Ajo që i kanë bërë Josif Papamihalit nuk është e denjë për racën njerëzore. Të bërë kockë e lëkurë nga puna e rëndë në kampin e të burgosurve në kënetën e Maliqit, më 26 tetor të vitit 1948, priftin e gjorë e hodhën të gjallë në një gropë dhe e mbuluan me baltë.

GROPOSJA PËR SË GJALLI

Janë dy dëshmi që tregojnë për vrasjen makabre që kanë bërë gardianët e kampit të të burgosurve në Kënetën e Maliqit. Atë Zef Pllumi sjell dëshminë e një prifti ortodoks që e kishte parë skenën me sytë e tij.

“At Anastasi ortodoks kështu tregoi se vdiq. Meqë puna ishte shumë e vështirë dhe e rëndë dhe meqë Josif Papamihali ishte shumë i ligur dhe i sfilitur, nuk arrinte ta bënte normën e caktuar. Gjatë orarit të punës për shkak të lodhjes së stërmadhe, ra në baltën e kanalit që ishin duke hapur në kënetë. Përgjegjësit e burgut dhanë urdhër që aty, në kanal, ta mbulonin me baltë dhe kështu, duke mos patur mundësi për të marrë frymë, vdiq. Këtë fakt më vonë e pohuan edhe të burgosur të tjerë të Elbasanit, që kishin qenë me të”.

Të njëjtin version jep edhe shoku i qelisë së Josif Papamihalit.

“Në gusht të vitit 1948, At Josifi ishte dobësuar aq shumë, sa nuk mundte më. Për më tepër komunistët e detyronin të qëndronte pa ngrënë derisa ta mbaronte punën e caktuar prej tyre. Për këtë arsye e linin jashtë, në oborr deri në mesnatë. Në mëngjes i duhej ta rifillonte punën në orën pesë. Më 26 tetor, ndërsa nuk po punonte, i ra të fikët. Kjo do të thoshte vdekje, sepse nuk mund të çohej në këmbë. Rojet, më shumë xhelatrë, sesa roje, e detyruan të çohej duke goditur fort që të vazhdonte të punonte, por ai fatkeqësisht nuk kishte më forca për t’u ngritur. Siç kemi marrë vesh më vonë, e kanë hedhur në baltë dhe e kanë varrosur aty, ndoshta akoma të gjallë.”

POSHTËRIMI I NJË NJERIU TË FESË

Se çfarë natyre armike ishte Josif Papamihali e mësojmë kur lexojmë çfarë ka shkruar rektori i Kolegjit të Shën Athanasit në Romë, ku ai studionte:

“Josif Papamihali hyri në seminar më 1.9.1923 i ëmbël, butë, shumë i ndjeshëm. i përkushtohet me dashuri devocionit dhe studimit”.

Ndërsa një tjetër rektor i Kolegjit grek të Shën Athanasit, atë Benedetto Odilione Golenvaux, e vlerëson edhe më shumë:

“Papamihali është njeri prej të mëdhenjve të Kolegjit dhe gjithmonë ka qenë shembullor në çdo pikëpamje”.

I pajisur me dije të paana, njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, i italishtes, frëngjishtes, greqishtes dhe latinishtes, por mbi të gjitha me devocionin ndaj Zotit, Josif Papamihali kishte vetëm një të metë: ishte kundër komunistëve.

Më 31 tetor 1946 ai u arrestua me akuzën qesharake se gjatë pushtimit italian kishte shfaqur simpati ndaj fashizmit dhe kishte nxitur në popull ushtrimin e fesë, duke bërë agjitacion kundër komunizmit. Akuzat shtohen, se gjatë zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 ai kishte marrë pjesë në mbledhje të fshehta, për të sabotuar pushtetin popullor dhe për të krijuar Partinë Demokristiane. Më qesharakja ndër to është se Josif Papamihali kishte përgatitur pushtimin italian.

Pra, edhe pse nuk ka asnjë provë të bashkëpunimit me fashistët, edhe pse nuk ka asnjë provë që të ketë sabotuar luftën, Papamihali ishte vënë në shënjestër. Kjo do të thotë që për regjimin ai duhet të vdiste. Dhe torturat në trupin e tij janë nga më çnjerëzoret. Ato nisnin nga rrahja për 24 orë rresht, ndërkohë që ishte i varur prej duarsh në tavan e më pas vijonin me punën e rëndë e deri te poshtërimi.

“E detyronin ta përdorte enën në të cilën hante edhe për nevojat e tij higjenike. Enës së supës i vinte erë e keqe. Më vonë kemi marrë vesh se në ato enë ku hante, duhej të bënte edhe nevojat personale”.

