ISHTE I PARI QE IA VESHI KENGËS SHQIPTARE – NOTAT

Kënga popullore shqiptare, me shekuj e dekada është percjellur, vesh në vesh. Është ruajtur në bazë të memories se dikujt. Sepse, me përjashtim të vargjeve, ajo nuk ishte e shkruar askund me nota. Këtë gjendje, e ndryshoi një shkodran.

Pjetër Dungu lindi më 27 shkurt 1908 në Shkodër. Ishte kompozitor, drejtues orkestre dhe njihet si përpiluesi i parë me nota i këngëve popullore shqiptare. Pjetër Dungu mësimet e para për muzikë i mori në vendlindje, nga kompozitori shqiptar dhe prifti françeskan At’ Martin Gjoka. Në moshën 11 vjeçare ishte oboist e trompetist dhe më vonë ka studiuar piano dhe harmoni.

Në vitet ’30, Dungu fiton një reputacion të madh si shoqërues në piano i këngëve popullore. Punon në orkestrën frymore të Tiranës dhe në vitin 1937 themelon sektorin e muzikës në Radio-Tirana. Në vitin 1940, Pjetër Dungu botoi “Lyra Shqiptare”, përmbledhja e parë me nota e muzikës popullore shqiptare. Kjo përmbledhje përmban 50 këngë popullore shqiptare; 19 këngë popullore shkodrane, 15 këngë popullore korçare, 7 këngë popullore kosovare, 5 këngë popullore beratase, 2 këngë popullore elbasanase, 1 këngë popullore durrsake dhe 1 këngë popullore vlonjate. Kjo përmbledhje u shtyp nga Instituto Geografico De Agostini, në Novara (Itali).

Në vitin 1942, Dungu shoqëron në piano tenorin Kristaq Antoniu për regjistrimin e tetë këngëve popullore shqiptare për Columbia Recording Company në Itali. Dungu gjithashtu ka drejtuar një orkestër për shtatë regjistrime të Antoniu-t. Në vitet 1944-1951, Pjetër Dungu formoi në Durrës orkestrën frymore të qytetit dhe për një kohë të gjatë ishte drejtuesi i saj dhe i ansamblit artistik “Durrësi”.

Gjatë karrierës së tij artistike Dungu ka kompozuar këngë të muzikës së lehtë, tango, ouverture, kantata, serenata, marshe, valse, intermexo, romanca, fantazi, arie, suita, opereta; Miqësia (1956), Rrjeta e artë (1957), etj. Pjetër Dungu vdiq më 23 nëntor 1989. Sipas amanetit të tij, pianoja e tij personale i është dhuruar Katedrales së Shkodrës.

Rruga Pjetër Dungu në Tiranë mban emrin në nder të tij.

Marrë nga faqja Albumi Akordet e Kosoves

Postimi Origjinal: