Ajo duket e buzëqeshur, veshur me një fustan të lehtë mëndafshi të gjatë. Eshtë princesha Maxhide, një prej motrave më të përfolura të mbretit Zog, për bukurinë dhe zgjuarsinë që mbarte. Kjo është vetëm një prej fotove të mbetura nga ajo kohë, kur Maxhide nuk e fsheh lumturinë në fytyrë. Por ajo kujtohet dhe si gruaja që ndikoi në emancipimin e femrës shqiptare. Gazeta franceze, “Paris-soir”, ka botuar, të premten e 26 nëntorit 1937, në faqe të parë dhe të shtatë një shkrim për princeshën Maxhide dhe emancipimin e grave shqiptare.

“Ndodhi një revolucion i vërtetë.Pranverën e kaluar, një dekret i Mbretit Zog të Shqipërisë shpalli barazinë mes gruas dhe burrit, dhe ndaloi ferexhen në të gjithë mbretërinë, e cila ishte vendi i fundit në Ballkan që u qëndronte ende besnik shumicës së traditave myslimane. Pra, nesër, në përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, një batalion i grave do të marrë pjesë në paradën e madhe ushtarake. « Amazonat » e reja do të paraqiten me uniformën e zakonshme ushtarake : kaskën, çizmet, maskën e gazit, pushkën dhe mitralozin.

Ato do të komandohen nga Princesha Maxhide, një nga gjashtë motrat e Mbretit Zog, gruaja që ka bërë më së shumti për emancipimin e grave shqiptare. Ajo mban gradën e togerit në gardën mbretërore. Nga ferexheja tek mbajtja e kaskës, në tetë muaj, gratë e Shqipërisë kanë bërë një rrugë të gjatë për t’u çliruar nga tutela mashkullore.”, thuhet në shkrimin e plotë të gazetës përkthyer në shqip nga Aurenc Bebja.

(gazeta-Shqip.com)