U dënua me 5 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar në kënetën e Maliqit. Megjithatë, të gjitha këto nuk mjaftonin. Sipas regjimit, ai nuk duhet të jetonte. Atë që nuk e arritën hetuesit dhe gjykatësit e bënë gardianët: ata kryen një vrasje makabre, duke e mbuluar të gjallë në një gropë në kënetë.

Kjo ngjarje shokoi jo vetëm Maliqin, Korçën, Shqipërinë, por edhe më tej.

Ambasadori i SHBA-së në OKB, Henry Cabot Lodge Jr, në shkurt të vitit 1955 foli për keqtrajtimet  e të burgosurve politikë, duke marrë shembull atë Josifin:

“Kryetari i Kishës Uniate të Korçës, prifti Josif Papamihali, u varros i gjallë në një kanal”, tha ai. Në një seancë të posaçme, diplomati amerikan paraqiti raportin e vendit të tij mbi burgjet politike në Shqipëri. Duke përmendur keqtrajtimet e të burgosurve politikë të kohës, ai jep si shembull rastin e atë Josifit, duke deklaruar:

“Prifti Josif Papamihali, kryetar i Kishës Uniate të Korçës, u varros i gjallë në kanal”.

Një vrasje e tillë makabre nuk kishte si të mos bënte jehonë ndërkombëtare.

10 FAKTE

  • Josif Papamihali ishte një prift uniat, i diplomuar në kolegjin grek të Shën Athanasit në Romë
  • Josif Papamihali pas diplomimit shërbeu në dioqezën e Lungros, në Kalabri
  • Pas kthimit në Shqipëri, nga viti 1942 deri në vitin 1946, ai shërbeu si meshtar në disa kisha, si në Korçë, Berat, Lushnjë, Elbasan dhe Pogradec
  • Më 31 tetor 1946 Josif Papamihali u arrestua nga regjimi komunist si kundërrevolucionar
  • Josif Papamihali u arrestua dhe u dënua me akuzën se kishte shfaqur simpati ndaj fashizmit italian, se ka pasur marrëdhënie të mira me priftërinj italianë duke nxitur fenë
  • Josif Papamihali u arrestua në hetuesi se kishte përgatitur pushtimin italian dhe kishte sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare
  • Torturat ndaj Josif Papamihalit kanë qenë çnjerëzore, që nga puna e rëndë, rrahja deri në gjakosje për 24 orë rresht, e deri tek detyrimi që të hante në enën ku urinonte
  • Më 5 gusht 1947 Gjykata Ushtarake e dënoi me 5 vjet heqje lirie, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave publike
  • Josif Papamihali vdiq në kënetën e Maliqit, nga gardianët, të cilët e vranë duke e groposur të gjallë
  • Në vitin 1952 u pushkatua vëllai i Josifit, Kostaq Papamihali, me akuzën kundërrevolucionar

10 AKUZA NDAJ JOSIF PAPAMIHALIT

  • Ka shfaqur simpati ndaj fashizmit që kur Italia pushtoi Shqipërinë
  • Ka marrë edukim antidemokratik nëpërmjet fesë të mësuar nga Vatikani
  • Ka pasur marrëdhënie të ngushta me priftërinj fashistë, si atë Brunetti
  • Ka nxitur fenë uniate, një maskë e fashistëve që populli shqiptar të lidhej shumë me Vatikanin
  • Ka përgatitur pushtimin e Shqipërisë nga Italia
  • Ka sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare
  • Ka bashkëpunuar me Vatikanin e me politikën reaksionare edhe pas çlirimit
  • Është përpjekur të bëjë agjitacion e propagandë, duke e paraqitur regjimin komunist sipas pikëpamjes së vet
  • Gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2 dhjetorit 1945 ka marrë pjesë në mbledhje ilegale, për të sabotuar pushtetin popullor
  • Ka bashkëpunuar me misionin amerikan UNRRA

 

TË DHËNA NË SHIFRA

10 MUAJ E 5 DITË

Ishte koha që Josif Papamihali iu nënshtrua hetuesisë

 

10 AKUZA

Formuloi prokuroria dhe gjykata ndaj Josif Papamihalit për të cilat e dënoi 5 vjet

 

1400 TË BURGOSUR

Mes të cilëve edhe Josif Papamihali bënin punë të detyruar për tharjen e kënetës së Maliqit

 

JOSIF PAPAMIHALI  PËR VDEKJEN: “Më mirë të vdes sesa t’u dorëzohem komunistëve”.

 

Marrë nga libri i Roland Qafokut “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)”/Konica.al/