Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, optimizmi dhe siguria për të ardhmen solli edhe të ashtuquajturin “baby-boom”, një fenomen botëror i ndodhur në vitet ’40-‘60. Ky fenomen preku edhe Shqipërinë, ku pas lufte u konstatua një lindshmëri e lartë.  Popullsia prej rreth 800 mijë banorësh në vitin 1930 do të bëhej 1.2 milionëshe në vitet 50. Periudha nga vitet 50 deri në vitet 90 njeh rritje të konsiderueshme ku çdo 10 vjeçar numri i popullatës rritet me rreth 400 mijë persona.

Nga vitet 1960, rezulton se në Shqipëri indeksi sintetik i fekonditetit arriti në një raport prej 7 fëmijësh për grua, që ishte një raporti maksimal. Ndërmjet viteve ‘60  në Shqipëri nis rënia e parë e lindshmërisë, që u thellua pas viteve ’70 me shpejtësi. Për këtë qëllim, regjimi i kohës do të ndiqte një politikë “pro-nataliste”. Gjatë gjithë asaj periudhe, qeveria synoi përdorimin e të të gjitha burimeve të saj dhe promovoi rritjen  e  vazhdueshme  të  popullsisë ku u morën një serë masash konkrete që shkonin në favor të rritjes së popullsisë. Masat ishin të karakterit nxitës por edhe të karakterit represiv.

Në politikat e kohës parashikohej një mbështetje e konsiderueshme për nënat që lindin fëmijë. Për të stimuluar lindjen e sa më shumë fëmijëve, në këtë periudhë u vendos edhe një titull nderi i emërtuar “Nënë Heroinë” që u jepej nënave që kishin lindur dhe rritur 10 apo më shumë fëmijë. Nënat më shumë fëmijë në kooperativa përfitonin gjithashtu edhe një lopë për ushqimin e fëmijëve, një stimul që gjithashtu shkonte në ndihmë të rritjes së tyre.

Një masë tjetër pro natalitetit, por shtrënguese ishte ndalimi me ligj i bashkëjetëses dhe i abortit (përtej qëllimeve të tjera).

Një masë interesante ka qenë ajo e ndjekur përmes politikës së taksimit.

Referuar dekretit të qeverisë që hyri në fuqi në fillim të vitit 1959,  shtetasit beqarë, të vejët pa fëmijë, të shkurorëzuarit dhe të martuarit pa fëmijë, detyroheshin të paguajnë një tatim të veçantë.  Tatimi merrej nga personat me moshë mbi 20 vjeç gjer 50 vjeç për meshkujt dhe mbi 20 vjeç deri në 40 vjeç për femrat.  Tatimi fillonte të paguhej nga data 1 janar mbas mbarimit të vitit që personat kishin mbushur 20 vjeç dhe pushonte në mbarim të vitit kalendarik në të cilin meshkujt mbushnin moshën 50 vjeç dhe femrat 40 vjeç.

Masa e tatimit bazohej mbi kategorinë e punës apo të profesionit të personit që i nënshtrohej këtij tatimi të veçantë. Nga kjo taksë përjashtoheshin disa kategori, mes të cilave personat të cilëve, për arsye shëndetësore, iu ndalohej martesa dhe personave të martuar të cilët, për arsye shëndetësore nuk lindnin fëmijë. Po ashtu, përjashtoheshin klerikët të cilët sipas rregullave fetare iu ndalohej martesa dhe vajzat e pa martuara në moshë mbi 30 vjeç që nuk ishin në marrëdhënie pune. Personat që nuk shlyenin detyrimin në afat përballeshin me sanksione, mes të cilave një kamatë në masën 0.10 për qind për çdo ditë vonesë pas mbarimit të afatit.

D E K R E T

Nr. 2817, datë 22.12.1958

MBI TATIMIN E BEQARËVE DHE TË MARTUARVE PA FËMIJË

KAPITULLI I.

Dispozita të përgjithshme

Neni 1.

Shtetasit beqare të vejët pa fëmijë, të çkurorëzuarit dhe të martuarit pa fëmijë, detyrohen të paguajnë tatim sipas dispozitave të këtij dekreti.

Neni 2.
Tatimi mbi beqaret, të vejët pa fëmijë, të çkurorëzuarit dhe të martuarit pa fëmijë merret nga personat me moshë mbi 20 vjeç gjer 50 vjeç për meshkujt dhe mbi 20 vjeç gjer 40 vjeç për femrat.

Tatimi fillon të paguhet nga data 1 janar mbas mbarimit të vitit që personat kanë mbushur 20 vjeç dhe pushon në mbarim të vitit kalendarik në të cilin meshkujt mbushin moshën 50 vjeç dhe femrat 40 vjeç.

Neni 3.

Pagëdhënësit që përmënden në nenin 1 ndahen në grupet që vijojnë:

1) Punëtorët, nëpunësit, ushtarakët, shkrimtarët, punënjësit e shkencës, të arteve dhe të kulturës dhe personat e tjerë që parashikohen në nenet 6 dhe 7 të dekretit “Mbi tatimin mbi të ardhurat e popullsisë”

2) tregëtarët, zejtarët e pa kooperuar dhe profesionistët e tjerë privatë;

3) anëtarët e kooperativave bujqësore, kryetarët dhe anëtarët e ekonomive bujqësore individuale sidhe personat e tjerë.

Neni 4.

Për personat që përmenden në nenin 3 tatimi Ilogaritet;

a) për ata që tregohen në pikën 1, mbi të ardhurat e tyre mujore që i shtrohen, sipas grupit përkatës, tatimit mbi të ardhurat e popullsisë

dhe në masën 2,4% kur të ardhurat mujore arrijnë gjer në 8.000 lekë, dhe 2,5% kur këto kalojnë 8.000 lekë;

b) për ata që tregohen në pikën 2, mbi të ardhurat e tyre vjetore që i shtohen, sipas grupit përkatës, tatimit mbi të ardhurat e popullsisë dhe në masën 4% të të ardhurave vjetore;

c) për ata që tregohen në pikën 3, me shuma fikse vjetore dhe në masën 500 lekë në vit.

KAPITULLI II

Mënyra e llogaritjes, nxjerrjes dhe afatet e pagimit të tatimit

Neni 5.

Për punëtorët, nëpunësit, ushtarakët, shkrimtarët, punonjësit e shkencës, të arteve dhe të kulturës dhe personat e tjerë që parashikohen në nenet 6 dhe 7 të dekretit “Mbi tatimin mbi të ardhurat e popullsisë”, tatimi llogaritet prej institucioneve, ndërmarrjeve dhe organizatave dhe kolektivave të avokatëve në bazë të pagës ose të ardhurave të muajit të kaluar dhe nxirret nga paga e 15 ditorit të 1-rë të muajit pasardhës.

Për të ardhurat që këta marrin jo nga puna e tyre bazë si dhe për t’ardhurat që marrin nga kryerja e punëve të përkohëshme tatimi llogaritet dhe nxirret në kohën e pagimit të këtyre shumave prej institucioneve, ndërmarrjëve dhe organizatave që kryejnë pagesat. Tatimi llogaritet edhe për shumat që sipas dekretit “Mbi tatimin mbi të ardhurat” (neni 24) nuk tatohen.

Neni 6.

Institucionet, ndërmarrjet dhe organizatat me tërheqjen nga Banka e Shtetit Shqiptar të shumave për pagesën e pagave të punëtorëve, nëpunësve dhe ushtarakëve për 15 ditorin e I-rë të muajit, detyrohen të derdhin në buxhet shumën përkatëse të tatimit.

Organet që nuk kanë IIogari Iikuiduese në Bankën e Shtetit Shqiptar detyrohen të derdhin shumat përkatëse të tatimit jo më vonë se një ditë mbas nxjerrjes së tij.

Neni 7.

Për tregëtarët, zejtarët dhe profesionistët e tjerë privatë llogaritja e tatimit bëhet mbi të ardhurat vjetore që i shtrohen tatimit prej seksioneve financiare të komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteteve ku pagëdhënësi ushtron veprimtarinë e tij.

Tatimi paguhet prej tyre në afatet dhe mënyrën që vijon:

a) për çdo tremujor, brënda datës 15 mars, 30 maj, 30 gusht dhe 30 nën­dor, paguhet nga 25% e shumës vjetore të tatimit të llogaritur në bazë të të ardhurave të tatueshme të vitit të kaluar. Për rastet kur pagëdhënësi i shtrohet tatimit për herë të parë, pagesa për çdo tremujor, sipas afateve dhe në masën e caktuar më lart, bëhet duke u nisur nga të ardhurat e parashikuara për t’u nxjerrë gjatë vitit;

b) pas mbarimit të vitit ose pas pushimit të burimit të të ardhurave, në bazë të të ardhurave të vërtetuara gjatë vitit, llogaritet tatimi përfundimtar.

Shuma e tatimit i njoftohet pagëdhënësit nga seksioni fincinciar i komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit ose qytetit 15 ditë më parë nga data e mbarimit të afatit të pagimit të tatimit të këstit të parë. Kur Ilogaritja e tatimit dhe njoftimi i tij bëhet me vonesë, pagëdhënësi detyrohet të paguajë këstin e parë ose shtesën brënda 15 ditëve nga data e njoftimit.

Neni 8.

Për anëtarët e kooperativave bujqësore, kryetarët dhe anëtarët e ekonomive bujqësore individuale si dhe për personat e tjerë, tatimi llogaritet prej seksioneve financiare të komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteve dhe paguhet në një këst të vetëm në kohën e pagimit të këstit të parë të tatimit të ekononisë bujqësore, sipas njoftimit të bërë nga seksioni financiar. Kur njoftimi bëhet me vonesë, tatimi paguhet brenda 15 ditëve nga data e njoftimit.

Kur personat e përmendur në këtë nen kanë edhe të ardhura të tjera të nxjera nga kryerja e punëve të përkohëshme, për këto të ardhura tatimi u llogaritet dhe u ndalet në masën e caktuar në gërmën “a” të nenit 4 dhe në mënyrën e parashikuar në paragrafin II të nenit 5.

Neni 9.

Tatimi i nxjerrë tepër nga personat që përmenden në pikën 1 neni 3 u kthehet atyre nga institucioni, ndërmarrja ose organizata në muajin e ardhëshëm, ose u llogaritet në pagimin e tatimit të muajit të ardhshëm.

Tatimi i nxjerrë tepër kthehet vetëm kur kërkohet brënda një viti nga data e nxjerrjes së tij. Kur llogaritja e tatimit nuk ështe bërë, ose është bërë në një masë më të vogël, institucioni, ndërmarrja ose organizata nxjerr tatimin por për një kohë jo më të largët se 3 muaj.

Për personat që janë larguar nga puna, të cilëve kur ishin në marrëdhënie pune në institucione, ndërmarrje ose organizata nuk u ishte llogaritur tatimi, ose ky u ishte llogaritur në një masë më të vogël, tatimi nuk u nxiret.

Neni 10.

Personat që përmenden në pikën 2 dhe 3 të nenit 3, kur nuk janë tatuar me kohë, i shtrohen tatimit edhe për kohën e kaluor, por jo më shumë se për dy vjetët e më parëshëm. Po kështu edhe rishikimi i tatimit të Ilogaritur më pak nga sa duhej lejohet të bëhet, por jo për më shumë se për dy vjetët e kaluara.

KAPITULLI III.

Përjashtime nga pagimi i tatimit

* *

Neni 11.

Nga pagimi i tatimit përjashtohen:

a) punëtorët, nëpunësit, ushtarakët dhe personat e tjerë që parashikohen në nenet 6 dhe 7 të dekretit “Mbi tatimin mbi të ardhurat e popullsisë” që nga puna e tyre bazë marrin pagë më të ulët se 3,800 lekë në muaj. Ky rregull nuk zbatohet për shkrimtarët dhe punonjësit e arteve, të shkencës dhe të kulturës, punëtorët dhe nëpunësit që punojnë pranë punëdhënësëve privatë, grumbulluesit dhe personat që kryejnë punime me porosi të institucioneve, ndërmarrjeve dhe organizatave;b) kryetarët dhe anëtarët e ekonomive bujqësore individuale që kanë të ardhura nga ekonomia bujqësore gjer më 20 000 lekë në vit;

c) gratë e veja;

ç) ushtarët dhe nën/oficerët për kohën që kryejnë shërbimin ushtatak të detyrueshëm, sidhe gratë e tyre për këtë kohë,

d) invalidët e luftës nacional—çlirimtare, të punës, dhe të ushtrisë si dhe invalidët natyralë dhe persona që vuajnë nga sëmundjet mendore;

dh) nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e shkollave të larta;

e) personat të cilëve, për arësye shëndetësore, iu ndalohet martesa, për kohën që vazhdon ky ndalim, dhe personat e martuar të cilët, për arësye shëndetësore nuk lindin fëmijë;

ë) klerikët të cilëve, sipas rregullave fetare, iu ndalohet martesa;

f) shpërblimi i marrë nga të dekoruarit me tituj sipas dispozitave në fuqi;

g) vajzat e pa martuara në moshë mbi 30 vjeç që nuk janë në marrëdhënie pune.

Neni 12.

Përjashtimi nga tatimi bëhet në bazë të dokumentave, afateve dhe në mënyrën e caktuar nga Ministria e Financave.

KAPITULLI IV-të

Të drejtat dhe detyrat e organeve financiare dhe përgjegjësija e pagëdhënësve

Neni 13.

Organet financiare kanë të drejtë të kontrollojnë rregjistrat dhe dokumentat e institucioneve, ndërmarrjeve dhe organizatave për të vërtetuar saktësinë e ndalesës së tatimit dhe derdhjet e shumave përkatëse në buxhet.

Neni 14.

Për konfliktet që lindin nga caktimi i tatimit i paraqiten ankesa seksionit financiar të komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit ose qytetit brënda 30 ditëve nga data e lajmërimit që i bëhet pagëdhënësit për pagimin e tatimit.

Ankesat shqyrtohen nga përgjegjësi i seksionit financiar të komiteti ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit ose qytetit brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së tyre dhe vendimi i dhënë i njoftohet ankuesit.

Neni 15.

Kundër vendimit të përgjegjësit të seksionit financiar të Komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit ose qytetit mund të bëhet ankim pranë komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rethit ose qytetit përkatës brenda 20 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.

Komiteti ekzekutiv i këshillit popullor të rrethit ose qytetit brenda 30 ditëve shqyrton ankesën dhe vendos në formë të prerë duke i njoftuar vendimin ankuesit me anën e seksionit financiar.

Neni 16

Paraqitja e ankesës nuk pezullon nxjerrjen e tatimit brënda afatit të caktuar, por organi që shqyrton ankesën ka të drejtë të pezullojë nxjerrjen gjer në dhënien e vendimit.

Kur pas shqyrtimit të ankesës nga organet përkatëse vendoset në favor të ankuesit, shumat që janë marrë tepër ose pasuria që mund të jetë sekuestruar i kthehet pagëdhënësit sipas ligjës “Mbi nxjerrjen e të ardhurave shtetërore”.

Neni 17.< Kundër pagëdhënësve që nuk shlyejnë tatimin në afatet e caktuara, merren këto masa: a) për çdo ditë vonesë pas mbarimit të afatit për pagimin e tatimit merret kamat—vonesë në masën 0.10%; b) për detyrimet e pashlyera në afatet e caktuara, organet financiare marrin masa për nxjerrjen e tyre në mënyrë te detyrueshme sipas ligjës “Mbi nxjerrjen e të ardhurave shtetërore”. Neni 18. Pagëdhënësit që nuk paguajnë tatimin brënda afatit të caktuar, me gjithë mundësitë e pagimit dhe që kundrejt tyre në këtë vit ose në vitin e kaluar financiar janë marë masa administrative për nxjerrjen e tatimit, dënohen sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal. Neni 19. Ngarkohet Ministria e Financave të nxjerrë udhëzime për zbatimin e këtij dekreti. Neni 20 Dekretet Nr. 1222 datë  9/II/1951, Nr. 1413 datë 12/II/1952 dhe dekreti Nr. 1851 datë 9/IV/1954 mbeten pa fuqi. Neni 21. Ky dekret hyn në fuqi më 1/1/1959 PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË S E K R ET A R I       K R Y E T A R I Sami Baholli          Haxhi Lleshi Burimi: http://www.scan-tv.com