Nga Luljeta Progni

Dëshmitë e të rinjve që ia dolën të shtyjnë drejt greminës, sistemin e rrënuar komunist

Janë katër ditë me aq shumë ngjarje dhe aq protagonistë, sa do të duheshin kapituj të tërë për ta përshkruar, që nga nisja e protestës së studentëve më 8 dhjetor dhe deri në themelimin e Partisë Demokratike më 12 dhjetor 1990. Është periudha e kthesës së madhe të Shqipërisë, rrëzimi i mureve të diktaturës, hapat e parë drejt lirisë së munguar. Ishin ata djem e vajza të Qytetit Studenti, që guxuan pikërisht atë natë të 8 dhjetorit, të mblidheshin bashkë për të protestuar, për të ringjallur shpirtin e lirisë edhe në kryeqytetin shqiptar, atje ku e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, jetonte monotoninë e zakonshme. Për të gjithë ata që e jetuan nga afër këtë natë dhe të tjera që pasuan, imazhet e asaj ngjarje të vrullshme, që gjunjëzoi përfundimisht diktaturën komuniste, mbeten të pashlyera në kujtesë. Edhe pse pas këtyre viteve, disa detaje kanë humbur nga kujtesa e tyre, imazhet dhe emocionet për secilin prej pjesëmarrësve mbeten po ato: frika ndaj regjimit e përzier me madhështinë e momentit historik, që po jetonin.

Kur shohim sot imazhet dhe fotot e atyre momenteve, dallojmë varfërinë dhe gjendjen e vështirë ekonomike, që kishte pllakosur gjithë familjet shqiptare, por edhe aspiratën për të jetuar të lirë si gjithë popujt e tjerë evropianë. Aspiratë, që lexohej lehtë te fytyrat e atyre studentëve, të cilët veshën atë natë kostumin e rëndë të protagonizmit, që historia kishte rezervuar për ta. Ata ia dolën të shtyjnë drejt greminës, sistemin e rrënuar komunist.

Dyshimet lidhen kryesisht për mundësinë e rolit të Sigurimit të Shtetit apo të Ramiz Alisë në ato ngjarje. Secili prej tyre rrëfen rrugën e tij drejt destinacionit final, aty ku bashkohen të gjithë në sheshin që sot quhet “Demokracia”. Ato mbeten veçse dyshime, pasi askush prej tyre nuk provon dot zyrtarisht ato që i kanë munduar përgjatë viteve që pasuan.

Pa shmangur thelbin, ngjarja ndërtohet me dëshmitë e tyre, jo domosdoshmërisht me të gjtiha detajet e saj, por momentet kryesore të protestës.

Ngjarjet minutë pas minute, rrëfyer nga studentët protagonistë të 8 dhjetorit
Pas takimit të Adil Çarçanit dhe eskortës së tij me studentët në mëngjesin e 8 dhjetorit, pasditja dukej e qetë në Qytetin Studenti. Beteja pritej të niste pikërisht në darkë, kur binte nata dhe dritat fikeshin. Ky akt ishte kthyer në rit të përnatshëm prej më shumë se dy javësh. Siç dëshmojnë ish-studentët e dhjetorit, atë natë nuk po shuheshin dritat. Me sa duket gjatë vizitës së tyre të paradites në Qytetin Studenti, Adil Çarçani e Skënder Gjinushi kishin nuhatur që situata atje nuk ishte më e qetë dhe reaguan. Sipas dëshmive, dritat fikeshin zakonisht rreth orës 19:30, por atë natë nuk ndodhi.
Një defekt teknik në kabinën elektrike, (për të cilin disa thonë se u shkaktua qëllimisht nga studentë të Inxhinierisë Elektrike), mbuloi me errësirë Qytetin Studenti. Kjo mjaftoi që situata të shpërthente. Në mënyrë të paorganizuar, rituali i përnatshëm i hedhjes së parullave kundër regjimit u shpërngul nga godinat në periferi të qytetit, deri në sheshin qendror të tij.

