Pas dorëzimit të Shkodrës nga Esat Pashë Toptani, ky i fundit u kthye në Tiranë pasi atje kishte edhe sarajet e tij, por menjëherë sapo mbërriti, kërkoi që të bëhej pjesë e Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin.

Ndërkohë, në këtë periudhë, një problem i rëndësishëm kishte kapluar arenën ndërkombëtare në lidhje me Shqipërinë. Sipas Atë Zef Pllumit i cili në një intervistë të tijën mbi çështjet historike të botuar së fundmi në kapitullin “Histori kurrë shkrue” si pjesë e librit “Siç thonim dje”, një pjesë e konsiderueshme e vendeve të Evropës dërgonin propozimet e tyre për kryetarin e shtetit të ri shqiptar.

“Unë e di mirë se ka pas propozime me vu nji trashigimtar të sulltanit, disa të tjerë ishin për me vu princa europianë, që kishin lidhje gjakut me dinastinë e Hohenzollerve. Pak a shumë, në të gjithë Ballkanin ishin vu mbretën me origjinë gjermane. Kishte të tjerë që propozonin për italianë.”

Por, përveç gjithë këtyre propozimeve, ai që bëri një bujë të madhe ishte propozimi i Vatikanit. Sipas drejtuesve të tij, në Shqipëri duhej të vinte një mbret mysliman, trashëgimtari i mbretit të Egjiptit, princi Faud. Për këtë ngjarje, edhe vetë Atë Zefi thotë: “Lajmi se Vatikani kërkonte nji princ musliman në Shqipni, bani përshtypje të madhe.”

Por, gjithsesi asnjë nga drejtuesit e propozuar nuk u ulën në fronin e Shqipërisë, sepse, po sipas Atë Zefit, në të gjitha propozimet i kundërshtonte Esat Pashë Toptani i cili ngulte këmbë në idenë se Shqipëria nuk kishte nevojë për një princ apo mbret të huaj, pasi Shqipëria vazhdonte të kishte dy mbretër që nga kohët e lavdishme të Skënderbeut: Njëri nga dera e Topiajve (prej të cilëve rridhnin Toptanët dhe vetë Esati) dhe tjetri nga dera e Gjonmarkajve.

Gjithsesi, në fund të fundit, as ky mendim – propozim nuk u realizua dhe në krye të Shqipërisë erdhi Princ Vidi.

Burimi: Konica.al