Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar disa trakte të hedhura në 14 janar 1990 në Shkodër në të parën “demonstratë të heshtur”.

“Më 11 janar (me rastin e “përvjetorit” të republikës komuniste) dhe më pas më 14 janar 1990, në Shkodër u organizuar demonstrata e parë e heshtur në Shqipëri, pas shumë e shumë viteve dimri të egër komunist. Kjo demonstratë e drejtuar kundër “qeverisë së morrave” ishte sinjali i parë që Shkodra antikomuniste do ishte në krye të lëvizjes për rrëzimin e regjimit komunist. Siç edhe dihet terrori i qeverisë së morrave ndaj Shkodrës menjëherë pas mbarimit të luftës, ka qenë ndër gjenocidet më të pashembullta në Europë, një gjenocid i pushtetit të injorantëve mbi kulturën më të kompletuar shqiptare të asaj kohe.

Nuk kishte gjë më të shëmtuar sesa të vendosje në Shkodër bustin e një krimineli si Stalini. Për këtë arsye, drejtimi i qytetarëve shkodranë ndaj këtij simboli nuk ishte i rastësishëm. Në ditët e demonstrimeve të heshtura që detyruan qeverinë e morrave ta heqin simbolin e tyre të krimit, Stalinin bronz, u hodhën shumë trakte në Shkodër. Në përkujtim të të gjithë antikomunistëve të Shkodrës, idealit të tyre antikomunist që nuk vdiq kurrë, por postoj katër nga traktet që u hodhën ato ditë në qytet. Kam dëshirë të shkruaj përmbajtjen e disave prej tyre: “Poshtë Enver Hoxha”, “Poshtë qeveria e morrave”, “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë Stalini” – shkruan Dervishi./Lapsi.al