“Nga turma menjëherë u dëgjua një thirrje, që të shkohej te drejtoria për t’u ankuar për dritat. Turma kaloi para godinës 15 dhe filloi të ngjitet për tek drejtoria e Qytetit Studenti. Para godinës së drejtorisë u mblodhën shumë studentë, por në atë orë te drejtoria nuk kishte personel. Aty u qëndrua për rreth 20 – 30 minuta duke sharë dhe bërtitur. Gjithmonë, deri në këtë moment kërkoheshin vetëm drita. Përsëri nga turma u dëgjuan thirrje të niseshim për në drejtim të Komitetit Qendror”, tregon Arjan Muça, ish student i Inxhinierisë Mekanike.

Studentët ishin duke u organizuar, por thellësisht të trembur nga terrori komunist, i cili kishte dhënë shembuj të mjaftueshëm për pasojat që mund të kishin ata, që guxonin të dilnin kundër vijës së partisë. Ndërkohë, në sheshin para drejtorisë së Qytetit Studenti, kishin vërshuar makinat e zeza të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, duke dashur të tregonin se nuk kishin menduar të qendronin si vëzhgues në atë ngjarje. Por rrethanat ndoshta i detyruan të stepen deri në veprimin e tyre kundër studentëve. Nën frikë, turma e studentëve mori rrugën poshtë në dalje të Qytetit Studenti, për t’iu drejtuar godinës së Komitetit Qendror. Në shumicën e tyre, studentët ishin të vendosur për të ecur përpara dhe për të zbritur poshtë nëpër rrugët e Tiranës, por situata ishte konfuze.
Një pjesë bënin thirrje për tërheqje dhe të tjerë për të ecur përpara, megjithatë vazhduan rrugën deri afër Liceut Artistik, ku u gjendën përballë forcave të shumta policore, të cilat kërcënonin për pasojat e thyerjes së ligjit. Përballë studentëve ishin rreshtuar forcat e ministrisë së brendshme, pedagogë e zyrtarë të ministrisë së arsimit, Piro Kondi, sekretari i KQ të PPSH-së, të ngarkuar për të biseduar dhe shuar protestën. Ishin disa orë të mbushura me ankth.

Arben Sulo, një prej studentëve mjaft aktivë në atë protestë rrëfen atë ç’ka mbetur në memorien e tij:
“Kujtoj Azem Hajdarin, që e shihja për herë të parë, i cili hipi mbi një stol e tha: Quhem Azem Hajdari, kam një djalë 6 vjeç, që nëse vritem do ma marrë hakun. Të marshojmë drejt qendrës.
Ishte një hap para nesh që në atë moment, e unë kam qenë shumë pranë tij edhe fizikisht në ngjarjet që pasuan. Marshuam drejt qendrës, duke u bërë thirrje studentëve të dilnin nga godinat, sidomos vajzave kur kaluam pranë konvikteve të tyre. Kujtoj Alma Bendon, studenten e vitit të parë të Inxhinierisë Mekanike në mos gaboj, që ka dalë me pizhama nga godina dhe ka marshuar me ne në radhët e para, krah për krah me Spiro Curën e Renato Ndreçkën. Kujtoj se si e kaluam bllokun e parë që na u bë nga policia në të dalë të Qytetit Studenti, te rruga e Ambasadës Italiane, nga të dërguarit Skënder Gjinushi, Lisen Bashkurti etj., që përpiqeshin të na bindnin të ktheheshim mbrapa. Kujtoj atë lumë studentësh që këndonin këngë patriotike e hidhnin parrulla ndaj regjimit, në atë demonstrim të paprecedent, se si u bllokuam pak me tutje, te kthesa që merrte drejt Liceut, prej Forcave Speciale. E kishim thyer frikën tashmë. Ishim të vendosur të vazhdonim edhe përballë atyre forcave të armatosura, që më parë vetëm emri i tyre na kallte tmerrin.

