INTERVISTA ME REGJISORIN KUJTIM GJONAJ

Flet regjisori i mirënjohur Kujtim Gjonaj, “Mjeshtër i Madh”: Puna në Kinostudio, si i realizova 150 filmat dokumentarë 

Nga Leonard Veizi

Ai është i ngopur deri në tej me titujt, dekorata plot shkëlqim ku janë stampuar gjithfarë figura emblematike, dhe kartonë bojë floriri ku kanë shkruar motivacione deri në superlativë. Dhe me siguri, nëse do t’i varte në qafë, do të shëmbëllente me Çezarin që kthehej nga ekspeditat ndëshkimore të Egjiptit, a me një Gjeneral Armate nga Lufta e Dytë Botërore, që pati marshuar me tank mbi Berlin.

Ndaj shtesa në organikë e një teneqeje më shumë nuk është se i krijon pritshmëri a ndonjë efekt entuziazmi sipëror. Dhe nga përfitimi i ndonjë titulli tjetër të pamarrë, që do ketë mbetur në ndonjë cep sirtari administrativ, ka hequr dorë prej kohësh. Por, as me egon e pangopshme për ca para më shumë, nuk ka të bëjë më puna e tij. Gjithçka është e lidhur thjesht me pasionin që e ka pasur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë gjithë karrierës artistike, dhe që nuk i zbehet as nga koha dhe as nga hapësira e pamat. Imagjinata e tij vazhdon të kuadratojë imazhe të çuditshme njerëzish a ngjarjesh, të cilat kërkon me se s’bën t’i lërë si trashëgimi në celuloid apo negativin e një filmi. Dhe për këtë nuk i duhen noterë e as mbështetje në akte nënligjore, madje as kamera “Arriflex” demode, por vetëm një aparat dixhital e mikser shumëplanësh në montazh. Pas kësaj, puna vazhdon…

…Në krye të herës ai është dokumentaristi më i mirë në Shqipëri, me punë të krijuar organikisht si para ashtu dhe pas viteve ‘90. Madje njihet si regjisori që ka shkruar historinë, pasi pjesa më e madhe e dokumentarëve flasin për figurat më me peshë të popullit shqiptar. Në background-in e tij artistik numëron rreth 150 dokumentarë. Pesë më shumë apo pesë më pak, kjo nuk ka më kurrfarë rëndësie, dhe as e lëviz një gramë kandarin e tij të peshës. Thotë se në punën voluminoze që ka bërë jo detyrimisht çdo dokumentar merr rëndësi, për më tepër kur flitej se në Kinostudion e atëhershme kishte një plan që duhej realizuar medoemos.

Por dhe po të heqim firon e menduar, sërish mes titujve të tij gjenden aq shumë materiale të vlefshme, se vetë ai do të mbeste në histori. Sqaron se krahas studimeve të larta në degën e Gjuhë-Letërsisë, kreu edhe kursin 2-vjeçar të gazetarisë, ndaj dhe dëshira ishte që të fillonte punë tek “Zëri i Rinisë”. E kishin kërkuar tek Agjencia Telegrafike dhe Televizion, por kur i komunikuan se ishte emëruar redaktor në Kinostudio u habit pa masë. Por s’pati shumë kohë të mbeste mes habisë dhe dyzimit, se puna nisi. Për më tej se kaq regjisori i mirënjohur Kujtim Gjonaj flet për Fjala.al.

Çdo të thotë të jesh regjisor?

Regjisori është truri i veprës filmike, një lloj dirigjenti i një orkestre të madhe simfonike, që dirigjon të gjithë komponentët me mjeshtëri, kulturë dhe art, të gjithë pjesët që përbëjnë atë që quhet vepër filmike.

Cili ishte impresioni i parë kur u emëruat në Kinostudio dhe nisët punën aty?

Ndërtesa e madhe 2-katëshe, e gjitha mermer dhe me tavane të pikturuar, më dukej si një kështjellë mesjetare gjithë mistere dhe të panjohura. Mbresat, kur hyra për herë të parë në të dhe kapërceva korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si i thonë, qenë të fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hijerëndë dhe imponuese. Kurrë nuk më pati shkuar ndër mend se një ditë mund të punoja aty.

