

Në pjesën e dytë një skenë nga filmi “Liri a vdekje”, një prodhim i kinematografisë shqiptare i vitit 1979, me regji të Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj, me skenar të Vath Koreshi dhe muzikë të Kujtim Laro. “Mos derdh lot moj ime shoqe. Të dua trimëreshë. Nuk do të qaj o kapedan Çerçiz Topulli. Të ishte vatani ynë i lirë dhe unë të merresha me shtëpinë. Kush e di? Pastaj do kishim bërë një tufë djemsh e vajzash dhe ja…s’paska thënë e qenë… Na i bëj kabull një rixha o Jorusun Efendi!”. Një film që e merr subjektin nga komitët e udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno dhe Hajredin Tremishti, që kthehen në fshat te njerëzit e tyre para se të ekzekutojnë bimbashin turk të Gjirokastrës.

“A ka shqiptarë në taborin tënd? Unë nuk po pyes për ata arnautë që iu është bërë gjaku ujë”, është një nga batutat e famshme të filmit “Nëntori i dytë”, një film epik i kinematografisë shqiptare. Filmi mban regjinë e Viktor Gjikës dhe është prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re” në vitin 1982, me skenar të Kiço Blushit dhe Dhimitër Shuteriqit dhe muzikë të Kujtim Laros. Me një kastë të jashtëzakonshme si Sandër Prosi, Rreshat Arbana, Bujar Lako, Pandi Raidhi, Sulejman Dibra, Petrit Malaj apo Hajrie Rondo. Filmi në fjalë trajton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar – shpalljen e pavarësisë së kombit Shqiptar, të udhëhequr nga patrioti Ismail Qemali, ku pas shumë pengesash arrijnë të ngrenë flamurin shqiptar dhe të shpallin Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

“Udha e shkronjave” është një prodhim i vitit 1978 nga RTSH, sipas skenarit të Dhimitër Shuteriqit, ” Buka dhe thika”, nën interpretimin e Sandër Prosit, Bujar Lakos Ndrekë Lucës, Agim Grabockës, etj.. Fabula e këtij filmi “shkon” tek patrioti, mësues Todri, i cili kishte shkuar jashtë shtetit për të siguruar shkronjat shqipe,duke lënë gjithë pasurinë e tij për shkronja. Me kthimin e tij në atdhe, armiqtë e tij nuk ishin të kënaqur. Tunxhi një karvanxhi i thjeshtë e shoqëron ngarkesën dhe nuk arrin ta kuptojë dot patriotin, se përse kishte kaq shumë vlerë e gjitha kjo. Mësues Todri nuk pati mundësinë të arrijë në vendlindje, pasi armiqtë e gjuhës shqipe e vrasin mësuesin.

“Mësonjëtorja”, një tjetër film shqiptar i prodhuar në vitin 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar të Natasha Lakos dhe muzikë të Limoz Dizdarit. Në përmbajtje të këtij filmi, Dafina e interpretuar nga Roza Anagnosti, një grua e re e shkolluar, që kthehet në qytet për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut, i cili kërkon rrugë të ndryshme për ta nxjerrë Dafinën nga qyteti. Për të ndaluar përpjekjet e saj për ngritjen e shkollës, kleri përpiqet të helmojë dhe ç’kishërojë Dafinën. Shkollën e djegin, ndërsa xhaxhai i saj Stefan Bardhi, luftëtari Kajo dhe çifti, e strehon Dafinën dhe e ndihmojnë atë.

“Kush vdes në këmbë”, është një prodhim i vitit 1984, me regji të Vladimir Priftit, skenar të Naum Priftit dhe Vladimir Priftit dhe produksion të “Shqipëria e Re”. Muzika është e kompozuar nga Aleksandër Peçi. Përmbajtja e filmit është portretizimi në episodet e jetës dhe aktivitetit patriotik të mësuesit Petro Nini Luarasi, i cili në fund të shekullit XIX-të ishte aktiv në mbrojtjen e shkollës dhe gjuhës shqipe./Konica.al