Kishim kaluar vijën e kuqe tashmë, nuk kishte me kthim mbrapa. Pasi nuk kishim mundësi të ecnim më tej drejt qendrës, ku mendonim të na bashkohej populli i Tiranës, e pasi ministri i brendshëm, Hekuran Isai dhe të dërguarit e tjerë nuk arritën të na kthenin mbrapa, u ra në një kompromis, që të takonim Ramiz Alinë po atë natë” (Sulo, Arben, intervistë për autoren, data).
Neritan Sejamini, student i Fizikës, mjaft aktiv në ato momente, rrëfen se përballja me forcat e rendit kishte dobësuar herë pas here entuziazmin e turmës, por përfundimisht, vendosmëria e studentëve për t’u përballur me regjimin atë natë, ishte e pathyeshme. Mungesa e organizimit ishte një ndër problemet e asaj nate. Studentët e pranishëm në protestë ishin të ndarë në grupe të ndryshme sipas fakulteteve, në bazë njohje, por me një qëllim të përbashkët, që ata të përballeshin atë natë në një takim të paevitueshëm me Ramiz Alinë, të kërkonin të drejtat, për të cilat ata ishin në protestë.

Takimi me Ramiz Alinë dhe pabesia që solli dhunën mbi studentët
Takimi me Ramiz Alinë, ishte kërkesa që i bashkonte të gjithë studentët protestues, edhe pse të paorganizuar, në një iniciativë kaq të guximshme. Hekuran Isai, i cili ishte shfaqur përballë tyre, hasi në thirrje të forta kundër regjimit, ndërsa përpjekjet e tij për të biseduar me studentët rezultuan të kota. Ata ishin të vendosur për t’u takuar me Ramiz Alinë dhe pas shumë përpjekjesh, Alia kishte dërguar lajmin se ishte gati të priste një përfaqësi studentësh.
Ishin momente frike e terrori. Studentët që morën rrugën drejt Alisë, u lanë vetëm 30 minuta kohë shokëve të tyre, për të kuptuar, se nëse ata nuk do të ktheheshin, diçka kishte ndodhur me ta. Po çfarë mund të bënte pjesa tjetër? A kishin një plan studentët? Praktikisht s’kishin asgjë, me të cilën mund të shpëtonin shokët e tyre, apo edhe veten e tyre. Regjimi mund të nxirrte kthetrat dhe ata të përfundonin atje ku i kishin kërcënuar, te “Mali me Gropa” (kjo ishte batuta e tmerrit, që qarkullonte në Tiranë në atë kohë) ose në rastin më të mirë në burg, të arrestuar si armiq të regjimit.
Katërmbëdhjetë studentë u nisën drejt Ramiz Alisë. Ata nuk njiheshin me njëri-tjetrin, por solidariteti ndërmjet tyre ishte element i mjaftueshëm për të arritur qëllimin e takimit.