Kinemaja shqiptare lulëzoi në mënyrë të menjëhershme. Kishte arsye të veçantë?

Kinostudio lindi si një dëshirë dhe vullnet i shtetit shqiptar për të pasur edhe shqiptarët një histori dhe traditë në filmin shqip. Thuhet rëndom në ditët e sotme se ajo lindi për propagandë. Pas Luftës, ku u derdh shumë gjak, vendi ynë u rreshtua në kampin komunist. Ishte normale që të propagandoheshin, të kultivoheshin, të përjetësoheshin në art e kulturë përpjekjet mbinjerëzore të një populli të tërë për çlirimin dhe identitetin kombëtar, ashtu siç nuk mund të liheshin pa u fiksuar edhe përpjekjet po aq titanike për zhdukjen e plagëve të luftës dhe mobilizimi masiv për rindërtimin e vendit. Në kinematografi do të flitej për historinë shqiptare të asaj kohe. Për luftën partizane, për ndërtimin e socializmit. Çfarë bëhet sot në Amerikë dhe në vendet e tjera perëndimore? A nuk bëhet propagandë?

Sa i indoktrikuar ishte filmi shqiptar para viteve ‘90?

Kinematografia shqiptare arriti të realizonte 14 filma artistikë në vit. Dhe u realizuan filma me vlera të mëdha artistike. Por më duhet ta them se indoktrinimi, si dje dhe sot është pjesë e përditshme e njerëzve që merren me art, kulturë dhe gazetari. Në kohën tonë jo të gjithë filmat ishin të doktrinuar, por edhe brenda politikës së çastit ne mundoheshim të fusnin shpirtin artistik, dhe punonim me pasion për ta realizuar çdo film me teknikën më të lartë. Kinostudio dhe punonjësit e saj artistë, i shërbyen vendit dhe popullit me dashuri, art, pasion dhe kulturë. Ata fiksuan në celuloid të vërtetat e mëdha të historisë shqiptare, por natyrisht duke i shërbyer edhe politikës së partisë shtet, sepse ishte ajo që e ngriti, drejtoi dhe financoi këtë ndërmarrje të madhe artistike, kulturore dhe propagandistike. Natyrisht që do bëhej edhe propaganda e partisë.

Në fillimet e saj Kinostudio ka realizuar Kinoditarin. Çfarë përmbante ai?

Gjinia e kinoditarit, lindi në kushtet e transmetimit të një lajmi të shpejtë për kohën, e ku pasqyronte informacionet për ndërtimin socialist të vendit. Kishte filma që kishin të bënin tërësisht me propagandën e kohës, por krahas filmit propagandistik morën jetë dhe filmat dokumentarë që i shërbyen artit, kulturës, traditës, historisë.

Si kineast, më së shumti njiheni për përzgjedhjen e temave historike. Përse pikërisht këtë gjini?

Historia e vendit tonë mbart në vetvete shumë figura të mëdha. Ne duhet të jemi krenarë me historinë tonë. Por ka ende shumë figura të pa realizuara por që unë nuk pretendoj t’i bëj në film, sepse edhe koha dhe mosha ndikojnë. Por të bësh një film për Migjenin nuk ke bërë politikë, apo të fiksosh në celuloid jetën e Mios, të tregosh për Aleksandër Moisiun, vëllezërit Topulli, Asdrenin apo të ngresh në piedestal filmik kryengritjet e mëdha të Veriut në vitet 1910-1912, nuk bën politikë.

Është e njëjta gjë si të shkruash një roman për ndërtimin e një kombinati apo të një hidrocentrali, ku objekt është vepra që ndërtohet, por subjekt janë marrëdhëniet e njerëzve që marrin pjesë në ndërtimin e veprës, karakteret, lidhjet ndërmjet njëri-tjetrit, raportet me punën dhe familjen. Me një fjalë, historia e këtyre njerëzve dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë. Pra, ke shkruar historinë e vendit tënd, ke bërë dhe politikën, por dhe detyrën ndaj historisë dhe vendit tënd. Pra, ka ndërthurje mes politikës dhe artit.

