Në vitet 1970-1980, në zhargonin e punonjësve të portit të Durrësit flitej për shkarkim anijesh me “qymyr të përtejoqeanit”. Kështu diktatori komunist Enver Hoxha, ndonëse mallkonte Amerikën dhe nuk pranonte të rivendoste marrëdhënie diplomatike me Uashingtonin, bënte fshehurazi tregti me superfuqinë kapitaliste në kulmin e spastrimeve të mëdha në ekonomi, kulturë dhe mbrojtje. Ky fakt konfirmohet në studimin amerikan të 18 gushtit 1982 mbi tregtinë Lindje-Perëndim, përgatitur për Komitetin e Bashkuar Ekonomik të Kongresit dhe Senatit, nga kemi shkëputur një fragment. Në dokumentin e mësipërm thuhet se më 4 prill 1973, Shtetet e Bashkuar të Amerikës i ofruan publikisht Shqipërisë një marrëveshje për miqësi. Në Ditarin e Enver Hoxhës ky fakt nuk preket drejtpërdrejt, por konfirmohet në një informacion nga NATO-ja, ku vlerësohet politika “as Lindje, as Perëndim” e Enver Hoxhës, që ishte në favor të Perëndimit, pasi nuk lejonte sovjetikët të bazoheshin në Mesdhe. Ndërkaq, një shkrim i së përditshmes së njohur amerikane “The Christian Science Monitor” më 19 qershor 1973, jepte mesazhe për ulje tensioni midis dy vendeve kur po ravijëzohej afrimi amerikan-kinez dhe çarja shqiptare-kineze. Në këtë artikull të kujdesshëm jepen dhe fakte interesante, që kanë të bëjnë me tregtinë “jozyrtare” dhe turizmin mes SHBA e Shqipërisë, ndërkohë që kjo nuk ndodhte me Bashkimin Sovjetik.

Dokumenti 1 / Nga studimi, 18 gusht 1982, për tregtinë Lindje-Perëndim, përgatitur për t’u përdorur nga Komiteti i Bashkuar Ekonomik i Kongresit dhe Senatit amerikan

Kthesa drejt Perëndimit nga regjimi i Hoxhës ka qenë e orkestruar në mënyrë të kujdesshme dhe përzgjedhëse. Tirana ka qenë veçanërisht e kujdesshme në zgjerimin e marrëdhënieve me SHBA-të, të cilën regjimi e ka etiketuar si “superfuqia e fundit imperialiste kapitaliste”. Kështu, disa oferta të SHBA-së gjatë viteve 1970 për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike dhe kësisoj marrëdhëniet tregtare të ishin të qëndrueshme, u hodhën poshtë zyrtarisht [zëvendëssekretari i shtetit amerikan Keneth Rash (Kenneth Rush), më 4 prill 1973, përmblodhi politikën amerikane ndaj Shqipërisë, duke deklaruar: “Nëse dhe kur Shqipëria dëshiron të rifillojë marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jemi të gatshëm për t’u përgjigjur”. Kjo ofertë u përsërit në administratat Ford dhe Karter]. Megjithatë tregtia mes dy vendeve ka qenë në rritje (shih tabelat poshtë në origjinalin anglisht). Ministrat pragmatistë të tregtisë së jashtme shqiptare realizuan të ardhurat nga importimi i qymyrit amerikan (për të kompensuar disa vite të këqija në prodhimit e brendshëm të qymyrit) në këmbim të ngarkesave me krom shqiptar. Në fillim të viteve 1970 Amerika importonte mbi 90 për qind të kromit që konsumonte, kryesisht nga Afrika e Jugut dhe Bashkimit Sovjetik, dhe po bënte çmos të diversifikonte burimet e saj të furnizimit. Kjo ishte baza për marrëdhënien tregtare amerikane-shqiptare, që u rrit nga nën 1 milion dollarë në vitin 1974 në gati 21milionë dollarë në vitin 1979. Kompanitë amerikane që operojnë nëpërmjet vendeve të treta lehtësuan lidhjet tregtare midis dy vendeve.

Dokumenti 2 / Ofertë e SHBA për Shqipërinë

(Artikull në gazetën “The Christian Science Monitor”, 19 qershor 1973)  

Amerika ka futur një faktor të ri në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë, aleaten e Kinës komuniste.

Më 4 prill [1973], zëvendës-sekretari i Departamentit të Shtetit Keneth Rash (Kenneth Rush) i bëri Shqipërisë një propozim publik miqësor. Ai tha se SHBA-ja është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me Tiranën. Uashingtoni nuk ka marrëdhënie diplomatike me Tiranën qysh në vitin 1939, kur Italia sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë.

Kopertina e studimeve për komitetin e bashkuar ekonomik të Kongresit dhe Senatit amerikan, 18 gusht 1982 “Tregtia Lindje-Perëndim: Prospektet për vitin 1985”

Çfarë e nxiti më shumë zotin Rash? Dhe cilat janë shanset për përmirësim në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?
Deri më tani, Shqipëria nuk i është përgjigjur zyrtarisht ofertës amerikane.

Është pothuajse e sigurt se në interesin e ri të Uashingtonit për Shqipërinë kanë ndikuar marrëdhëniet e Amerikës me Kinën e Maos. Nëse do të jetë e mundur të shënohet sukses diplomatik me Pekinin, gjithashtu duhet të jetë e mundur të përmirësohen marrëdhëniet me aleatin ballkanik të Pekinit.

Përveç kësaj, që nga viti 1968 Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të zgjeruar lidhjet e saj diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Evropën Perëndimore. Ajo ka marrëdhënie normale me fqinjët – Greqinë, Jugosllavinë dhe Italinë – dhe shumicën e vendeve perëndimore. Me sa duket, zyrtarët amerikanë besojnë se Tirana mund të jetë gati tani të ndërmarrë një hap tjetër dhe të zgjerojë gjithashtu lidhjet me SHBA-në.

Shenjë inkurajuese është tregtia. Tregtia amerikane me Shqipërinë është zgjeruar në dekadën e fundit. Në vitin 1961, Amerika importoi mallra me vlerë 73.000 nga Shqipëria. Në vitin 1971 kjo shifër shkoi në rreth 280.000 dollarë – afër katër herë më shumë. Eksportet në drejtim të Shqipërisë kanë qenë dukshëm më të vogla. Më tepër rëndësi, megjithatë, ka fakti se shkëmbimi i mallrave ka vazhduar pa ndërprerje që nga viti 1963.

Nisma diplomatike e Uashingtonit ndaj Shqipërisë ka dhe një dimension tjetër. Ajo bazohet në një traditë të gjatë të miqësisë dhe bashkëpunimit midis popujve amerikan dhe shqiptar. Shqiptarët kujtojnë me mirënjohje përpjekjet e Presidentit Uillson [Woodrow Wilson (1856-1924)] për sovranitetin e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore.

Në dhjetor të vitit 1942, Kordell Hall [Cordell Hull], atëherë Sekretar amerikan i Shtetit, premtoi për mbështetjen amerikane për rivendosjen e sovranitetit të Shqipërisë dhe të drejtën e saj për vetëvendosje pas humbjes së fuqive të Boshtit. Me një tjetër gjest miqësor, Presidenti Ajzenhauer) në vitin 1956 [në të vërtetë, në vitin 1955, më 4 mars] propozoi dërgimin në Shqipëri të produkteve ushqimore me vlerë rreth 1.000.000 dollarë, për të ndihmuar në zbutjen e mungesës serioze së ushqimeve në vend.

Cilat janë pengesat për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike midis Amerikës dhe Shqipërisë – i vetmi vend haptas stalinist në Evropën Lindore?

Njëra është trashëgimia e hidhur e luftës së ftohtë. Udhëheqësve shqiptarë prej kohësh nuk u ka pëlqyer përkrahja që u ka dhënë Amerika grupeve anti-komuniste shqiptare në mërgim. Një pengesë tjetër serioze është çështja e traktateve të paraluftës të lidhura mes SHBA dhe të mbretit Zog. Regjimi i Hoxhës nuk njeh traktatet e Uashingtonit me monarkun e fundit shqiptar. Tirana deklaron se nuk është e detyruar të respektojë marrëveshjet që nuk i ka nënshkruar ajo vetë.