Ndërsa u shoqëruan nga forca të shumta policie, ata i priste udhëheqësi në një nga sallat e Korpusit Qendror të Universitetit, që në atë kohë kishte ende emrin e diktatorit “Enver Hoxha”. Ramiz Alia i priti qysh në nisje me reagime të ashpra. Azem Hajdari, por edhe studentë të tjerë që e mbështesnin, kërkuan një takim më të madh të Alisë me studentët për të gjitha shqetësimet e tyre. Gjatë bisedës, studentët kishin parashtruar të gjitha kërkesat e tyre, të cilat deri në atë moment ishin vetëm ekonomike. Alia kërkoi prej tyre, që kërkesat t’i paraqisnin nëpërmjet Bashkimit të Rinisë, por studnetët kundërshtuan, duke theksuar se kjo organizatë nuk i përfaqësonte studentët dhe rininë shqiptare. Kërkesa më e përsëritur e atij takimi ishte të mos përdorej dhunë ndaj tyre dhe të gjithë protestuesve, duke evidentuar në çdo rast se protesta ishte paqësore. Ndërsa premtonte se do të plotësoheshin kërkesat e studentëve, Alia nga ana e tij iu kërkoi atyre të ndërprisnin protestën dhe të nesërmen e asaj nate të shkonin në mësim. Ai premtoi se nuk do të ushtrohej dhunë ndaj studentëve. Takimi u duk se përfundoi me kompromis.
Kishte kaluar mesnata, ndërkohë që ministri i brendshëm Hekuran Isai vazhdonte bisedimet e tensionuara me studentët që prisnin të kthehej delegacioni i tyre nga Ramiz Alia. Në ora 01:10 të 9 dhjetorit, dërgata e përbërë prej 14 vetësh u kthye te turma e protestuesve. Azem Hajdari sqaroi me megafon studentët për takimin me Alinë, por sqarimi me ato mjete rrethnore ishte praktikisht i pamundur, kështu që 14 studentët u shpërndanë nëpër turmë duke sqaruar në grupe ç’kishin arritur në bisedimet me Alinë. Kishin rënë dakort me Ramiz Alinë, që nuk do të përdorej dhunë mbi studentët dhe se takimi i zgjeruar me të, do të bëhej pasditen e së nesërmes. Ishte lënë të zgjidhej ndërmjet versionit të takimit të Alisë me 300 studentë në Qytetin Studenti dhe një takimi me 3mijë studentë në Pallatin e Sporteve “Partizani”. Kjo do të përcaktohej nga udhëheqja deri ditën e nesërme. Por turma e studentëve nuk ishte e kënaqur me këtë marrëveshje.

U krijua një situatë kaotike, ku disa studentë nuk po merrnin dot informacione të plota për çfarë kishte ndodhur, disa të tjerë të informuar me bisedimet po hidhinin parulla kundër kësaj marrëveshje, të tjerë që kërkonin takim sërish me Ramiz Alinë po atë natë, një takim masiv. Gjithçka ishte kthyer në rrëmujë. Ndërkohë forcat speciale të vendosura aty prej orësh, prisnin vetëm një urdhër për t’u lëshuar me dhunë mbi studentët. Të kërcënuar nga përplasja me policinë studentët kishin vendosur të organizoheshin, duke nxjerrë vajzat në rreshtin e parë, të bindur se policia nuk do t’i godiste, edhe në rast të nisjes së konfliktit. Kërcënimet e forcave speciale, ose “sampistëve” siç quheshin atëherë, apo “bishat” një epitet për ta, dukej se i organizonin akoma më shumë studentët. Ata vazhdonin thirrjet e tyre protestuese, ndërsa forcat speciale vazhdonin kërcënimet.

Në këtë situatë, ministri i brendshëm bëri kërcënimin e fundit, se do të urdhëronte policinë të ndërhynte për të shpërndarë protestën e paligjshme. “Askush i gjallë s’do kalojë këtej!”, ishte thirrja e tij. Kjo i dha edhe më shumë zemër studentëve, të cilët vazhduan hapat e tyre drejt bulevardit. Megjithë kërcënimet, studentët avancuan edhe pesë hapa të tjerë, por në atë moment, një prej pjesëtarëve të forcave të rendit hodhi alarmin, se i kishin marrë pistoletën. Pa asnjë hezitim dhe pa u menduar aspak, Hekuran Isai urdhëroi “Të spastrohet sheshi!”.
Ndërsa një prej studentëve i kujtoi ministrit se kishin marrë premtimin e Ramiz Alisë, që nuk do të prekeshin, Isai ju përgjigj ashpër: “Ik more ti me gjithë premtimet. Ramizi dhe Partia do t’ua shtypë kokën të gjithëve, nëse nuk e mbyllni gojën. Pastroni sheshin! Bini! Bini! Bini, qenve!”
Disa studentë u plagosën nga goditjet brutale të forcave të rendit dhe kështu turma u shpërnda për t’u bashkuar një ditë më pas në sheshin e Qytetit Studenti.