Po manifestimet e mëdha, ku merrnin pjesë krerët e shtetit, si konsiderohen?

Paradat me rastin e festave të çlirimit apo festimet me rastin e 1 majit dhe fiksimi i tyre në celuloid janë politike, sepse i bën elozhe pushtetit që ka fuqi të madhe, tregon forcën dhe vitalitetin e rendit socialist, pavarësisht sesa e vërtetë është kjo. Por njëkohësisht i bën edhe një shërbim historisë së vendit, se dokumenton butaforinë e një kohe të shkuar. Gjithsesi mund të them se arti në ato vite lulëzoi deri në piedestale.

Si u pasqyrua nga Kinostudio vd, ekja e Enver Hoxhës?

Kur u njoftova për vd, ekjen e Enver Hoxhës shkova në Kinostudio. Atje gjeta gjithë kolektivin duke qarë. Kishte edhe ndonjë që qante me zor. Ishte një atmosferë gri, atmosferë zie. Sesi e ndjenin shqiptarët brenda shpirtit e treguan vitet e më pasme. Por, disa njerëzve që morën flamurin e demokracisë pak vite më vonë nuk u shkonte ajo e qarë që bënë atë ditë. Hipokrizi totale! Vite më vonë, kur ata njerëz i pashë të veshur me pushtet, qesha me trishtim.

Pati dhe një dokumentar me këtë rast…

Bashkë me Viktor Gjikën dhe Halil Kamberin jemi caktuan për të bërë filmin mbi vd, ekjen e Enver Hoxhës. Sot ka një mendim tjetër për atë kohë. Po ato ditë kam parë nga afër pikëllimin e shqiptarëve. Ishte një vd, ekje gati-gati e kob, shme. Populli përlotej. Nxënësit vendoseshin në rreshta dhe qanin me oiii. Kolektivat e punës braktisën punën dhe u rreshtuan në kortezh. Po kështu zyrtarët, ush, tarakët, veteranët, studentët. Ishte një pikëllim masiv. Shtatë ditë zie. Tek pjesa më e madhe e shqiptarëve kishin një fr, ikë akute. Ç’do të ndodhte me të ardhmen e tyre? Ndjehej një pasiguri masive. U shpërnda e gjithë Kinostudio në gjithë Shqipërinë dhe u xhirua një film i mirë për dhimbjen e madhe të popullit shqiptar. Në fakt koha tregoi se nuk ishte dhe aq e madhe. Hipokrizia dhe fr, ika qe shumë më e madhe. Po me hir apo me pahir populli ka qarë.

Në çfarë filtrash kaloi ky film?

Përveç këshillit artistik, pasi u montua filmi iu tregua Nexhmije Hoxhës, e cila e pëlqeu.

Jeni skenarist i disa filmave artistikë. Si nisi puna juaj?

Kam realizuar 4 skenarë për filma me metrazh të gjatë. Ishte Kristaq Dhamo, udhëheqësi artistik, një nga personalitetet më të respektuar të filmit artistik shqiptar, i cili më dha një libër e më tha: “Merre dhe lexoje! Është një roman i Sterjo Spases Shikoje me vëmendje, dhe përpiqu ta kthesh në skenar për film”. Ishte romani “Zjarri” që kishte pak kohë që ishte botuar. Si rastësisht Kristaqi shtoi: “Është porosi nga lart. Ky roman është pëlqyer shumë nga shoku Mehmet, dhe ai ka hedhur idenë për ta bërë film”. Kishim caktuar dhe regjisorin që do bënte filmin, Fehmi Oshafin, me të cilin kisha marrëdhënie të mira. Megjithëse i bënte jehonë politikës së kohës vepra kishte ca linja interesante: Një djalë i ri qyteti, mjek veteriner që shkon në kooperativë të re në një zonë të thellë malore, ku ndërthureshin dy botë dhe mentalitete. E reja përparimtare në luftë me të vjetrën zakonore. Bashkë me regjisorin i përvishemi punës. Bashkërisht realizuam një skenar të këndshëm dhe me këmbëngulje zgjodhëm grupin e aktorëve ku ishin Ndrek Luca, Vangjel Heba, Nikolin Xhoja, Astrit Çerma etj. Rolin kryesor ia besuam Justina Aliajt, e cila sapo që rehabilituar mbas ngjarjeve dramatike të Festivalit të 11 në Radio Televizion dhe aktronte në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ishte një aktore me potencial të madh artistik dhe kulturor. Në filmin “Thirrja”, ajo interpretoi në mënyrë të shkëlqyer.

Në Kinostudio, pak filma kanë kaluar pa probleme. A do të kishit dhe ju problemet tuaja me filmin?

Ç’është e vërteta filmi përfundoi me sukses dhe kur u vizionua në kolektivin krijues u prit mirë. Por krejt papritur, diku qarkulloi thashethemnaja; Pse e keni marrë Justinën?… Kush e miratoi?….Pse s’keni pyetur?… Ata që kishin dhënë leje gënjyen dhe mohuan. Leja qe dhënë drejtpërsëdrejti nga sekretari i parë i partisë së Shkodrës, Prokop Murra. Të gjithë ata që e kishin miratuar, shkallë pas shkalle ruajtën bythën e tyre dhe mohuan atë që kishin miratuar me entuziazëm. Kështu nisi kalvari i masakrimit të filmit. Goditja e parë qe për të minimizuar rolin e Justinës. Shkurtimi në maksimum i portretit të aktores dhe rixhirimi u bë me një aktore tjetër Liri Lushin. I binte të bëje një film nga e para. Premiera u shfaq në kinema “Partizani” dhe filmi pati jehonën e vet por të gjithë ndienim keqardhje për fatin e veprës, për lodhjen dhe pasionin e çuar dëm.

Më pas si do të vazhdonte krijimtaria juaj si skenarist?

Pas skenarit të filmit “Thirrja” shkrova edhe tre skenarë të tjerë, pa lënë asnjëherë mënjanë skenarët e disa filmave dokumentarë. Bashkëpunova me Esat Musliun për filmin “Ata ishin katër”.

Po në vitin 1977-t pata një bashkëpunim frytdhënës me regjisorin Hysen Hakani dhe shkrimtarin Skënder Plasari, ku së bashku realizuam një film plot humor dhe fantazi, filmin “Cirku në fshat”.

Skenari më madhor ka qenë për filmin artistik “Këshilltarët”. Ai u prit jashtëzakonisht mirë dhe doli me të vërtet një film i arrirë artistikisht. Regjia e filmit iu besua Xhezair Dafës. Është një film që pati jehonë si një ngjarje e rëndësishme e luftës Nacional çlirimtare. Ndaj dhe “Këshilltarët” mbetet një gur themeli në krijimtarinë time. Filmi u prezantua dhe në festivalin e Selanikut në vitin 1980 ku pati vlerësime nga kritika dhe shtypi vendas.

A ka ndryshuar këndvështrimi juaj nga para viteve ’90 në pas tyre?

Si kineast, unë jam ai që kam qenë para ’90 dhe pas ’90. E them këtë, sepse qëndrimi im emocional ndaj një vepre filmike është i njëjtë në çdo kohë. Qëndrimi emocional i artistit është i njëjtë në çdo kohë. Në këtë kuptim unë jam ai që kam qenë. Por gjërat janë dhe të lidhura. Para ’90-tës realizimi i filmit ishte më komod, sepse investonte shteti. Grupet më të mëdha, mundësitë më të mëdha, sepse çdo gjë e paguante shteti, por teknika në atë kohë nuk ishte kjo që është sot që është më e mirë. Vështirësia ishte, sepse do bëje dhe një lloj vetëpërmbajtje, por varet se si ishte tema e filmit, sepse kishte kontroll nga shteti i asaj kohe. Sot jemi më të lirë në përzgjedhje temash, por jemi shumë më të kushtëzuar nga ana ekonomike për filmin. Mundohesh, që shumë gjëra t’i zgjidhësh me pak njerëz, pak para, por përpjekja për të bërë një vepër të pëlqyeshme është e përbashkëta e çdo periudhe kohore.

Burimi: Fjala.al – Marrë nga Konica.al