Në qytetin e Astit, në veri të Italisë, është ndërtuar një qendër shqiptare e kulturës. E pagëzuar me emrin e aktores së madhe Margarita Xhepa, kjo qendër synon ruajtjen e traditës, kulturës dhe historisë, jo vetëm përmes kurseve të gjuhës shqipe por edhe veglave muzikore tradicionale shqiptare. ”Krizat e personit fillojnë tek identiteti.

Nëse ne transmetojmë origjinën, kulturën, traditat tona, do të thotë që ne jemi të realizuar plot, fillojmë me rrënjë shqiptare dhe lulëzojmë si italiane pastaj. Ky do të ishte një sukses i plotë”, ka thënë Mimoza Prendi Mustafa.

8 mësues do të drejtojnë në këtë qendër vullnetarisht, me kurse të ndara në katër nivele që do të ofrojnë gjuhë, histori, kulturë e traditë shqiptare. Synimi është ruajtja e tyre tek të rinjtë dhe të vegjlit, të lindur e të rritur në Itali. ”Të gjitha janë punimet e mija si pikturat, instrumentat folklorike tonat dhe projektet e modeleve të veshjeve tona kombëtare. Kush ka me e ruajt tjetër, ne do ta ruajmë rinia, njerëzit, mësuesit, historianët, kryetarët e bashkisë, shqiptarët vetë duhet me e ruajt historinë e tyre, po se ruajtëm ne kush me na ruajt, të tjerët na e djegin”, shprehet Kristjan Zefi.

Inisiativa e shoqatës së shqiptarëve në Piemonte është mbështetur nga komuniteti shqiptar të cilët në forma të ndryshme kanë bërë të mundur kthimin e godinës së vjetër, në një qendër të vërtetë kulturore siç ajo është sot. Në këtë qytet shkolla shqipe ka dy vite që funksionon, por ky vit i ri do ti gjejë fëmijët në këtë qendër të re plotësisht për ta. Përgjatë dy ditëve Asti ka festuar jo vetëm nën muzikën tradicionale të disa prej këngëtarëve më të njohur por edhe pjesëmarrjen e mjaft personaliteteve të tjera nga të gjitha trojet shqiptare. Mesazhi që vjen nga ky qytet kërkon të përçohet kudo ku jetojnë shqiptarët, për të ruajtur gjuhën dhe rrënjët e tyre pavarësisht largësisë nga vendi. /KultPlus.com