Arjan Muça, i pranishëm në atë protestë thotë, se pas shpërndarjes me dhunë, studentët ishin kthyer në qytetin e tyre, ku vendosën të mblidheshin përsëri të nesërmen në orën 10:00 para sheshit të mencës 7.3, që më vonë u quajt sheshi “Demokracia”. Ai tregon se atë natë nuk ishte shfaqur asnjë pedagog pranë tyre, por në krahun tjetër, atë të regjimit, ishin një sërë pedagogësh bashkë me ministrin e arsimit dhe sekretarin e Komitetit Qendror të Rinisë, të cilët kishin mision për të ndikuar në shpërndarjen e protestës.

Akli Fundo, një prej studentëve që ishte plagosur në protestën e një nate më parë, rrëfen mëngjesin e ditës tjetër edhe takimin e tij me Gramoz Pashkon te kafeneja në hyrje të Qytetit Studenti, te kinoklubi. Fundo tregon se në atë takim, po dhe në takime të tjera më pas, që kishin patur bashkë me studentë të tjerë ditën e 9 dhjetorit me Gramoz Pashkon, ishte folur kryesisht për organizimin e studentëve. “Me sa shoh qenkeni të paorganizuar, por ata ju dinë të organizuar”, ishte shprehur Pashko, “prandaj organizohuni sa më shpejt me qëllim, që të mos munden t’ju shpërndajnë”.

Dita e dytë e protestës, pedagogë e intelektualë shfaqen pranë studentëve
Në datën 9 dhjetor, rreth orës dhjetë të mëngjesit, sheshi i Qytetit Studenti ishte mbushur. Kjo kishte ndodhur gradualisht që në orët e para të mëngjesit. Të grumbulluar në shesh, i cili sot quhet sheshi “Demokracia”, studentët po organizoheshin për ta shpërngulur protestën drejt sheshit “Skënderbej”. Situata mbikëqyrej nga forca të shumta të policisë. Ashtu si një natë më parë, studentët u përballën sërish me dhunën e forcave të rendit. Detaje rreth këtyre ngjarjeve tregohen në intervistat e ish-studentëve protagonistë të kësaj ngjarje, të cilat botohen të plota në pjesën e fundit të punimit.
Pak a shumë rrëfimet konvergojnë rreth të njëjtit version. Studentët e grevës së një nate me parë, iu bënë pritë studnetëve që shihnin se po i drejtoheshin auditorëve, duke i kthyer ata. Informacioni mbi dhunën që kishin pësuar në protestën e mesnatës së shkuar, ishte një prej elementëve sqarues që kërkonin nga bashkëstudentët e tyre. Sipas dëshmive, shumica e studentëve ishin bashkuar në një mendje për të bojkotuar mësimin. Reth mesditës së 9 dhjetorit, turma e madhe, tashmë me mijëra studentë, filloi të lëvizte nga Qyteti Studenti drejt Fakultetit të Filologjisë për të dalë në rrugën e Elbasanit deri te Liceu Artistik. Atje u përballën përsëri me forca të shumta speciale dhe në konfrontim me ta hodhën parrulla të shumta kundër regjimit dhe thirrje për të shkuar drejt sheshit “Skënderbej”. Forcat e rendit ndërhynë brutalisht, duke e shpërndarë protestën.

Dëshmitë e secilit prej ish-studentëve bashkohen në të njëjtat pika kulmore të ngjarjeve të datës tetë dhe nëntë dhjetor, duke përjashtuar ngatërresa të vogla. Ndërkohë, në këtë ditë të dytë të protesës, u përfshinë edhe pedagogët e tyre, banorë të Tiranës dhe intelektualë. Deri atëherë ata kishin qenë indiferentë ndaj lëvizjes studentore. Megjithatë, numri i intelektualëve dhe pedagogëve që u shfaqën përkrah studentëve më nëntë dhjetor ishte shumë i vogël. Hezitimi i tyre vazhdoi deri të nesërmen më dhjetë dhjetor, ndërkohë që studentët kishin kërkuar mbështetje herë pas here.
Kërkesat e studentëve të formuluara në disa pika, drejtuar Ramiz Alisë, mbylleshin pikërisht me tekstin ku i kërkohej intelektualeve mbështeje. Para se të shkojmë tek publikimi i pikave, duhet të sqarohen disa detaje, takime dhe kontakte ndërmjet drejtuesve të lëvizjes dhe drejtuesve të shtetit, që u shfaqën në Qytetin Studenti atë ditë.

Akli Fundo flet për mosmarrëveshje mes grupit të drejtuesve të lëvizjes, përsa i përket momentit të hartimit të kërkesave. Fundo shprehet se drejtuesi i lëvizjes, Azem Hajdari, ishte thirrur në një takim në ambjentet e Qytetit Studenti mbrëmjen e 9 dhjetorit nga ministri i arsimit Skënder Gjinushi, i cili ishte bashkë me një prej intelektualëve që ishte shfaqur atë ditë pranë studentëve, Sali Berishën. Pas takimit, dëshmon Fundo, Hajdari u kthye tek pjesa tjetër e drejtuesve të protestës dhe deklaroi, se kishte marrë garancinë: kërkesat do të plotësoheshin. Për këtë arsye, Hajdari hodhi idenë e kthimit në auditor të studentëve. Kjo solli reagime mes drejtuesve të protestës prej shkeljes së dy vendimeve dhe pas një debati, Hajdari u tërhoq.

“Azem Hajdari ka ardhur atë pasdite në atë mbledhje ku ishim ne, pas një takimi që kishte pasur me Skënder Gjinushin dhe Sali Berishën. Kur erdhi Azemi tek ne, pra te godina 15, na kërkoi që të vendosnim të shkonim në mësim. E kemi diskutuar në atë grup prej 50 vetash. Ka patur një rezistencë të fortë ndaj Azemit, pra u kundërshtua. E kundërshtuam, sepse ai po shkelte dy vendimet tona më të rëndësishme, e para që nuk do të pranonim në asnjë rast të takoheshim me asnjë zyrtar tjetër përveç Ramiz Alisë dhe e dyta, kërkesa për të shkuar në mësim, ndërkohë që ne e kishim vendosur, që nuk do të shkonim në mësim. Me sa kuptova ishte vetëm pasojë e ndikimit që kishte patur nga ai takim. Azemi na tha, se kishte marrë informacon që pedagogët do të shkonin në mësim dhe se atje do të zgjidhej problemi ynë. Ne e kemi kundërshtuar këtë qëndrim të Azemit dhe ai është kthyer menjëherë tek qëndrimi ynë. Megjithatë, unë jam larguar nga ai grup organizator në shenjë proteste ndaj thyerjes së dy vendimeve, për të cilat ne ishim të prerë që nuk do t’i thyenim. Bashkë me dy shokët e mi Niko Kaçiroti dhe Abdyl Demirazi, jemi larguar, duke dhënë dorëheqje nga ai komision. Pas largimit tonë, grupi organizator ka shkruar kërkesat, por në mëngjes Azemi ka kërkuar që kërkesat të miratohehsin edhe prej nesh, pra ne të treve që u larguam. Këtu kam parë aftësitë prej lideri të Azem Hajdarit, i cili kishte prirjen që të përfshinte dhe jo të përjashtonte. Kemi shkuar dhe i kemi lexuar kërkesat” (Fundo, Akli, intervistë për autoren, nëntor 2013).