Përveç kësaj, ka dhe një postbllok ideologjik. Udhëheqësit militantë të Shqipërisë e shohin SHBA-në si një shtet, i cili, së bashku me Bashkimin Sovjetik, kërkon të sundojë botën. Për më shumë se një dekadë, ata kanë zhvilluar luftë të ashpër ideologjike kundër “imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik”.

Lufta e ftohtë është dobësuar. Lidershipi i Hoxhës nuk kërcënohet më ushtarakisht nga kundërshtarët e tij politikë në mërgim. Vazhdojnë të bien në sy përfitimet nga tregtia në rritje me Perëndimin.

Mbi të gjitha, afrimi në rritje i Kinës me Uashingtonin pashmangshmërisht do të ndikojë mbi qëndrimin e Shqipërisë ndaj SHBA-së. Kina ka zbutur tanimë polemikat e saj ideologjike ndaj Uashingtonit. Tirana ka të ngjarë të ndjekë me kalimin e kohës shembullin e tyre. Përndryshe, ajo do të vetizolohej nga aleati i saj, Pekini.

Në të vërtetë, mund të thuhet se ekziston tashmë një ulje e kufizuar e tensionit [a limited détente] mes Uashingtonit dhe Tiranës. Edhe pse udhëheqësit shqiptarë këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik janë po aq të rrezikshëm për sigurinë e shteteve dhe paqen në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket të konsiderohen armik më i vogël. Tirana bën tregti të kufizuar, “jozyrtare” me Amerikën. Nga ana tjetër, nuk bën fare tregti me Bashkimin Sovjetik. Po ashtu, ka turizëm të kufizuar ndërmjet Amerikës dhe Shqipërisë. Nuk ka kurrfarë turizmi midis Shqipërisë dhe BRSS.

Tensionet e brendshme sociale dhe ekonomike, plus zhvillimet ndërkombëtare, duket se po e lëvizin Shqipërinë nga armiqësia e hapur drejt një ujdie [accommodation] graduale me Uashingtonin. Është ende çështje e hapur sa shpejt do të ndodhë tranzicioni.

Ka pak gjasa për kthesë të vrullshme dramatike në të ardhmen e afërt në marrëdhëniet shqiptaro-amerikan. Por ekziston një prirje afatgjatë drejt uljes së tensionit.

Nga Ditari politik i Enver Hoxhës

4 qershor 1973. NATO-ja, në mbledhjen e fundit që mbajti në muajin maj në Bruksel [1973], paska diskutuar edhe për Shqipërinë…

Informata thotë: “Duke gjykuar pozitën dhe gjendjen e Shqipërisë, anëtarët e NATO-s kanë konkluduar se në Shqipëri situata është e qëndrueshme, atje ekziston unitet dhe ka përparime në ekonomi. Shqipëria ka një pozitë gjeografike të fortë në Mesdhe, por politika e saj në lidhje me këtë det është në favorin tonë. Ajo na kundërshton ne, por kundërshton edhe sovjetikët. Prandaj ne nuk duhet ta shqetësojmë Shqipërinë dhe t’i acarojmë punët me të, përkundrazi të bëjmë që t’i përmirësojmë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia të përpiqen të lidhin marrëdhënie diplomatike me të, por pa i ngutur dhe pa i nxitur…”.

… Moska u lodh për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me ne; Uashingtoni, dhe ky i pari bëri avanca po në këtë drejtim, dhe u ndoq pastaj nga Anglia. Ne bëjmë, me të drejtë, veshin e shurdhër.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk nguten dhe, në këtë drejtim… Sovjetikët nguten nga ana e tyre, pse duan të dalin në Adriatik dhe në Mesdhe, por ne e luftojmë me vendosmëri këtë synim… Kjo u vjen për hosh shteteve të NATO-s, prandaj, sipas informacionit, thonë se politika e Shqipërisë në Mesdhe është në favorin e tyre. Politika jonë është po aq kundër dhe e vendosur edhe kundër imperialistëve amerikanë në Mesdhe, por NATO-ja mendon se rreziku nuk i vjen nga Shqipëria, po nga sovjetikët…/Voal/