Projektligjet e çuditshme të 22 shkurtit 1934- Si u tentua t’u ndalohej të rinjve muaji i mjaltit jashtë Shqipërisë për të frenuar daljen e parasë! “Po u martove me të huaj humbet punën në shtet”

*Nga Kreshnik KUÇAJ

Në seancën plenare të 22 shkurtit të vitit 1934, Parlamenti vendosi në rendin e ditës dy propozime të deputetit Hiqmet Delvina. Deputeti që më herët kishte mbajtur detyrën e Ministrisë të Drejtësisë e njihej për aftësitë e tij oratorike, argumentonte në parlament nevojën e marrjes së dy masave të shpejta që i jepnin, sipas tij, zgjidhje dy problematikave sa sociale aq edhe ekonomike.

Propozimi i parë ishte ai për ndalimin e të rinjve që të bëjnë muajin e mjaltit jashtë Shqipërisë. Argumentet e dhëna për këtë propozim lidheshin me faktin se ky fenomen po bëhej I zakonshëm në Shqipëri në një kohë që aftësitë financiare të familjeve shqiptare por edhe të buxhetit të shtetit, nuk kishin arritur në një stad të tillë.

Në prezantimin e kësaj nisme, Delvina kritikon qeverinë se nuk po bën asgjë në këtë drejtim e po lejonte daljen e parasë shqiptare jashtë vendit në një kohë kur angazhimi ishte për të mos dalë “asnjë cent”.

Propozimi i deputetit Delvina:

“Kryesis së Parlamentit

Në nji kohë kur qeveria duhet të marri masa skrupuloze për mos me dalë edhe nji santim (centim shën.red.) nga pasunia kombtare jashtë shtetit dëshiroj të marr vesh ce ç’asht shkaku i këtij gjumi të randë që ka zanë qeverinë e cila nuk përmendet asnji minutë të shofi se mbrenda vitit të kaluar me qindra të rinj dhe të reja të sapomartuar po dalin jashta shtetit tue patur plot xhepat me të holla (tue shitur ose tue dhanë peng nji pasuri të tyre) dalin dhe zbaviten ose me fjalë aristokratike, kalojnë muajin e mjaltit. Në atë kohë më mijëra napolona pasuri kombtare i lënë shëndet pasunis kombtare

Prap se prap me qindra familje, jo për arsye shëndetësore, dalin jashtë kufinjve të Shqipnisë për t’u zbavitur në verë në vende të freskëta dhe zbavitëse. Lutemi zotit kryetar të keni mirësinë e të parashtroni mbledhjes dëshirën time që kam e të ndigjoj shpjegimet e qeverisë nga goja e kryetarit të sajë”.

Propozimi i dytë: Ata që martohen më të huaja të mos punojnë në shtet

Ndryshe nga propozimi i parë që ishte në thelb një kërkesë për informacion nga qeveria, propozimi tjetër është në fakt një projektligj që parashikon “penalizimin” e atyre shqiptarëve që shkolloheshin jashtë vendit dhe që martoheshin me gra të huaja. Ata që shkolloheshin jashtë, në ato vite angazhoheshin në punë në sektorin publik duke u bërë pjesë e administratës shtetërore. Ndaj, propozimi i deputetit është që të sanksionohet me ligj që ata që martohen me gra të huaja të mos punësohen në administratën shtetërore ashtu sikurse edhe ata punonjës ekzistues të administratës që e bëjnë këtë veprim, të përjashtohen nga shërbimi publik. E për këtë, deputeti Delvina jep një seri argumentesh.

“Tue parë se në kohërat e fundit, pothuajse asht përhapë në nji pjesë të djalërisë si nji epidemi martesa e këtyre me gra të hueja, detyrohemi të propozoj nji projektligjë i cili me kësisoj martesash në mos qoftë e mundur të ndalohen kryekput për të gjithë shqiptarët, së paku t’a kufizojmë.

Sot ma shumë se kurdoherë duhet lartësuar gruaja shqiptare, lartësim i cili duhet të vijë nga prindërit ase bashkëshorti patriot dhe i kulturuem.

Kurse djelmënia e jonë, e cila dërgohet për t’akumuluar kulturën e civilizacjonit oksidental dhe këthehet në Shqipni në vend qi të ketë kulturë t’a përhapi në gjirin e familjes së tij që kështu t’evolucionohet edhe vajza shqiptare në përparimin e civilizjacjonit, nga këjo detyrë e rangut të parë nuk përfiton vajza shqiptare se ky vjen me nji bashkëshorte t’importueme nga jashtë.

Vajza shqiptare sot, pos nderit, dhemshuris familjare, abnegacjonit qi ndienë për fëminë dhe bashkëshortin e sajë, të cilën e ka patur si traditë, asht e mbushun shumë o pak edhe me kulturë aqë sa të mund t’a kuptojnë bashkëshortin e sajë mirë.

Këto arsye më shtynë e më shtrëngojnë që së paku tash për tash të propozoj të ndershmes Dhomë këtë projekt me të cilin në mos të përdoren në nëpunësira shtetërore ata qi mbas shpalljes së këtij ligji do të martohen me gra të huaja.

Nga fjala “martesë” natyrisht mirret vesht celebrimi i martesës.

E di që disa të rinj të cilët janë premtuar në martesa me të hueja do të mërziten pakë kohë nga shkaku i këtij ligji por dij prap qi të gjithë bijat shqiptare sa edhe atërit e mëmat do të brohoritin Përfaqësin Kombtare kur do të shohin se do të marrin vendimin ndalues.

Nuk kam as më të voglin ankim ndaj ato familje që sot janë futur në rrethin shqiptar nga të huajat por asht nji gja e nëtyrshme se pemën e mirë duhet t’a hajë i zoti i kopshtit dhe prandaj djemt e kulturuem dhe t’armatosun me shkencë moderne duhet të martohen dhe të trashëgohen me vajza shqiptare

Tiranë me 2 kallnuer 1934

Deputeti Hiqmet Delvina

PROJEKTLIGJ

Mbi mospërdorjen në shërbime shtetnore t’atyne qi martohen me gra të hueja

Neni 1

Gjithë ata që mbi hyrjes në fuqi të kësaj ligje martohen me gra të hueja, nuk emnohen ma në shërbime shtetnore të çdo rangut qoftë të Mbretnis Shqiptare

Neni 2

Ata qi janë nëpunësa dhe martohen me gra të hueja mbas hyrjes në fuqi të kësaj ligje ipso jure janë të pushuem nga nëpunësia shtetnore

Neni 3

Qeveria mbretnore ngarkohet me zbatimin e kësaj ligje

Kjo ligjë hyn në fuqi që ditën e shpalljen në Fletoren Zyrtare.

Pavarësisht se në relacionin e nismës nuk jepen si arsye, ekziston mundësia që propozimi të ketë pasur edhe motive të tjera që lidhen me çështjet e sigurisë kombëtare. Propozimet, në fakt, vetëm u vendosen në rendin e ditës, megjithatë nuk ka më zhvillime të mëtejshme për to.

Burimi: http://www.scan-tv.com/