Qeni t’zo’n mâ ktu s’po e njeh –
Na janë ngrefë si gjelat m’pleh,
E pedanta e “Don Kishjote”,
Me nji hije krejt kokote,

Tuj u mbajtë për liberala,
Për modern e oksidentala [perëndimorë].

Por, qé sod, qi disa piça,
– Qi po mbahen për ogiça:
Kush mehmur e kush Ministër –
Si ata orlat, varg e vistër

Na i kanë rá Financës kombtare
E me kthetra guximtare
Tue përpushë npër gjak t’Shqiptarit.
Po ndajnë zyre e rroga arit

Nëpër krushq e kushrini,
Nëpër miq e kumbari,
Për me ngrefë me tá parti –
Parti barkut e karrigash,
– Klika t’mshefta, çerdhe intrigash.-

Jo, veç gjyq Shqiptari s’lypë,
Pse aj do t’hajë veç bukë e krypë…

E po ku, posë se n’Shqipni.
Njikjo punë mundet me u ndi
Se, pa u mbushun gjysma e vjetit
Firo shkon gjith parja e shtetit

Nëpër xhepa t’ “atdhetarve”
Qi p’r Atdhé e nderë të t’Parve
Der mësod nji marimângë
Prej birucet s’e kanë shmângë;

E as ndër mênd kurr s’u pat rá
Se Shqipni kund m’shekull ká,
Veç dishmue janë për Shqiptarë,
Q’se Financat n’dorë kanë marrë?

Jo! Shqipninë na s’e kem’ bâ
Veç për t’ngopë edhe për t’fâ
Me bukë t’bardhë e rroga arit
Ndonji kalangerrç zyrtarit,

T’cillit barku i pat ndejë fyell,
Edhe shtatit ardhë kercyell
Kjè si hûni n’kapërcyell,

E as pse dhet’ a pesmbdhetë vetë,
– Pa gjâ n’bark, pa gjâ n’kuletë –
Me u njitë t’mujshin thìk përpjetë
E me xânë “kulltukët” e parë,
Edhe ngrefë për sundimtarë,

Me mehmur e me zyrtarë,
Me inzhenjera – e me shofera,
Me nëpunsa e sherbtorë
Me përla Financën n’dorë:
E grìsh miq e semahorë,

Ngref Kongrese e Parlamente,
Kshille t’Nalta e Konstituente,
Herë tue qeshë, herë tu’u gërmushë,
Tash tu’u tállë, tash tu’u përpushë,
M’shpinë t’Shqipnisë me lujtë harushë,

Mirë me ngrânë e mirë me pi,
Me mbushë xhepat me ar flori,
Me ja u pasë nji Mbret lakmi.

Kta zotni shka kanë veprue,
Q’se kanë nisë ktu me sundue:
Ku janë rrugat qi kanë shtrue?
Ku janë urat qi kanë lshue?…

Sa janë knetat qi kanë thá?
Kund ndo ‘i prrue a lùm a ká,
Qi kta prû t’a kenë n’âmë t’vet?…
Qé , tash mbush’ janë plot dhetë vjet

Q’se Shqipnija ka dalë m’veti
E, q’se kombi nisë ka i shkreti
Me lá taksa, pagë e t’dheta,
E q’sè prè si kacabeta

Kta kanë rá m’Financa t’ona
Dhe me lira e napoljona
Lajnë nëpunsat – akraba
E atdhetarët e “fjalve t’mdha”,
N’ kto dhetë vjetë, po pyes un, prá,

A thue u vû ndo ‘i punë për fije?
A u çil kund ndo ‘i shteg tregtije,
A ‘i burim ekonomije,
Për me t’mbajt sado pak shpresa,
Se për né dikur rrnésa

Ka me u sjellë ajo për s’mârit,
Mbasi shtetit grumbuj arit
Asht tue i lá rodi i shqiptarit?”

Át Gjergj Fishta – “Gomari i Babatasit” (1923)